SHBA: Embargo qeveritarëve të korruptuar

607
Departamenti i Shtetit mund të bllokojë pjesëmarrjen e udhëheqësve politikë nga Ballkani në takime dhe qarqe të caktuara, në Uashington e Evropë
Shtetet e Bashkuara deklaruan se mund të bllokojnë udhëheqësit e korruptuar të vendeve të Ballkanit nga pjesëmarrja në takime të rëndësishme ndërkombëtare në Uashington dhe Evropë. Zv/ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, i angazhuar nga afër së fundmi me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, u shpreh se Perëndimi duhet të tregohet më i prerë ndaj udhëheqësve të akuzuar për shkelje apo korrupsion në vendet e tyre, raportoi “Zëri i Amerikës”. “Është për të ardhur turp se si udhëheqës politikë të Ballkanit, pavarësisht nga akte të dënueshme, mirëpriten në shumë kryeqytete evropiane, sikur aktet e tyre nuk përbëjnë asgjë të keqe. Kur qytetet e këtyre vendeve i shohin udhëheqësit e tyre në takime të nivelit të lartë në Evropë dhe Uashington, ata nxjerrin përfundime. Nëse këta udhëheqës nuk lejohen në takime dhe qarqe të caktuara dhe bëhen të qarta arsyet përse, kjo do të kishte një ndikim pozitiv në zhvillimet e këtyre vendeve”, tha zyrtari i lartë amerikan në një diskutim të organizuar nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë. Diplomati i Departamentit të Shtetit u shpreh se politikat amerikane në të ardhmen duhet t’i shërbejnë rritjes së kërkesës së llogarisë ndaj udhëheqësve në Ballkan për të përmbushur rolin që kanë marrë përsipër para qytetarëve të tyre. Më tej, ai foli në mënyrë specifike për Shqipërinë. Lidhur me reformat në drejtësi që po ndërmerr Shqipëria, diplomati i lartë tha për “Zërin e Amerikës” se rëndësi ka rezultati. “Ne nuk do të kënaqemi si partner i Shqipërisë me një zbatim të pjesshëm ose me mungesë zbatimi, prandaj do të vazhdojmë të kërkojmë nga qeveria, partitë politike, anëtarët e Parlamentit, që të mbajnë zotimet për të zbatuar amendamentet. Synimi nuk është që të kënaqen Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Evropian, por vendosja e sundimit të ligjit, arritja e statusit të pavarësisë për gjyqësorin”, nënvizoi Hoyt Brian Yee, një figurë e njohur për Tiranën politike, veçanërisht gjatë krizës së fortë politike përpara zgjedhjeve parlamentare të qershorit. Prej disa javësh, deklaratat e politikës amerikane në Tiranë janë fokusuar te lidhja e krimit me politikën. Ambasadori Lu foli për disa klane dhe familje mafioze që veprojnë në Shqipëri, ndërsa vetëm dy ditë më parë përmendi emrat e disa ish-deputetëve, si shembull të lidhjeve politikë-krim. 

Në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë u diskutua edhe për ndikimin rus në Ballkan, duke theksuar se rryma të rrezikshme janë shfaqur në Ballkan që kërkojnë një angazhim më aktiv dhe më të dukshëm të Shteteve të Bashkuara për të mos lejuar zhbërjen e sukseseve të shënuara që nga ndalja e konflikteve të përgjakshme të viteve 1990. Me paralajmërime për rrezikun që paraqet ngecja e reformave, ambiciet gjeostrategjike ruse dhe penetrimi i islamizmit radikal, njohës të zhvillimeve ballkanike, ofruan alternativa për angazhimin amerikan në të ardhmen. 
Sigal