Servet Pëllumbi:“Qeveria e kap lepurin me qerre”

474
Sigal

 Flet Servet Pëllumbi: Kam besim të plotë se gjendja do të ndryshojë

“Qeveria e kap lepurin me qerre”. Kështu u shpreh dje, ekskluzivisht, për gazetën “Telegraf”, Servet Pëllumbi, njëri prej politikanëve më të nderuar të vendit tonë, i cili gjatë periudhës aktive të tij, ka kryer shumë detyra e funksione nga më të lartat, në PS dhe në Parlamentin shqiptar, e më gjerë, duke marrë mbi vete respektin dhe mirënjohjen e të gjithë politikanëve me të cilët ka bashkëpunuar. Në këtë kontekst, Pëllumbi shprehu sigurinë e tij, se, “vullneti i qeverisë “Rama” nuk do të mungojë asnjëherë, në luftën kundër krimit, duke pasur shumë shpejt rezultate pozitive në këtë luftë.

Zoti Servet, a mendoni se “Qeveria Rama”, duhet ta ketë si prioritet çështjen e Rendit Publik?

Unë mendoj se këtë problem duhet ta ketë dhe e ka si prioritet, çdo qeveri që vjen në pushtet, në çdo kohë. Kështu, që nuk diskutohet fare fakti, që qeveria “Rama”, këtë problem duhet ta ketë në fokusin kryesor të vëzhgimit. Kjo për arsye, se pushteti i kaluar i Berishës, pra qeveria e tij, në ikje, ka lënë shumë gjëra të pabëra. Ne, të gjithë jemi dëshmitarë të faktit se si është gjendja aktuale, në Shqipëri. Ku përditë, ka ngjarje të pakëndshme që ndodhin para syve të qytetarëve tanë. Dhe ky problem është mavijosur kaq shumë, saqë është bërë i patolerueshëm. Dhe prandaj kjo situatë kërkon një ndërhyrje urgjente dhe efikase.

A mendoni që Ministria e Rendit do t’i gjejë njerëzit e duhur për të rivendosur qetësinë dhe rendin publik, në Shqipëri?

Unë mendoj se krimi është në rritje të vazhdueshme, kështu që duhet të rritet efikasiteti i luftës ndaj tij. Kështu që, qeveria duhet të bëjë shumë përpjekje për të gjetur njerëzit e duhur, ose ekipet e përshtatshme për të ndrequr situatën. Natyrisht, unë e di se ky problem nuk është aq i lehtë për t’u zgjidhur. Në radhë të parë kërkohen platforma dhe projekte afatgjatë dhe afatshkurtër, për goditjen e kriminalitetit në të gjitha mënyrat e shfaqjes së tij.

A mendoni se krimi i organizuar është sofistikuar së tepërmi dhe se ai kërkon një organizim total, të strukturave për ta përballuar atë?

Natyrisht, që shtimi i kriminalitetit ka sofistikuar metodat e organizimit të tij. Por strukturat tona përkatëse duhet t’i përgjigjen me forcë dhe me efikasitet të plotë. Por këtu dua të nënvizoj një shprehje të njohur popullore, e cila thotë, se, “Qeveria e kap lepurin me qerre”. Kështu, që nuk ka forcë, që të guxojë të përballet me qeverinë, kur segmentet e kësaj qeverie luftojnë për një qëllim të përbashkët dhe me mënyra të ndershme, e profesionale.

A mendoni se efikasiteti i qeverisë do të ketë që në fillim, rezultatet e pritura prej saj?

Padyshim që po. Unë mendoj se vullneti i kësaj qeverie nuk do të mungojë. Dhe ky vullnet do të reflektohet pa asnjë dyshim në shkallën më të lartë të saj. Dhe qysh në fillim rezultatet nuk do të vonojnë. Sepse çdo qeveri që punon me përkushtim do të korrë shumë shpejt frytet e punës së saj.

 ——————-

Sabit Brokaj: Një qeveri që e ka seriozisht luftën kundër krimit, padyshim do të ketë suksese

 Prioriteti kryesor i qeverisë së zgjedhur nga vota e 23 Qershorit, do të ketë si prioritetin numër 1, stabilitetin e rendit dhe sigurinë e jetës së qytetarëve shqiptarë. Kështu deklaroi dje, në një intervistë për gazetën “Telegraf”, ish- deputeti dhe ish- ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj, i cili nënvizoi se në këtë përpjekje, qeveria e re do të ketë suksese të garantuara.

A do të jetë Rendi Publik, njëri nga prioritetet e qeverisë Rama?

Padyshim, që po. Madje, ky duhet të jetë prioriteti kryesor. Asgjë tjetër nuk vlen para kësaj. Nëse do ta krahasonim punën e qeverisë me germat e një alfabeti, unë them se rendi publik dhe lufta kundër krimit është germa A. Pastaj vijnë me radhë pas saj të gjitha të tjerat.

Ju mendoni se ky problem do vihet nga qeveria në vendin që i takon?

Po. Çdo gjë që ka të bëjë me sigurinë e jetës së qytetarit është prioritare dhe e shenjtë.

A mendoni se Qeveria “Rama” do t’i gjejë njerëzit e duhur për këtë detyrë?

Në parim, po ju them se çdo qeveri kur e ka seriozisht luftën kundër krimit, i gjen të gjithë ata që i duhen. Shoqëria shqiptare sot ka me mijëra e mijëra njerëz të devotshëm e të ndershëm, profesionistë e të vendosur në zbatimin e detyrave të tyre. Dhe në këtë kontest, unë deklaroj me bindje se kjo qeveri, luftën kundër krimit, jo vetëm që e ka me gjithë seriozitetin e duhur, por e ka vendosur atë në plan të parë.

——-

Fatos Klosi: Njerëzit e aftë dhe profesionistë, Berisha i zëvendësoi me militantët

Këtu ka njerëz të përkushtuar, të përgatitur e të ndershëm, që plotësojnë të gjitha parametrat e kërkuara”. Këta njerëz i hoqi qeveria e Sali Berishës duke vendosur në vend ët tyre militantë dhe njerëz të korruptuar. Besoj, se tani ka ardhur momenti për t’i rikthyer ata në detyrat që u takojnë

Zoti Klosi, cila duhet të jetë vëmendja e qeverisë për stabilitetin e rendit publik?

Mendoj se prioriteti i rendit publik duhet të jetën plan të parë. Them se rendi publik së bashku me ekonominë duhet të kenë vëmendjen maksimale të kësaj qeverie. Në këtë rast, jo vetëm që duhet të jetë kështu, por në fakt, jam i sigurt se do të jetë kështu.

A do t’i gjejë dot PS-ja, njerëzit e duhur për të stabilizuar rendin?

Pa asnjë diskutim që do t’i gjejë. Këtu ka njerëz të përkushtuar, të përgatitur e të ndershëm, që plotësojnë të gjitha parametrat e kërkuara. Këta njerëz i hoqi qeveria e Sali Berishës, duke vendosur në vend të tyre militantë dhe njerëz të korruptuar. Besoj, se tani ka ardhur momenti për t’i rikthyer ata në detyrat që u takojnë.

A do të arrijë kjo qeveri rezultatet e pritshme në këtë fushë?

Po, besoj se  shumë shpejt, do të kemi rezultatet e para të sukseseve në këtë fushë. Dhe situata e rendit publik në Shqipëri do të ndryshojë katërcipërisht.