Shaban Memia: Qejfmbeturit t’i rikthehen fushatës, 25 qershori do flasë për gabimet ose jo të Bashës

679
Alma Çuka
“Që nga viti 2008 demokracia në vend është në rrezik. Zgjedhjet janë në krizë dhe e gjithë kjo e ka një zanafillë. Deputetet nuk përfaqësojnë popullin por kryetarin e partisë. Që këtu themi, se politika ka dështuar”
Ish-zyrtari i lartë në qeverisjen e Partisë Demokratike, drejtuar nga lideri historik i saj Sali Berisha, Shaban Memia, i rikthehet politikës, por me një tjetër dimension. Që prej vitit 2012, kur edhe dha dorëheqjen si drejtor i Aluiznit, Memia nuk ishte shfaqur në publik. Ka pasur shumë akuza kundër tij për mënyrën se si e drejtor zyrën e Aluiznit. Është konsideruar si njeriu që ka qëndruar në krye të çdo proteste që organizonte Partia demokratike. Madje ndaj tij u ngritën edhe disa akuza që më pas u pushuan nga Prokuroria. Sot që ndodhemi në kulmin e fushatës elektorale, Memia i është rikthyer asaj. Nuk e tradhton partinë e tij të zemrës. Në një intervistë për gazetën “Telegraf” Shaban Memia, pranon të flasë për politikën aktuale, qeverisjen e kryeministrit Rama në katër vite, mënyrën se si po bëhen, sipas tij, të ashtuquajturat legalizime, lëvizjen e Partisë demokratike për t’u futur në çadër. Memia nuk e beson në mënyrë kategorike që PD do të bëjë bashkëqeverisje me PS pas 25 qershorit. Nuk ka dëshirë të flasë për emra konkretë. Ndërsa për të përjashtuarit nga lista e kandidatëve ka një mesazh. Edi Rama, për Shaban Meminë, është e keqja e këtij vendi. Ndërkohë zgjedhjen e Ilir Metës në krye të shtetit e konsideron një veprim të drejtë dhe të realizuar sipas normave kushtetuese. 
Keni një kohë të gjatë i shkëputur nga jeta politike. Ku ndodhet sot Shaban Memia?
Meqë jemi në kulmin e fushatës elektorale, së pari do t’i uroja fitore Partisë Demokratike, suksese gjithë demokratëve që janë angazhuar në këtë fushatë duke pasur përballë një nga qeveritë më të zeza që ka pasur në historinë e këtij vendi dhe njëkohësisht në një periudhë kur Shqipëria, demokracia, pluralizmi janë në një situatë jo pak problematike! Së dyti, do thosha që problemet individuale, personale, nuk kanë peshë dhe nuk duhet të orientohemi drejt tyre, ne duhet të merremi dhe t’i përkushtohemi analizave dhe, njëkohësisht taktikave strategjike për të zgjidhur problemet që kanë të bëjnë me nivelin global për Shqipërinë dhe pjesët parësore të saj. Unë praktikisht e shoh që pluralizmi dhe demokracia në Shqipëri janë venitur, për faktin që partitë politike në Shqipëri nuk janë alternativa, janë transformuar në çeta dhe në funksion të interesave të ngushta të familjarëve të drejtuesve të tyre, kryetarëve qoftë edhe të oligopoleve të ndryshme që konsiderohen dhe përmenden sot. Pse është krizë për mua? Kjo krizë për mua është krizë e sistemit. Kriza e ka origjinën në marrëveshjen politike të vitit 2008 midis Berishës dhe Ramës, që kanë bërë ndryshimet kushtetuese dhe kanë ndryshuar sistemin zgjedhor. Nga kjo humbi Shqipëria, demokracia. Sepse kjo marrëveshje ka dëmtuar modelin dhe sistemin politik në thelbin e saj, që është vota e lirë, përfaqësimi dhe përgjegjshmëria ndaj votuesit. Praktikisht përfaqësuesit në parlament nuk janë përfaqësuesit real dhe nuk kanë asnjë lloj përgjegjësie ndaj votuesit. Ata janë përfaqësues të një kryetari partie dhe kanë përgjegjësi vetëm ndaj tij dhe kjo e ka futur sistemin në krizë ,e cila ka ardhur duke u thelluar. Nga ana tjetër, meqë jemi në fushatë elektorale, dua t’i drejtohem Partisë Demokratike, me qëllim që ajo, për të qenë e suksesshme duhet t’i drejtohet individëve, personaliteteve me lidhje dhe me ndikim në komunitet. 

