SHBA fshikullojnë Ramën: Zhgënjim nga gjuha e shkujdesur

511
Uashingtoni, ashtu si BE, kundërshton deklaratën e kryeministrit për një president të përbashkët Shqipëri-Kosovë. Si u përpoq shefi i qeverisë ta moderonte qëndrimin
Shtetet e Bashkuara kanë bërë ndoshta reagimin e tyre më të fortë në drejtim të kryeministrit Edi Rama, teksa kanë kundërshtuar hapur propozimin e tij për një President të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës. Nëpërmjet selisë diplomatike në Tiranë, Departamenti i Shtetit ka nënvizuar publikisht mospajtimin e tij me përmbajtjen e fjalës së kryeministrit Rama në Kuvendin e Kosovës disa ditë më parë, teksa kremtohej 10-vjetori i Pavarësisë. “Ambasada e SHBA mbeti e zhgënjyer nga deklarata e Kryeministrit Rama mbi Shqipërinë dhe Kosovën me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Gjuha e shkujdesur, që aludon për bashkim, është e padobishme dhe dëmton marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje. Ne i bëjmë thirrje udhëheqësve që të jenë fqinjë të mirë dhe të lënë mënjanë gjuhën ndarëse të së shkuarës”, thuhet në një deklaratë të ambasadës amerikane në Tiranë. Reagimi amerikan erdhi 3 ditë pas deklaratës së kryeministrit shqiptar, në ndryshim nga ai i Bashkimit Evropian që nuk vonoi as 24 orë. Kjo duket ka bërë që qëndrimi amerikan kundër propozimit të Edi Ramës të jetë i menduar dhe i konsultuar në Uashington. 

Ndërkohë, vetëm një ditë përpara publikimit të qëndrimit amerikan, kryeministri Edi Rama ka tentuar ta sqarojë deklaratën e bërë prej tij në ditën e Pavarësisë së Kosovës për një President të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë. Një deklaratë që ka shkaktuar shumë debate dhe që mund të sjellë të tjera telashe diplomatike për qeverinë shqiptare. I informuar me sa duket në rrugë diplomatike, për një reagim kritik publik nga politikan amerikane, shefi i qeverisë e zbuti ndjeshëm deklaratën e Prishtinës. “Nuk bëra asnjë deklaratë. Një fjali e lirë u shkëput nga konteksti dhe kthye në një program politik. Në fjalën e atij rasti, i lejova vetes që të vrapoj me imagjinatë, se si mund të jetë 20-vjetori i Pavarësisë së Kosovës. Është sport kombëtar, por edhe ndërkombëtar, që shkëputet një fjali nga konteksti dhe pastaj bëhet një histori. Por besoj se askush nuk më ndalon të imagjinoj. Sa i përket pastaj artikulimit, se si kjo mund të ndodhë nga ana legjislative, imagjinata ime nuk ka shkuar deri aty”, ka deklaruar kryeministri Rama.
Sigal