“Shashkat” e politikës për gjobat elektorale

450
Sigal

Nisma e qeverisë për faljen e gjobave, thjesht politike, s’ka lidhje me ekonominë

 Deklarata e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë për nismën sipas tyre të paplotë të faljes së gjobave përgjatë periudhës elektorale, pa vënien përpara përgjegjësisë të shkelësve të ligjit, gjen mbështetje edhe në specialistët e fushës. Kështu ish zv/ministri i Financave, z. Sherefedin Shehu shprehet në një prononcim për “Telegraf”, përveçse e gjykon këtë nismë të qeverisë aktuale thjesht si politike, pa asnjë lidhje me ekonominë, shton se “nëse gjobat janë të bazuara në ligj, atëherë ato duhet të paguhen, ndërsa padrejtësinë duhet ta vërtetojë vetë biznesi, në institucionet gjyqësore, por jo qeveria”. Gjithashtu, edhe eksperti i ekonomisë z. Zef Preçi tregon se, “askush nuk mund të thotë se këto gjoba janë të paligjshme, nëse nuk janë proceduar sipas ligjit d.m.th nëse biznesi ka apeluar, nëse e ka çuar çështjen në gjykatë, etj., d.m.th duhet të merren rast pas rasti”. Pra, mesa duket specialistët vijojnë arsyetimin në të njëjtën linjë dhe duke rënë dakord se, janë pikërisht sipërmarrësit ata që duhet të vërtetojnë nëse gjobat që u janë vënë janë apo jo të paligjshme, duke proceduar në institucionet përkatëse. Ndërsa Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë në deklaratën e tij, shkon pak më tej, duke i kërkuar Qeverisë Shqiptare se “nëse ka fakte konkrete mbi punonjës tatimorë që kanë vendosur gjoba në mënyrë abuzive ndaj bizneseve, duhet t’i bëjë ato publike pikërisht në pjesën e argumentimit se pse po miratohet ky projektligj”. Më poshtë vijojmë të plotë deklaratën e KVV-së, për të risjellë dhe një herë në vëmendjen e lexuesit se të tilla nisma politike “krijojnë premisa aspak pozitive të marrëdhënieve të biznesit me ligjin, me institucionet shtetërore dhe me partitë politike sidomos gjatë periudhave elektorale”.

KVV: Nisma për faljen e gjobave, e paplotë

Koalicioni u njoh nëpërmjet medias me nismën e Qeverisë Shqiptare për faljen e gjobave tatimore ndaj biznesit, si një premtim elektoral i bërë gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013. Koalicioni mori kontakt me Ministrinë përkatëse për të siguruar një kopje të plotë të projektligjit “Për faljen e dënimeve administrative në formën e gjobave, të vëna nga kontrollet dhe verifikimet tatimore të kryera për periudhën 1 Mars 2013 deri më datë 31 gusht 2013”, por arriti të siguronte vetëm informacionin që është publikuar në media si dhe informacionin për miratimin e këtij projektligji në mbledhjen e qeverisë gjatë kësaj jave për faljen e gjobave tatimore ndaj biznesit, si një premtim elektoral i bërë gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 23 qershorit 2013. Projekligji që i është bërë i ditur medias përmban vetëm 7 nene ku përcaktohet se “të gjithë personat juridikë e fizikë, të regjistruar si tatimpagues në administratën tatimore, përfitojnë faljen e dënimeve administrative në formën e gjobave të vendosura nga inspektorët tatimorë nëpërmjet kontrolleve apo verifikimeve tatimore të çfarëdo lloji, të kryera për periudhën nga data 1 Mars deri në datën 31 gusht 2013”. Gjatë monitorimit të fushatës zgjedhore në Zgjedhjet Parlamentare të 23 Qershorit 2013, Koalicioni në Raportet e tij të Ndërmjetme të Monitorimit evidentoi si shkelje këtë premtim të bërë nga opozita e atëhershme, si një premtim, i cili, në formën se si u formulua dhe u pasqyrua në media, ishte një premtim jo korrekt që binte ndesh me parimin e barazisë përpara ligjit.  Kuadri ligjor shqiptar e veçanërisht Kushtetuta, Kodi Penal dhe Kodi Zgjedhor parashikojnë ndalimin e të gjitha formave të presionit, abuzimit apo diskriminimit për arsye elektorale, bindje politike apo përkatësie partiake. Në lidhje me përmbajtjen e këtij projektligji, për aq sa u bë e mundur që të sigurojë informacion nga mediat, Koalicioni i tërheq vëmendjen Qeverisë Shqiptare për ta plotësuar më tej atë apo të ndërmarrë edhe hapa të tjerë, në funksion të nismës dhe argumentimit politik mbi të cilën po ndërmerret miratimi i këtij projektligji. Ç’është më e rëndësishme, kjo nismë duhet të jetë konform kuadrit ligjor ekzistues dhe të përçojë frymën e respektimit të plotë dhe të zbatimit pa ekuivok të ligjit ndaj të gjithë abuzuesve apo formave të presionit të shfaqura dhe të ndërmarra ndaj qytetarëve gjatë proceseve zgjedhore, në kundërshtim me të drejtën e tyre të pamohueshme për të zgjedhur, aderuar apo simpatizuar platformat apo partitë politike, kushdo qofshin ato. Projektligji i hartuar ngre pikëpyetje jo të vogla në përmbajtjen dhe zbatimin e tij, madje krijon premisa aspak pozitive të marrëdhënieve të biznesit me ligjin, me institucionet shtetërore dhe me partitë politike sidomos gjatë periudhave elektorale. Konkretisht, Koalicioni sjell në vëmendje të Qeverisë Shqiptare:

