SHBA: Dosja “Tahiri”, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin

468
Zv/ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, fton qeverinë të japë shembullin se është e përkushtuar në goditjen e korrupsionit
Faktori ndërkombëtar i ka dhënë fund heshtjes për çështjen “Tahiri”, ndërsa tensioni politik në Tiranë sa vjen dhe rritet. Zv/ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, i njohur me nofkën “buldozeri” për aksionin e tij diplomatik në Ballkan, i ka bërë të qartë Shqipërisë se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Një diplomat i mirënjohur në rajon, por edhe në Shqipëri për ndërmjetësimin gjatë krizës politike para zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2017, zyrtari i lartë i Uashingtonit lëshoi të parin qëndrim për hetimin e ish-ministrit të Brendshëm. Për të komentuar situatën në Shqipëri, zv/ndihmëssekretari i Shtetit zgjodhi Prishtinën, por mesazhi i tij ishte i qartë dhe i nënvizuar. “Jemi shumë të kënaqur me përparimin që Shqipëria ka arritur dhe jemi të kënaqur që Shtetet e Bashkuara kanë pasur mundësinë të kontribuojnë në reformat, përfshirë këtu edhe reformat në drejtësi. Bashkërisht me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar Shqipërinë të miratojë legjislacionin, të miratojë ndryshimet kushtetuese, me synimin që të forcojë sistemin e drejtësisë”, u shpreh Hoyt Brian Yee. Ai shtoi se kjo ndodhi për faktin se “një gjë e tillë nuk është e rëndësishme vetëm për sundimin e ligjit në Shqipëri dhe për kushtet në të cilat jetojnë qytetarët e saj, por edhe për faktin se (reformat) janë një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”. “Dhe pikërisht në këtë frymë, ne kemi vazhduar të mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për të zbatuar reformat në sundimin e ligjit, dhe po ashtu edhe në luftën kundër krimit, kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit…Të gjitha këto shërbejnë për të ngritur standardin jetësor për qytetarët e Shqipërisë, por edhe për ta ndihmuar përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, nënvizoi diplomati i lartë amerikan. Më tej, ai shtoi se “jemi duke ofruar drejtpërdrejtë ndihmën tonë, ekspertizën teknike, ndihmën financiare, në ndërtimin e strukturave, në trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve, për t’u ndihmuar që të kryejnë punën e tyre”. Zyrtari i Departamentit të Shtetit shtoi se nuk mund të fliste dot mbi rastet individuale, por tha prerë: “Gjithsesi besojmë në disa parime”.

Parimet amerikane
Hoyet Brian Yee e komentoi rastin “Tahiri” në Tiranë, duke përsëritur ato që i cilësoi si parime ku Shtetet e Bashkuara besojnë. “I pari është se ligji duhet të jetë i zbatueshëm për të gjithë njësoj, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, askush nuk mund të gëzojë imunitet nga ligji”, tha zyrtari amerikan, teksa në Tiranë Kuvendi vendosi të rrëzojë një kërkesë të prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, të akuzuar për grup të strukturuar kriminal në trafikimin e drogës dhe korrupsion. Në të njëjtën kohë, diplomati amerikan deklaroi mbështetje për njerëzit e zbatimit të ligjit. “Mbështesim plotësisht prokurorët dhe gjykatësit, të cilët ndjekin hetimet, dënimet, kudo që ato çojnë, në nivele të larta apo të mëposhtme të administratës. Nuk besojmë se individët duhet të shënjestrohen pse i takojnë një partie politike apo një tjetre, por parimi themelor është se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin”, tha Hoyt Brian Yee. Në të njëjtën kohë, ai ftoi qeverinë “Rama” të japë shembullin në këtë drejtim. “Së dyti, ne mbështesim qeverinë, që jep shembullin. Qeveria është ajo e cila duhet të japë shembullin dhe të demonstrojë para qytetarëve se është e përkushtuar të luftojë korrupsionin, qofshin ata qytetarë, zyrtarë qeveritarë, të huaj, shqiptarë…dhe se Shqipëria është serioze në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin”, nënvizoi zv/ndihmëssekretari amerikan i Shtetit.
Sigal