SHBA godet politikën e Tiranës: Tom Doshit i ndalohet hyrja në Amerikë. Deputeti: Nuk jam i korruptuar

112
SHBA godet sërish: Tom Doshit i ndalohet hyrja në Amerikë
Departamenti i Shtetit deklaron se deputeti dyshohet për përfshirje në raste madhore të korrupsionit. Doshi hedh poshtë akuzat 
Departamenti i Shtetit i ndalon hyrjen në Shtetet e Bashkuara deputetit Tom Doshi dhe familjes së tij. Pas ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, Tom Doshi bëhet zyrtari i dytë nga Shqipëria, të cilit i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes në raste madhore korrupsioni. Në bazë të ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë. Sekretari i Shtetit mund t’ia bëjë njoftimin zyrtarit privatisht ose në publik. Në bazë të njoftimit të Departamentit të Shtetit, deputeti Doshi, bashkëshortja e tij Xhovana Doshi, vajza e madhe Briana Doshi, djali në moshë madhore, James Doshi dhe fëmijët në moshë të mitur nuk lejohen të hyjnë në Amerikë. Ndërkohë vetë Doshi ka deklaruar për mediat se nuk ishte në dijeni të vendimit të Departamentit të Shtetit. “E para, fëmijët e mi kanë pasaportë australiane, s’kanë nevojën për vizë amerikane. As gruaja ime dhe as fëmijët e mi s’kanë qenë në Amerikë. Unë kam qenë në Amerikë, kam aplikuar në ambasadë kur kam qenë në hetim, siç e dini. Nuk më është thënë që më refuzohet kërkesa. Unë kisha një konflikt me kryeprokurorin (Adriatik Llallën) siç dihet. Dhe këtu ngeli çështja, vetëm tek kërkesa. Për punë korrupsioni s’kam firmosur asnjëherë. Jam opozitar, skam qenë kurë në pushtet”, tha Doshi për mediat pas publikimit të vendimit, që i ndalon atij hyrjen në SHBA, pavarësisht nëse ka ose jo nevojë për vizë për shkak të një shtetësie tjetër. Doshi shtoi se nuk ishte përfshirë në raste korruptive. “Për të bërë korrupsion, duhet të jesh ministër, kryeministër. S’jam marrë asnjëherë me tenderë dhe s’kam pasur lidhje. Jam taksapaguesi më i madh në Shqipëri”, shtoi ai. Tom Doshi ishte deputet i Partisë Socialiste në vitet 2009 dhe 2013, ndërsa u përjashtua nga Partia Socialiste në vitin 2015 me vlerësime nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, pasi akuzoi publikisht Ilir Metën, aktualisht President i Republikës, për një komplot vrasjeje ndaj tij. Pavarësisht përjashtimit nga socialistët, Doshi arriti të rizgjidhet deputet në vitin 2017 nën siglën e Partisë Socialdemokrate në qarkun e Shkodrës.

PSD dhe “Gjinushi i përjetshëm”
Pavarësisht kalimit në disa parti politike, deputeti Tom Doshi ndëshkohet nga Departamenti amerikan i Shtetit pasi u zgjodh si anëtar i Parlamentit në siglën e Partisë Socialdemokrate. Doshi kandidoi për PSD-në e Gjinushit më 25 qershor 2017 dhe arriti të siguronte votat e nevojshme, pavarësisht mungesës së koalicioneve parazgjedhore. Në këtë mënyrë edhe PSD e Gjinushit arriti të bëhet parti parlamentare. Vetë Gjinushi nuk hyri në Kuvend, por mori përsipër të realizojë reformën e Akademisë së Shkencave. Sidoqoftë, ai mbetet kryetar i PSD-së, parti që nisi ta kryesonte në fillim të vitit 1991. Ndërkohë që karriera e tij politike nis edhe më herët, kur ishte ministër i Arsimit në qeverinë komuniste të Adil Çarçanit. Edhe gjatë protestave të studentëve në dhjetor ’90, Gjinushi ndodhej në krah të Ramiz Alisë, por më pas ai vendosi të formonte një parti të vetën. Në zgjedhjet e vitit 1992, Gjinushi hyri në koalicion me qeverinë e presidentit Berisha dhe viti 1997 do ta gjente në koalicion me socialistët e kryeministrit Nano. Vetë Gjinushi drejtoi për disa vite Kuvendin, duke mos hequr dorë nga PSD e tij. Në zgjedhjet e vitit 2013, Gjinushi ishte në koalicion me socialistët, por nuk u përfshi personalisht në qeverisje. Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 2017-s, Gjinushi vendosi të kandidojë Tom Doshin nga radhët e PSD-së në qarkun e Shkodrës. Vetë Doshi siguroi votat dhe udhëtoi drejt Kuvendit, ndërsa Gjinushi mori në dorë reformimin e Akademisë së Shkencave.