SHBA: Jepini fund lojrave me drejtësinë

430
Sigal

Tre kongresmenë amerikanë i kanë dërguar një letër Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry, në të cilën i kërkojnë që të zbatohet rekomandimi 88 i Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi në Shqipëri. Kongresmenët David Jolly, Robert Aderholt, si dhe nënkryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin e SHBA, Dana Rohrabacher, kërkojnë që konsensusi mes palëve politike në vendin tonë të arrihet duket respektuar rekomandimet e ‘Venecias’.

Letra e kongresmenëve amerikanë
I dashur Sekretari Kerry
Ju shkruajmë me shqetësimin se vendimet e drejta dhe të pavarura të gjyqësorit në Shqipëri vazhdojnë të kërcënohen, dhe për të kërkuar mbështetjen tuaj për përpjekjet në vazhdim për të arritur konsensus mbi reformat e propozuara.
Reforma në Drejtësi nevojitet për të siguruar një gjyqësor të pavarur dhe një proces gjyqësor të hapur dhe të argumentuar që mund të shërbejë edhe për të përshpejtuar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Komisioni i Venecias ka paraqitur rekomandimet finale për Reformën në Drejtësi dhe liderët politikë nga të dyja palët politike i kanë mirëpritur këto rekomandime si një produkt konsensual. Ne besojmë se liderët politikë janë afër një marrëveshjeje mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe në mënyrë më specifike Rekomandimi 88, i cili përbën bazën e zgjidhjes kur liderët politikë janë në një pikë ku nuk bien dakord.
Që Reforma në Drejtësi të përfundojë, duhet garantuar adoptimi i këtij rekomandimi në Kushtetutën e Shqipërisë dhe zbatimi i tij. Ne ju nxisim që të punoni me qeverinë e Shqipërisë që të vazhdojë përkushtimin ndaj Reformës në Drejtësi. Marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe interesi ynë i përbashkët për sigurinë e lirinë është i një rëndësie domethënëse në planin rajonal dhe global.
Me shumë respekt,
David Jolly
Robert Aderholt
Dana Rohrabacher