Së pari, nëse Qeveria Shqiptare apo maxhoranca ka fakte konkrete mbi punonjës tatimorë që kanë vendosur gjoba në mënyrë abuzive ndaj bizneseve, duhet t’i bëjë ato publike pikërisht në pjesën e argumentimit se pse po miratohet ky projektligj. Në vijim, ajo duhet të ndërmarrë hapat e duhur për t’i çuar këta punonjës së administratës shtetërore përpara organeve të drejtësisë. Në mungesë të fakteve ligjore, Qeveria i ka të gjitha tagrat për të faktuar këtë abuzivizëm të punonjësve tatimorë dhe duhet sa më parë ta shoqërojë miratimin e këtij projektligji me vënien para përgjegjësisë ligjore të çdo punonjësi apo drejtuesi që shkel ligjin, abuzon apo përdor autoritetin shtetëror për të bërë presion elektoral.

Së dyti, nëse kuadri ligjor është i tillë që krijon premisa apo lë shteg që punonjësit tatimorë të mund të vendosin gjoba në mënyrë abuzive, atëherë maxhoranca duhet së pari të marrë masa për përmirësimin e legjislacionit respektiv dhe në funksion të kësaj mangësie të ligjit të mund të ndërmarrë edhe faljen e gjobave ndaj biznesit, i cili në një rast të tillë duhet patur parasysh se ka qenë i ekspozuar ndaj këtij “ligji të padrejtë” që prej miratimit të tij dhe jo vetëm gjatë periudhës që mbulon ky projektligj.

Edhe në rastin kur nga apelimi i këtyre gjobave pranë hallkave përkatëse nga vetë subjektet e gjobitura, është evidentuar se ka mangësi në procedurat ligjore që sigurojnë të drejtën për një apelim të këtyre gjobave në mënyrë të drejtë dhe të efektshme, Qeveria duhet të adresojë pikërisht plotësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor respektiv, ose në të kundërt, vënien përpara përgjegjësisë të titullarëve që kanë bërë joefikas sistemin e apelimit të parashikuara në procedurat tatimore.

Së fundmi, Koalicioni ngre shqetësimin se ndërmarrja e kësaj nisme në mënyrë të paplotë, do të legjitimojë pandëshkueshmërinë dhe abuzivizmin për arsye elektorale ndaj biznesit edhe në të ardhmen. Në vetvete kjo nismë është e ngjashme me falje të mëparshme të cilat nuk zgjidhin në mënyrë të qëndrueshme sjelljen abuzive ndaj biznesit, por një qasje e tillë e Qeverisë kur bëhet fjalë për abuzim me motive politike dhe elektorale, për më tepër përgjatë periudhës zgjedhore, krijon një precedent mjaft negativ në marrëdhënien që duhet të ketë biznesi me institucionet shtetërore dhe ligjin.

Sherefedin Shehu: Qeveria s’duhet të bëjë falje politike

Pyetjes së “Telegraf” se, nëse është e drejtë falja e “gjobave elektorale” nga qeveria, ndërkohë që, nuk parashikohet asnjë masë ndëshkuese për ata që i kanë vënë, z. Shehu i përgjigjet: “Sipas meje qeveria duhet të falë borxhet e vjetra, ndërsa nuk ka arsye të bëjë falje taksash politike apo elektorale. Nëse bëhet fjalë për amnisti për biznesin, duhet të veprohet siç është operuar më parë të, cilën vetë biznesi nuk e përdori. Ndërsa duke u kthyer te pyetja juaj, më duhet t’ju them se natyrisht nëse gjobat janë të bazuara në ligj, atëherë ato duhet të paguhen, ndërsa padrejtësinë duhet ta vërtetojë vetë biznesi, në institucionet gjyqësore, por jo qeveria. Qeveria duhet të bëjë falje mbi bazën e politikave fiskale ekonomike dhe jo politike”.

