Sfida kryesore për Shqipërinë, sistemi i drejtësisë

455
Sigal

Flasin për gazetën “Telegraf” av. Spartak Ngjela dhe av. Ndue Pjetra

Lidhur me deklaratat që ish-ambasadori amerikan në Shqipëri bëri gjatë intervistës së dhënë për VOA-n për gjendjen aktuale politike dhe korrupsionin në drejtësi, si një nga pikat kyçe për marrjen e statusit në BE, janë shprehur për gazetën “Telegraf”, kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, av. Spartak Ngjela dhe av. Ndue Pjetra.

 1- Ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, z. John Withers, në një intervistë të dhënë për VOA-n, megjithëse shprehet optimist në lidhje me shanset që ka Shqipëria për marrjen e statusit në qershor, shprehu disa rezerva që ende vlerësohen si pengesa. Konkretisht ai vuri theksin tek korrupsioni. Mendoni se, Shqipëria gjatë kësaj periudhe do të shënoj hapa të dukshëm në këtë drejtim?

2- Sipas mendimit tuaj, kush janë fushat kryesore ku shfaqet korrupsioni? Po shkaktarë e këtij fenomeni? A mund të shënohen në këtë periudhë që ka mbetur suksese në këtë drejtim?

3- Z. Withers bëri dhe kritika të tjera për qeverisjen e shkuar dhe atë të aktuale. Si i gjykoni ju këto kritika dhe çfarë mendoni se duhet përmirësuar në këtë drejtim?

Pyetja 1

Kryeministri duhet ta mendoj këtë çështje politikisht, ky është një koment moral në një krah për korrupsionin në drejtësi dhe korrupsionin në përgjithësi. Ka një korrupsion të përgjithshëm pa ka dhe një korrupsion në drejtësi, nuk është korrupsioni në drejtësi që ka krijuar korrupsionin e përgjithshëm, por e anasjella. Ka një mentalitet korruptimi, i cili reflekton dhe në drejtësi. Zyrtarë amerikan flasin se kanë prova, por ne duhet të bëjmë ç’është e mundur që të hyjmë në BE. Reforma në drejtësi është jetike. Nuk është çështja tek gjyqtarët, është çështja tek sistemi, se nëse do të ishte ky sistem në rregull, gjyqtarët nuk do të korruptoheshin dot. Por që të kesh sistemin në rregull, duhet doktrinë përkatëse, për një reformë radikale. Në drejtësi, si sistem ka nevojë për gjyqtar të mëdhenj, por ka nevojë dhe për institucione të mëdha në funksion të drejtësisë. Nuk është vetëm gjykata që jep drejtësi, çdo institucion duhet të japë drejtësi për ankesat e qytetarëve, për shkeljet që i bëhen shoqërisë. Një sistem gjyqësor me personalitet, vë në rresht dhe sistemon gjithë institucionet, si dhe eliminon korrupsionin në rrafsh administrativ. Perëndimorët që e dinë këtë sekret tonin, thonë rregulloni pushtetin gjyqësor se gjithë të tjerat rregullohen pa pasur nevojë që të krijosh aksese. Pra pyetja ngrihet, si do ta kemi raportin me drejtësinë në Shqipëri, me drejtësinë shoqërore, me shkeljet, me gjithçka që ka të bëj me konfliktet që janë në gjirin e shoqërisë? Z. Ëithers, i cili vjen nga politika amerikane, i paralajmëron politikanët Shqiptar, dike i thënë bëni reformën në drejtësi, reformën institucionale, jepni shembuj për luftën kundër korrupsionit, në mënyrë që të mos kenë frikë europianët se fondet që do sjellin në Shqipëri, për të ngritur nivelin e ekonomisë shqiptare, sistemin administrativ etj, nuk do të shkojnë në xhepat e pushtetarëve. Ky është një ekuacion shumë i thjeshtë. Ashtu sikurse tha Komisioneri, Stefan Fyle, ne nuk mund të hedhim lekët në erë, boll ju kemi dhënë para që kanë shkuar në xhepat e pushtetarëve. Kjo është esenca, po të kesh pushtet gjyqësor të konsoliduar, me personalitet, të paguar mirë, niveli i korrupsionit do të jetë normal si në të gjithë Europën e zhvilluar.

Pyetja 2

Si traditë e qeverisjes që është përmbysur është klientelizmi. Pushtetarët mbajnë klientë, klientët nuk janë më korruptues, kanë të bëjnë me krimin, janë segmente kriminale, të cilat në momentet që duan pastërtinë e rrugës së tyre të abuzimit me paratë që vjedhin nga qeveria, korruptojnë pushtetin gjyqësor. Segmentet kriminale janë në treg nëpërmjet segmenteve politike, pra që përkrahen nga segmentet politike, mbasi abuzojnë dhe pasurohen në mënyrë të paligjshme, me evazion fiskal, me koncesione, me dogana etj, vijnë pastaj me këto para, për të garantuar veten e tyre dhe korruptojnë sistemin gjyqësor. Kështu krijohet një raport kriminal, në kuptimin abuziv të fjalës, i cili paralizon të gjithë shoqërinë me zhvillimin e tij. Këtë gjë europianët nuk e pranojnë. Ky është një kusht, që ata kanë vënë për të na pranuar në Europë. Këtë ka thënë dhe Ëithers, si një personalitet shumë i lartë, një person me shumë vizion, dhe një nga ambasadorët amerikan që ka punuar shumë në ngritjen e nivelit të moralitetit në politikën shqiptare.