Që do të thotë?
Të shkohet sipas metodologjisë së Rusveltit “Bisedë pranë oxhakut”. Unë, pavarësisht nga problemet që ka Shqipëria; trafiqeve, blerjeve shitjeve, vazhdoj t’u besoj raporteve dhe marrëdhënieve me qytetarët. Ai që të jep votën, të ka dhënë shpirtin, hallin problemin etj. Por në fund të fundit, ajo është marrëveshje. Një nga nobelistët e mëdhenj ka thënë se, “Nëse do të merresh me politikë shpenzo sa më shumë kohë më njerëzit në autobus, sesa me Platonin në bibliotekë. Sepse demokracia mbështetet tek vota e lirë dhe ngrihet mbi bazën e saj!” . 

Si e sheh sot Shaban Memia Partinë Demokratike nën drejtimin e Lulzim Bashës e jo të Sali Berishës? 
Ka një kod, i vjetër sa njeriu, që do të thotë, se kur je në betejë ulen armët brenda dhe drejtohen drejt kundërshtarit. Pas 25 qershorit për gjithë çfarë shqetësimi, mosfunksionimi dhe veprimeve apo mosveprimeve në funksion dhe objektiv të ideve dhe alternativës, parimeve, principit mbi të cilat është ndërtuar kjo parti, nuk pengon askënd për të filluar lëvizjet e tij. Kështu që në këto rrethana Partia Demokratike ka nevojë për këdo dhe kontributi i secilit është i çmuar. Dhe nuk duhet neglizhuar në këtë moment! Individi, në rastin konkret, nuk ka shumë rëndësi, por ka një problem, që është prezent për të gjithë ne:”Çfarë janë partitë në thelbin e tyre?” dhe ne dimë se kanë dy tipare themelore. Së pari, grupohen individët me lidhje ideore të përbashkëta dhe së dyti, prania dhe pranimi i rregullave statutore. Këto janë dy komponentët që e bëjnë funksionale partinë. 

Mendon se janë prishur rregullat statutore dhe kanë ndikuar këto në një çarje brenda partisë Demokratike? 
Në politikën e konkurrimit Partia Demokratike duhet t’i shohë nëse ka, me qëllim që t’i përmirësojë dhe të japë tek qytetarët mesazhin e këtyre parimeve universale në demokraci dhe pluralizëm. Po kështu do të thosha, se e djathta ka moralin dhe individin me personalitetin e tij në qendër dhe moralin duhet të përpiqet ta transmetojë si mesazh tek qytetarët, se është parti që ekziston në mënyrë të plotë dhe me gjithë pushtetin e saj. Morali është kur, për të njëjtin problem nuk mund të mbash dy qëndrime ose me dy standarde, pra që do të thotë se, kur thërret Hasani qenka ok, kur theret hasani tjetër qenka me probleme. 

Pra kjo do të thotë se nga lista nuk duhej të hiqeshin vetëm emrat që tashmë i dimë por edhe Sali Berisha e të tjerë?
Partia dhe grupimi politik është numër i madh individësh, padyshim me rregulla statutore dhe forume, por duhet pasur parasysh një gjë për mua, që konkurrenca politike, zgjedhjet dhe politika në tërësi është shkencë. Në të gjitha vendet perëndimore energjitë më të mëdha në konkurrencë i shpenzojnë për të dëshmuar para qytetarëve qenien e identitetit. Identiteti ka hipnozën e një numri të madh votuesish, të cilët besojnë tek vlerat për të cilat ti je krijuar dhe identiteti lidhet me individë të caktuar. Pa identitet, pastaj je amorf.

Si erdhi tek ju lëvizja e Bashës për të qëndruar në çadër tre muaj e, në fund, e gjithë kjo prodhoi një marrëveshje mes të dyve? 
Unë kam kundërshtar Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Por pas datës 26 qershor nuk më pengon askush, as mua dhe as qindra mijëra të tjerë, që janë njerëz të mobilizuar në këtë front dhe njëkohësisht kanë milituar që nga viti 1991 deri sot, për të analizuar të gjitha veprimet dhe mosveprimet. Por ka një gjë, që në politikë të gjitha veprimet dhe mosveprimet shikohen dhe analizohen në funksion të kapitalizmit të votës, nëse kjo të rrit numrin e votave apo të zvogëlon numrin e votave. Unë sot nga mëngjesi deri në darkë përpiqem me të gjitha format për të transmetuar tek qytetarët bindjen, se Partia Demokratike dhe platforma e saj është më e mirë se partia Socialiste. 

