Shano: Politika të bashkohet për zhvillimin e turizmit

120
Të dhënat e INSTAT mbi faktin se 500 mijë shqiptarë kanë pushuar jashtë vendit për këtë sezon turistik, për ekonomistin Dritan Shano, janë alarmante. Në një intervistë për “Ora News”, ai thotë se në vendin tonë për sa i takon turizmit çalojnë ato aspekte që janë në dorën njerëzore. “Të dhënat e INSTAT nuk do t’i besoja edhe sikur të isha Drejtor i INSTAT vetë. Por kjo është një shifër që tregon se shqiptarët gjejnë me vend të shkojnë të rigjenerojnë trupin dhe mendjen e tyre jashtë Shqipërisë dhe jo në Shqipëri. Është një kambanë alarmi për ata që merren me politika për turizmin dhe për zhvillimin e infrastrukturës jo vetëm rrugore por edhe energjetike dhe digjitale, por edhe sektorë të tjerë që mbështesin turizmin si bujqësia që t’i vënë gishtin kokës dhe të thonë: Pse duhet të ikin kaq shumë para jashtë këtij vendi në një kohë që ne Perëndia na ka pajisur mirë me det, mal, kodra”, tha Shano. Sipas tij, është pjesa që i duhet të bëjë njeriut që nuk shkon dhe që detyron paratë e shqiptarëve që krijohen me mund dhe djersë të emigrojnë dhe ato në vende që punët i kanë më mirë sesa ne sigurisht. Shano mohon që këto shifra të larta të jenë tregues i mirëqenies së shqiptarëve. “Nuk besoj se është e tillë. Shifrat e rritjes rishikohen me ulje rregullisht. Kjo tregon që individi shqiptar që ka filluar t’i japë peshën që i takon pushimeve, gjykon që këtë gjë e arrin më mirë diku tjetër sesa në Shqipëri”, tha Shano. Sipas tij, turizmi nuk është një hartim i bukur, është një sektor fundor. “Duhet të kesh infrastrukturë rrugore perfekt, infrastrukturë energjike, furnizim me ujë, zjarre që fiken dhe jo që digjen pafundësisht, sisteme të ujërave të zeza që funksionojnë dhe jo që derdhen në det në kohën e pikut. Të gjitha këto së bashku me rritjen e produktivitetit të sektorëve si bujqësia dhe sidomos të kualitetit dhe standardeve evropiane të shërbimeve në turizëm mund të çojnë tek turizmi i cili është një terminal fundor ku grumbullohen të gjitha këto dhe vetëm atëherë ai kontribuon në përparimin e këtij vendi dhe sjell pasuri në këtë vend”, tha Shano. Ai shtoi se duhen vendosur një palë prioritete që janë shqiptare, kombëtare, nuk janë politike, nuk janë të PS apo PD. “Në afatgjatë është Shqipëria ajo që mbetet, nuk mbetet as PD, as PS apo ndonjë forcë tjetër politike. Këtë duhet ta kuptojmë dhe të ulemi në një tavolinë dhe të flasim: Ore zotëri, pavarësisht se çfarë na volitet ne për të arritur pushtetin kush është e mira jonë, dhe t’i vëmë pikat mbi ‘i’ se kush është e mira jonë. Ne këtë me dashje nuk po e bëjmë”, u shpreh Shano.