Pyetja 3

Ashtu sikurse ju thash dhe më sipër, pyetja bëhet, cili është personaliteti i qeverisë Rama që e ka krahë besueshmërinë e opinionit publik, që do të vendoset drejtësia në Shqipëri? Sikurse tha dhe Ëithers, për marrjen e pushtetit dhe ekzistencës së traditës për vendosjen në poste të njerëzve të afërm, ata e bëjnë këtë gjë dhe vazhdojnë rrugën ashtu sikurse e kanë gjetur. Kjo gjë rregullohet vetëm me pushtetin gjyqësor, me reformën në drejtësi, e cila është doktrinë, që duhet të paraqitet në parlament ta shohë i gjithë populli. Nëse nuk ndërmarrin këtë hap nuk do të pranohemi në Europë.

Avokat Ndue Pjetra

Pyetja 1

Nëse nuk do të kemi të dënuar gjyqtare, prokurore, politikane dhe qeveritare, Shqipëria nuk do ta ketë të lehtë të gëzoje statusin e vendit kandidat. Në kontekstin politik aktual, në të cilin akoma vihet re një mungesë e theksueshme konsensusi dhe dëshire që partitë politike të pozitës dhe opozitës të arrijnë në marrëveshje për reformat imediate që kërkon statusi kandidat i Shqipërisë, korrupsioni si faktor do të vazhdojë të mbetet hallka e fundit e zinxhirit që duhet zbërthyer, dhe në hapat e mëtejshëm eliminuar. Humbja e statusit kandidat në dhjetor, nxori në pah nga vendet anëtare të BE, pikërisht fenomenin e korrupsionit, mjaft të përhapur në të gjitha instancat institucionale. Vet Kancelarja Gjermane, Angela Mrkel, gjatë vizitës së fundit të Kryeministrit Rama, shprehu edhe njëherë përpjekjet që duhet të bëjë Shqipëria në luftën ndaj korrupsion. Për t’ju përgjigjur drejtpërsëdrejti pyetjes tuaj, mendoj se, përpjekjet e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin janë ende të vakëta dhe në këtë suaze. Vetë qeveria shqiptare duhet të ngrejë kuadrin e duhur institucional dhe të mos mjaftohet vetëm me shpërbjes e akteve normative të miratuar nga qeveria e mëparshme.

Pyetja 2.

Në vendet si Shqipëria, me demokraci relativisht të re, theksi vihet tek ruajtja e votës së qytetarit, i cili është mjeti me adekuat që ndikon në konsolidimin e proceseve të mëtejshme demokratike. Rastet e “shpërbjes” së votës së qytetarit janë ende të freska, reforma territoriale-administrative akoma nuk po gjen konsensusin e opozitës, nuk përjashtohet këtu edhe korrupsioni në drejtësi, pa mundur që efektet e tij te zbehen dhe sistemi i drejtësisë të marrë formën e ngjashme me vendet në zhvillim. Kur në sistemin e drejtësisë, gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar mbrohen nga elita politike, duke i cilësuar ata si pjesë e të majtës apo të djathtës, i ka shërbyer këtyre gjyqtareve si ombrelle edhe kundrejt shkeljeve procedurale dhe rasteve korruptive të shfaqura haptazi. Si mund të arsyetohet fakti se, vete Institucioni i Ministrisë së Drejtësisë ankohet për gjyqtarë të korruptuar dhe nuk ka fuqinë institucionale për të marrë masa ndëshkimore ndaj tyre. Pikërisht kjo është rrjedhojë e politizimit të vetë sistemit të drejtësisë, që më tej bëhet pengesë për mosndëshkimin e këtyre gjyqtareve dhe rritjen e nivelit të korrupsionit në nivele alarmante. Pavarësisht përpjekjeve të konsiderueshme për rritjen e pagave ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, përsëri ato mbeten në nivele të ulëta krahasuar me vendet e Bashkimit Europian, në të cilin duam të aderojmë. Janë pikërisht paga e ulëta që bëhen pengesë për marrjen e pagesave nëndorë, kundrejt favoreve të palëve në proces gjyqësor. Nëse do të vendosej një sistem vlerësimi i gjyqtareve dhe prokuroreve, rritja e pagës me 3000 euro dhe shkurtimi në masën 50 % të gjyqtarëve dhe prokurorëve do të kishim një sistem me adekuat, efecient dhe në dobi të qytetarit.

Pyetja 3

Përgjegjësia nuk bie vetëm mbi qeverinë aktuale, por detyrimisht edhe mbi qeverinë e djathtë të drejtuar nga z.Berisha për 8 vjet. Lufta ndaj korrupsionit në sistemin e drejtësisë, pavarësisht se u proklamua me të madhe nga Qeveria Berisha, në fund nuk arriti rezultatet e dëshiruara. Është e domosdoshme që, qeveria aktuale ta shohë me prioritet sistemin e drejtësisë dhe të përfshijë një grup të gjere aktorësh, përfshirë këtu edhe shoqërinë civile, për sjelljen e reformave sa jetike aq edhe të domosdoshme për integrimin e Shqipërisë në familjen Europiane. Theksoj se, sistemi i drejtësisë është themeli i demokracisë së një kombi.