SHBA duhet të gjejnë një Pandeli Majko për kryeministër

884
Avokati dhe politikani Spartak Ngjela ka sugjeruar se mazhoranca socialiste duhet të prodhojë një tjetër kryeministër, nëse dëshiron të mos humbasë pushtetin. Sipas tij, socialistët duhet të përsërisin shembullin e vitit 1999 kur ekzekutivin e lanë në dorë të Pandeli Majkos, ndërsa Fatos Nano drejtonte selinë rozë. “Shqipëria sot gjendet tamam si në vitin 1999, përpara se të fillonin bombardimet kundër Jugosllavisë; por edhe atëherë, që qeveria shqiptare të bashkohej me mendimin amerikan për bombardimet e Jugosllavisë, u desh të rrëzoheshin dy kryeministra rresht: Sali Berisha dhe Fatos Nano. Politika amerikanë e kishte provuar atëherë se, me këta dy kryeministra nuk mund të bëheshin bombardimet kundër Beogradit. Prandaj ajo i rrëzoi të dy”, u shpreh Ngjela. Sipas tij, deri tani, vetëm një kryeministër i është përgjigjur skemës amerikano- gjermane për ngritjen reale të shqiptarizimit në Ballkanin Perëndimor, si i vetmi aleat real amerikan në Ballkan – dhe ai ka qenë Pandeli Majko. “Ky ishte kryeministri shqiptar që iu dha udhë reale bombardimeve për çlirimin e Kosovës. Të tjerët, në forma të ndryshme, kanë shitur interesin kombëtar te fqinjët pushtues për të garantuar pushtetin e tyte; dhe, në fund, kanë rënë në korrupsion: kanë vjedhur mjetet monetare të shtetit shqiptar dhe kanë bllokuar zhvillimin; por të gjithë janë kryeministra-kunguj; që vetëm kanë vjedhë shqiptarët”, nënvizon Ngjela. Sipas tij, edhe Edi Rama është “e njëjta prerje me paraardhësit e tij, por, nëse do të vijojë kështu, duhet ndërruar”. Avokati i njohur kritikoi sjelljen e qeverisë shqiptare për varrezat greke, duke thënë se Rama “niset për Çamërinë dhe përfundon në fantazmogorinë pushtuese të Vorio-Epirit”. “Çdo politikë e re ka kohën e saj, ku ajo ose konsumohet, ose humbet. Shqiptarët duhet të nxitojnë se ky është një fat i madh historik për zhvillimin e tyre, por që ka afër tete vjet që po pengohet nga dy kryeministra fantazmë – Sali Berisha dhe Edi Rama. Tani që të dy janë futur në udhën e likuidimi të tyre, por që, duke parë marrëveshjen e fundit për varret e ushtarëve grekë, kuptojmë se ende po vijon në Shqipëri vallja makabër e Esat Toptanit”, shprehet Ngjela. Sipas tij, amerikanët duhet të veprojnë si në vitin 1999; kur gjetën Pandeli Majkon dhe e çuan skemën deri në çlirimin e Kosovës. “Edhe mazhoranca socialiste duhet ta ketë parasysh këtë, sepse nuk e ka pasur të lehtë që të jetë partnere me politikën amerikane, por, përderisa tani e ka arritur këtë, duhet të dijë të manovrojë brenda frymës që po kjo mazhorancë, me kryeministrin e vet, në vitin 1999, diti të ndihmojë realisht në çlirimin e Kosovës”, thotë Ngjela.
Sigal