Lëvizja Socialiste për Integrim është një tjetër forcë, e cila synon në këto zgjedhje të jetë forcë e parë. Si e sheh Memia këtë forcë? 
Deklaratat e këtij lloji janë shprehje e klimës që ka gjithë sistemi politik dhe modeli politik. Në konkurrencën politike ka dy komponentë, që janë retorika dhe programi. Ajo është në të drejtën e saj dhe unë ia njoh këtë. Ajo është në konkurrencë dhe le ta vazhdojë atë. Unë për vete jam në një betejë për të bindur sa më shumë njerëz që, për fatin e keq, janë tepër të zhgënjyer. Bota perëndimore është atje ku është sot, sepse ka shpallur të shenjta dy institucione, konkurrencën dhe eksperiencën njëkohësisht dhe kjo bëhet sipas rregullave, kritereve standardeve dhe normave. Të gjitha të tjerat jashtë kësaj procedure janë detyrime arbitrare. 

Ilir Meta President, si e sheh?
Ai është zgjedhur në rrugë kushtetuese ligjore dhe korrekte. 

Ke qenë larg politikës së ditës në katër vite të qeverisjes së Edi Ramës. Si e ke parë në krye të drejtimit të vendit?
Unë nuk do ta dëshiroja, jo në raportin individual, por në raport me alternativën. Shqipëria në të gjitha këndvështrimet e saj ka bërë hapa mbrapa gjatë katër viteve të qeverisë së Rilindjes; qoftë në aspektin politik, ekonomik, institucional, shtetit ligjor etj. Unë po të them një gjë. Së pari, Shqipëria ka paguar dhe vazhdon të paguajë një lloj arrogance individuale dhe pushteti absolut. Edi Rama kriminalizoi votimin politik në funksion të pushtetit individual dhe kjo është një e vërtetë absolute. Së dyti, Edi Rama ka blerë një numër x deputetësh për të fuqizuar pushtetin e tij individual që nuk është normale. Së treti, ka një 12 a 13 ligje që Gjykata Kushtetuese i ka rrëzuar, por që ndryshimet në ligj janë bërë për të rritur pushtetin e tij individual. Të gjitha këto janë shprehje e një arrogance të caktuar, por është vendi që paguan. Nuk është fuqia e individit dhe arroganca ajo që i shërbejnë vendit, por janë idetë alternativat, reformat, ndryshimet transformimet sipas standardeve dhe normave. 

