Sesioni i OKB-së, ministri Bushati takime me homologë në Nju Jork

468
Bushati, gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork në kuadër të Sesionit të 70-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, zhvilloi takime me homologun e Arabisë Saudite, Koresë së Jugut, Kazakistanit dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik(OBI).
Në takimin me ministrin e Jashtëm saudit, Adel Al-Jubeir, dy zyrtarët shprehën vullnetin për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, duke u ndalur kryesisht në aspektin ekonomik. Palët vunë në dukje se plotësimi i kuadrit ligjor dhe intensifikimi i shkëmbimit të vizitave midis dy vendeve do të shërbente me tej në këtë drejtim.
Dy ministrat ndanë mendimin se vazhdimi i bashkëpunimit në kuadër të organizatave ndërkombëtare është me interes për të dy vendet. Ministri Bushati falënderoi homologun për mbështetjen e deritanishme dhënë ndaj Kosovës dhe inkurajoi që ajo të vijohet edhe me kërkesën e Kosovës për t’u pranuar në UNESCO. Gjithashtu, Ministri i Jashtëm shqiptar kërkoi mbështetjen e Arabisë Saudite për të lobuar në njohjen e mëtejshme të Kosovës nga vendet e Ligës Arabe, ku roli i Arabisë Saudite në këtë drejtim është tepër i rëndësishëm. Më tej, Ministrat shkëmbyen pikëpamje mbi situatën dhe zhvillimet në rajon e më gjerë. Ata ndanë mendimin se përballimi i kërcënimit që paraqet ISIL dhe terrorizmi për paqen e sigurinë në botë kërkojnë një koordinim sa më të mirë të përpjekjeve ndërkombëtare në luftën kundër tyre.
Sigal