Servet Pëllumbi: Koha për një pluralizëm të dytë

566
25 vjet më parë, në dhjetorin e vitit 1990, kur studentët demonstronin te Qyteti Studenti, me të cilët u bashkuan mijëra qytetarë të Tiranës dhe qytetarëve të tjera të vendit, parullat kryesore ishin “Liri-demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, duke sintetizuar në to dëshira, emocione, shpresa, por dhe iluzione të ngjashme me ato që donin të përmbysnin… Mendohej se “çelësi magjik” që do të hapte “çdo portë”, ishte vendosja e pluralizmit politik, krijimi i një sistemi politik shumë partiak që barazohej me demokracitë perëndimore, me ekonominë e tregut që “sille bollëkun”, me mirëqenien e ëndërruar dhe mënyrën perëndimore të jetesës. Mbi të gjitha, mendohej se pluralizmi partiak i jepte fund shpejt e shpejt komunizmit, diktaturës, ekonomisë së komanduar, izolimit dhe i hapte rrugën e gjerë lirisë, paqes sociale, drejtësisë etj. Pas 25 vjetëve pluralizëm politik, pa injoruar ndryshimet e thella që kanë ndodhur dhe arritjet në fushën e hapje; ndaj botes, të demokracisë, të ndërrimit të qeverisjes përmes votës (herë të kontestuar seriozisht e here të pranuar me gjysmë zëri), të lirisë së fjalës dhe të shprehjes së saj, pa pasur frikën e ndëshkimit si dikur, mund të thuhet pa u ndruajtur se në tërësinë e vet pluralizmi politik në Shqipëri ka “prodhuar” shumë zhgënjime, sepse ka zëvendësuar disa ëndrra apo iluzione të vjetra, me ëndrra dhe iluzione të “reja” gati po aq të dëmshme për demokracinë dhe të menduarit demokratik. Mjerisht, informaliteti, mungesa e rregullave dhe e zhvillimit ekonomik nuk mund të mos shoqërohen edhe me mungesën e të drejtave sociale, gjë që “dyzon” politikat e majta dhe detyron të paguajë kosto sociale jo të pakta çdo qeverisje socialiste dhe lider të së majtës në Shqipëri. Për konkretizim, po u referohem disa treguesve konkretë të ditëve të sotme. Gjendja ekonomike vazhdon të jetë kritike dhe “bashkëjeton” me varfërinë; papunësia vazhdon të jetë e lartë sidomos ndërmjet të rinjve, për pasojë, si për ironi, dy të tretat e të rinjve shqiptarë duan të largohen nga vendi me pluralizëm politik të ligjëruar! Ndërkaq, eksodet e dikurshme po pasohen nga valë të azilkërkuesve, që sivjet janë katërfishuar dhe vijnë përsëri si refleks i standardit të ulët të jetesës dhe margjinalizimit social. Realisht, na kërcënon rivendosjen e vizave me vendet e Bashkimit Europian dhe bërja e politikave të brendshme dhe e reformave të qeverisë edhe më kundërshtuese. Në një përfundim të tillë arrin edhe një studim i Fondacionit “Fridrich Ebert”, në bashkëpunim me Universitetin e Mariborit në Slloveni, i publikuar në të përditshmen gjermane “Frankfurter Allgemanie Zeitung”. Sipas studimit, vendin e parë ndër të anketuarit nga 8 vende të Europës jugore e zinin shqiptarët si më të trishtuarit dhe më të përfshirët nga dëshira për të emigruar (66%) ose mbi 30 mijë azilkërkues vetëm në Gjermani për periudhën maj- korrik 2015. Një paralajmërim serioz për situatën e rëndë ekonomike në vend dhe për angazhimin e mangët të politikës për një rrugë alternative për korrigjimin e sistemit politik dhe ekonomik. Po kështu, sfida reale për Shqipërinë edhe pas 25 viteve pluralizëm politik dhe ekonomi tregu, vazhdojnë të jenë çështjet e pronësisë, të tregut të punës, të arsimit dhe të drejtësisë, që nuk