SHBA ndërpret fondet, frikësohet Shqipëria

555
Hakmarrja e SHBA, OKB-së i hiqen 285 milionë USD
Uashingtoni hedh hapin e dytë, pas mungesës së ftesës për vendet që e refuzuan. Shqipëria, mes të ndëshkuarve për votën në Asamble
Shtetet e Bashkuara duket se nuk do ta harrojnë lehtë dështimin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ndonëse kishin paralajmëruar për rëndësinë që i kushtonin votimit për çështjen e njohjes së Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit, diplomatët e Uashingtonit mbetën me një mbështetje jo të madhe, kundrejt 128 shteteve që votuan kundër linjës amerikane. Edhe Shqipëria vendosi të rreshtohej mes vendeve që kundërshtojnë vendimin e presidentit amerikan, Donald Tramp. Në një hap të parë ndëshkues për “të pabindurit”, ambasadorja amerikane në Nju-Jork, Niki Halej, ftoi në një takim më 3 janar 2018 vetëm vendet që votuan pro SHBA-së, abstenuan apo nuk morën pjesë në votim. Shqipëria mbeti jashtë kësaj liste. Ndërkohë, ka mbërritur një hap i dytë, që duket se nuk është thjesht një mesazh, por veprim konkret. Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Niki Halej deklaroi se SHBA ka negociuar një shkurtim fondesh prej 285 milionë dollarë për Organizatën e Kombeve të Bashkuara vitin e ardhshëm. “Nuk do të lejojmë që të përfitohet nga zemërgjerësia e popullit amerikan. Ineficenca dhe shpenzimet e tepërta të Kombeve të Bashkuara janë shumë të njohura”, deklaroi ambasadorja Niki Halej. Diplomatja shtoi se reduktimi historik i shpenzimeve është hapi i duhur në drejtimin e duhur dhe se SHBA do të bëjë shumë lëvizje të tjera drejt një OKB-je më efikase dhe më të përgjegjshëm. Marrëveshja e re për vitin fiskal 2018-2019 është 285 milionë dollarë më pak se buxheti i organizatës botërore prej 5.4 miliardë dollarë për vitin fiskal 2016-2017. Ambasadorja Halej tha se shpresonte të ndihmonte të reduktonte më shumë buxhetin për OKB-në në vitet e ardhshme.

Më 21 dhjetor, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë dërrmuese një rezolutë që hidhte poshtë vendimin amerikan për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të lëvizur atje ambasadën e SHBA. Në mbyllje të votimit, 128 vende u shprehën pro rezolutës, 9 kundër dhe 35 abstenuan. “Shtetet e Bashkuara do ta kujtojnë këtë ditë, në të cilën u veçuan për t’u sulmuar në Asamblenë e Përgjithshme për vetë aktin e ushtrimit të së drejtës sonë si vend sovran”, tha ambasadorja e SHBA, Niki Halej. “Ne do ta kujtojmë këtë kur të na kërkohet përsëri të japim kontributin tonë në Kombet e Bashkuara, më i madhi në botë; do ta kujtojmë gjithashtu kur shumë vende të vijnë e të na kërkojnë, siç bëjnë aq shpesh, që ne të paguajmë akoma më shumë dhe të përdorim ndikimin tonë në dobi të tyre”, shtoi Halej.
Shtetet e Bashkuara paguajnë aktualisht 22 % të buxhetit të OKB-së, si dhe përballojnë 28 % të kostove për trupat paqeruajtëse. Buxheti operativ i OKB-së është i ndarë nga ai i forcave paqeruajtëse, që u shkurtua me 600 milionë dollarë këtë vit, nën presionin e presidentit amerikan, Donald Trump. Shqipëria përfiton nga disa programe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ndërsa nuk dihet se sa ajo do të preket nga shkurtimi që do të pësojë organizata me seli në Nju-Jork. 
Sigal