Zoti Shaban, ju keni qenë drejtor i Aluiznit dhe emri juaj është përmendur jo pak nga kryeministri aktual, si njeriu që nuk bëtë shumë për legalizimet apo që keni legalizuar atë pjesë që ju ka interesuar. Si e shihni sot?
Problemi i pronësisë në Shqipëri ka deformime. Procesi i formalizimit të ndërtimeve është një pjesë. Këtu nuk është çështja, se është sistemuar e drejta e pronësisë, prandaj mund të marrësh në dorë dhe ta zgjidhësh këtë lehtë. Unë kam pasur dhe kam pikëpamjet e mia për këtë dhe kam jo pak, por për hir të së vërtetës, ajo çfarë është bërë nga institucioni që drejtoja, ka vendosur baza korrekte në fushën e të drejtës së pronësisë. Sot ka një problem. Ajo çfarë ndodh në këtë proces konsiston vetëm në shpërndarjen e dokumenteve fiktivë ose virtualë, pa zgjidhur problemin esencial, që është e drejta e pronësisë ose kalimi i pronësisë. Kjo, jo vetëm që nuk kontribuon në stabilizimin e të drejtës së pronësisë, por e komplikon më shumë. Për fatin e keq, e drejta e pronësisë nuk zgjidhet pa një marrëveshje të madhe politike dhe është kusht, në pikëpamjen time, që të zgjidhet me një marrëveshje të madhe politike që të ndahet nga epoka e kësaj situate që kemi sot. Po të shkojmë sot në sistemin e regjistrimit e marrin 100 kartela pronësie të një zone që thuhet se është në sistem, sa prej tyre konvertohen në certifikatë për të hyrë në treg? Një numër i pallogaritshëm. Pjesa dërrmuese janë jashtë sistemit sepse nuk plotësojnë rekordet ligjore dhe teknike për të hyrë në treg, ky është problemi. Me atë reformë janë bërë hapa shumë të rëndësishëm e të sigurt. Nuk ka nevojë për më shumë, sepse jemi në fushatë tani. Por dua të them një gjë, se rotacioni është i fshehtë dhe në 2013 kishte rotacion. Të gjithë ata që kanë filluar që nga 1990 rotacionin e kanë pasur pjesë të idealeve të tyre. Dhe do të thosha se Partia Demokratike në 2013 nuk mbylli një epokë me një palë njerëzish, por mbylli një epokë me mënyrën e të bërit politikë. Dhe në këtë këndvështrim një numër individësh, jo të paktë, qoftë nga e majta apo edhe nga e djathta, duke mos pasur rekorde për të konkurruar me vlera kanë marrë forcë që të ngjyejnë me bojë poshtë e përpjetë dhe kjo është e papranueshme. Ka dy lloj përgjegjësish, politike dhe penale. Ato politike i japin kosto partisë dhe vendit, kurse penalet janë individuale e nuk sjellin kosto për grupimin politik. Por individët që nuk konkurrojnë me rekordet e kontributeve, vlerave etj, intrigojnë natë e ditë. Ky fenomen është prezent tek të gjitha partitë. Çfarë e pengonte Partinë Demokratike që të merrte 20-50 ose 100 zyrtarë të saj që mendon se janë të kriminalizuar e t’i çonte për ndjekje penale. Asgjë në botë! 

Pse s’e bëri?
Duhen pyetur ata pse nuk e kanë bërë. Unë po flas në parim, sepse nuk lyhet me bojë demokracia. Ajo është ligj dhe institucion. Dhe pjesa tjetër pastaj vjen në formë. Kështu që të gjitha këto i përkasin një pjesë të retorikës. Unë, për hir të së vërtetës, nuk jam shprehur. E ndjek dhe monitoroj deri në detaje dhe, normal që një ditë do të merrem jo pak me këtë në mënyrë publike dhe për t’i shpjeguar qytetarëve shqiptarë, çfarë ka ndodhur, çfarë po ndodh dhe si mund të zgjidhet. 

A beson tek reforma në drejtësi?
Demokracia është proces dhe kjo është pjesë përbërëse e saj. Ndryshimi, transformimi në një vend realizohet përmes reformave. Ky është një proces reformues, të cilin e mbështes, e vlerësoj me të mirat dhe me të këqijat. Por kërkohet vullnet i të gjitha anëve, i të gjitha palëve. Për fatin e keq më rezulton se nuk janë të bashkuar për të realizuar deri në fund këtë reformë.

Jozefina Topalli dhe Arben Imami, pas përjashtimit nga lista e kandidatëve për deputet ,kërkuan largimin e Bashës. Si e konsideroni këtë në këto momente?
Unë kam punë me Edi Ramin dhe Partinë Socialiste dhe në mënyrë kategorike iu bëj thirrje gjithë personaliteteve gjithë individëve me lidhje dhe me ndikim në komunitet që deri më datë 26 qershor të përpiqen të bindin sa më shumë shqiptarë të votojnë për Partinë Demokratike. 

Ju vet si e realizoni këtë përpjekje dhe cili është kontributi juaj për Partinë Demokratike?
Unë kam një kapital politik me lidhjet e mia dhe përpiqem ta transmetoj këtë tek të gjithë njerëzit, duke u përpjekur të kontaktoj, të bisedoj. Unë lëviz shumë dhe njëkohësisht jam përpjekur që gjatë gjithë kohës që problemet, të cilat kanë të bëjnë me individët apo me pakënaqësitë e tyre t’i amortizoj deri pas zgjedhjeve. 