Zef Preçi: Boll me “shashka” për “gjoba elektorale”

 “Duke ju falënderuar për pyetjen interesante, gjej me vend të saktësoj se vendosja e gjobave nga ana e administratës tatimore e doganore është një proces “normal” në vendin tonë dhe më shumë se me fushatën elektorale të radhës, lidhet me raportin ndërmjet sipërmarrjes dhe qeverisë. Për fat të keq, qeveritë shqiptare e kanë konsideruar dhe vazhdojnë ta konsiderojnë sipërmarrjen private si një “lopë” që duhet mjelë pa menduar për “ushqimin” që nevojitet për të shtuar prodhimin e qumështit” (d.m.th  të ardhurave dhe fitimeve nga veprimtaritë e biznesit). Ky është një mentalitet që vjen nga periudha socialiste dhe bashkë me të pleksen edhe trajtimet e bizneseve si “tonat” dhe të “atyre” duke nënkuptuar krahun politik të radhës përkatësisht në pushtet dhe në opozitë… Në këtë kuptim, mendoj se problemi lidhet më shumë me “dorën e zgjatur apo të drejtat e pakufizuara që i janë dhënë administratës tatimore dhe inspektorëve të tatime-taksave për të vendosur penalitete (gjoba), apo për të bërë vlerësime që në thelb mund të jenë fatale për sipërmarrje të veçanta, por edhe mund të ndikojnë negativisht për ekonominë në tërësi. Kjo situatë lidhet edhe me dobësitë e njohura të apelimit tatimor, korrupsionin galopant në gjykatat e vendit, etj.

Ndërsa për faljen e premtuar të gjobave nga ana e qeverisë aktuale, mendoj se janë një numër problemesh që nuk duhen harruar:

a) Periudha që bëhet fjalë është në mes të vitit dhe mendoj se kjo ndikon negativisht në të ardhurat tatimore në tërësi

b) Askush nuk mund të thotë se këto gjoba janë të paligjshme, nëse nuk janë proceduar sipas ligjit d.m.th nëse biznesi ka apeluar, nëse e ka çuar çështjen në gjykatë, etj., d.m.th duhet të merren rast pas rasti.

c) Në vendin tonë, edhe nën qeverinë aktuale, nuk është bërë një analizë e plotë e ndikimit të faljeve mbi jetën ekonomike të  bizneseve, mbi konkurrencën dhe mbi ekonominë kombëtare në tërësi. Personalisht, jam kundër faljeve të tjera të reja mbas amnistive të dështuara të PS dhe PD, (e para me detyrimet e sigurimeve shoqërore një dekadë më parë dhe e dyta përpara tre-katër viteve me detyrimet tatimore të papaguara nga sipërmarrjet private). Çdo masë tjetër e ngjashme do të ndikonte keq në performancën fiskale dhe do të nxiste mospagimin e taksave nga biznesi që respekton ligjin dhe përmbush detyrimet fiskale sipas tij.

d) Personalisht jam kundër edhe pse duhet të marrë fund periudha e revanshit që prodhojnë zgjedhjet, që sipërmarrjet duhen edukuar të respektojnë ligjet pavarësisht se kush është në pushtet, sepse mekanizma të tilla nxitin ndarjen politike të bizneseve dhe krijojnë terren për shkelje të konkurrencës apo përdorimin politik edhe nga vetë biznesi të fushatave elektorale edhe në të ardhmen…

e) Së fundi, përpara se të vazhdohet të hidhen “shashka elektorale” për “gjobat elektorale” mendoj se qeveria duhet të analizojë me kujdes përkeqësimin e performancës fiskale dhe shkaqet e kësaj situate, të ndërmarrë nisma ligjore që përmirësojnë klimën e biznesit dhe nxitin rritjen e konsumit prodhues dhe nga qytetarët, që nxitin punësimin dhe kreditimin e ekonomisë reale, që krijojnë një klimë të besimit reciprok midis qeverisë dhe komunitetit të biznesit. Këtë pret ekonomia kombëtare nga qeveria aktuale – ndërmarrja, pa humbur kohë me “shou”-n e radhës, e politikave publike në këtë fushë është më e nevojshme se kurrë”, shprehet specialisti  i ekonomisë z.Zef Preçi, pyetjes së “Telegraf” se nëse është e drejtë falja e “gjobave elektorale” nga qeveria, ndërkohë që nuk parashikohet asnjë masë ndëshkuese për ata që i kanë vënë.