Sepse,për pikëpamjen time kjo nuk është, se nuk ecin gjërat mirë, sepse unë nuk merrem me një gjë konkrete apo sepse filani nuk është në filan listë. Për mua gjërat nuk ecin mirë, sepse në thelbin e asaj që quhet modeli demokratik ka probleme. Nuk mund të anashkalohet fakti që sot forcat politike ,problemet e demokracisë së brendshme i kanë në një situatë, për mos me thënë inekzistence, katastrofike. Kusht esencial në një sistem pluralist është që partitë të kenë rregulla, norma, standarde. Sepse si anëtarësohet individi në një parti, duke i thënë që në këtë forcë politike ke këto shanse me këto rregulla, ke garanci dhe së dyti kjo është alternativa. Pastaj kjo pjesë beson në mënyrë të verbër tek kjo forcë dhe nga mëngjesi deri në darkë përpiqet në mënyrë vullnetare të flasë për të krijuar mbështetje sa më të madhe për programin e tyre. 

E ka Shabani synim rikthimin edhe një herë në politikë? 
Demokracia në Shqipëri ka qenë e suksesshme për aq kohë sa strukturat e partive janë dominuar nga individë që nuk kanë pyetur, se ku do jem nesër, por të bëjnë diçka. Nga momenti kur strukturat drejtohen nga njerëz që qëndrojnë atje dhe duan të dinë se ku janë nesër, atëherë gjithçka ka mbaruar. 

Si e sheh 25 qershorin?
E shoh si ditë të shenjtë. Është dita e qytetarëve, por që vota, institucioni i saj dhe mekanizmat, për fatin e keq, kanë probleme. Sepse qytetarët shqiptarë në këto zgjedhje si dhe në zgjedhje të tjera nuk përcaktojnë përfaqësuesit e tyre dhe ata të kenë detyrim ndaj marrëveshjes, kontratës që bëjnë. Edhe në këto zgjedhje qytetarët do të votojnë për përfaqësuesit e kryetarëve të partive. Dhe ky është thelbi i krizës. Kjo, për fatin e keq, nuk ka përgjegjshmëri dhe llogaridhënie. Në demokraci dhe pluralizëm një forcë politike që qeveris e merr pushtetin ose kërkon pushtetin garanton edhe që do bëjë zgjidhje ligjore. Në qoftë se ndërton zgjidhje që i shërben një minorance kjo pastaj …

Shumë analistë, pse jo dhe politikanë, janë shprehur se pas 25 qershorit PS dhe PD do bashkëqeverisin. Ju si e mendoni?
Absolutisht që jam informuar. Ndoshta dhe nga zyrat e partisë sime mund të ketë misionarë që e shpërndajnë këtë gjë që është fatale dhe problemi i bashkëqeverisjes është një problem që vetëm vizion dhe aksiomë nuk mund të përfaqësojë. Sepse demokracia funksionon me pozitë dhe opozitë. Unë nuk e pranoj që demokracia është pazar, marrëveshje, lojë numrash etj. Unë besoj se ajo është parim, virtyt, vlerë normë rregull, alternativë dhe vizion. Në fushatë funksionojnë dy komponentë. Është struktura me eficencën e saj dhe makina elektorale që është pjesë përbërëse e saj, ku përfshihen një numër më i madh individësh, sesa ata që janë në strukturë. Dhe gjithë kësaj makine elektorale dhe strukturës e simpatizantëve, iu kërkoj që deri në momentin e heshtjes elektorale, të treten për të bindur shqiptarët që alternativa e së djathtës, është më e mirë për ta dhe për vendin e tyre. Po kështu, u bëj thirrje dhe personaliteteve me lidhje dhe ndikim në komunitet që janë çelësi i artë i një force politike, të kalojnë mbi interesat e çastit dhe ato personale e të shohin interesin e Shqipërisë. Të shkojnë sipas parimit të Helmut Kohlit, i cili thoshte se “Për një votë shkoj deri në Lajpcig me biçikletë.” 

Kryeministri Rama në këtë fushatë kërkon të sigurojë 71 mandate duke pretenduar të qeverisë i vetëm. Si e shihni rezultatin?
Edi Rama është i shquar për pretendimet e tij për pushtet absolut që sjell dhe arrogancë. Demokracia ka rregulla. Ai ka një objektiv të caktuar, kurse unë përpiqem nga mëngjesi deri në darkë për të transmetuar mesazhin, me qëllim që të mos i realizohet ai objektiv. 
Sigal