i përkasin një partie të veçantë, por kërkojnë politika mbipartiake dhe konsensus kombëtar të të gjitha partive ose të paktën më kryesoreve prej tyre. Veçse tipi i pluralizmit që u vendos në Shqipëri 25 vjet më parë, nuk e mundëson një gjë të tillë, prandaj pa ngurrim mund ta quajmë pluralizëm të “tipit Katovica”, i mbështetur që në fillimet e tg në strategjinë që i hapi rrugën krijimit të shumë partive, por shoqëruar me kushtin që “Liderët” kryesore të ishin të “deleguar e të kontrolluar” dhe që partitë të silleshin si të kundërta që vetëm “shtyjnë e përjashtojnë” njëra-tjetrën…! Partitë e shumta që zëvendësuan monizmin e dikurshëm komunist, për pasojë, nuk arritën t’i bashkojnë qytetarët rreth një qëllimi dhe një modeli të përbashkët zhvillimi. Në vend të tyre ato ofruan interesat parciale, kaosin, hezitimin, korrupsionin, ngërçet politike, lodhjen nga liria dhe demokracia ende pa i vendosur e konsoliduar ato! Shqipëria mbase është i vetmi ndër vendet e “demokracisë së re” që vazhdon të ketë në shumicën e partive “elitën politike” të fillimeve të pluralizmit politik dhe të vuajë edhe sot nga ‘izmat”, nga “berishizmi” dhe “nanoizmi”. Autori – këtyre rreshtave kritikë, falë pozicionit aktiv politik si një nga drejtuesit kryesorë të Partisë Socialiste të Shqipërisë në pesë vitet e para (1991- 96) dhe me pas si deputetë! dhe kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, ka pasur rastin të njohë pazare, marrëveshje, pakte e prapaskena “pluraliste”, qe kanë pasuar njëra-tjetrën në vite e qe kane pasur për protagonistë Ramiz Aline, Fatos Nanon dhe Sali Berishën. Prapaskenat, në thelb, vazhdojnë të jenë po ato edhe pse janë shtuar protagonistë të “rinj” me lidhje të “vjetra”(!)… Qasje të tilla kanë qenë në kundërshtim me bindjet e qëndrimet e mia, sepse pluralizmin politik e kam përfytyruar ndryshe, si një lëvizje objektive të shoqërisë shqiptare drejt demokracisë dhe një modeli zhvillimi ekonomik e social më të mirë e modernizues. Pra, kam pasur te tjerë parametra e të tjera pasoja dhe përvoja. Për këto arsye, temën e të menduarit demokratik dhe të pluralizmit politik, e kam pasur edhe në fokusimin e interesave të mia studimore, prandaj here pas here i kam bërë publike mendimet e mia kritike, duke filluar nga Letra drejtuar R. Alisë në nëntor 1990, tek libri Pluralizmi politik – përvoje dhe sfida (2006) e deri te Përmbysja e komunizmi ”2025).
Nevoja për “Pluralizmin e dytë”
Libri “Pluralizmi i dytë” që po i ofroj lexuesit, nuk merr përsipër të bëjë historikun e 25 vjetëve pluralizëm, por përqendrohet tek sfidat dhe shanset e sotme që trajtohen teorikisht nëpërmjet eseve, analizave filozofike të politikës dhe intervistave të zgjedhura të dy viteve të fundit (2013-2015). Thëne ndryshe, në këtë botim bëhen përpjekje modeste për të argumentuar, se Shqipëria aktualisht gjendet para sfidës së një “pluralizmi të dytë”, i kuptuar si kërkesë për një reformim të thellë të sistemit politik, si ridimensionim i partive politike në rolin e tyre si “ndërmjetëse” midis pushtetit dhe popullit. Dhe le të shpresojmë që ky reformim i shoqëruar edhe me një sistem të ri zgjedhor (mundësisht maxhoritar ose i përzier, si ai me të cilin nisi pluralizmi në Shqipëri) që do t’i jepte fund votimit me “lista të mbyllura” dhe shkëputjes së tanishme të të zgjedhurve nga zgjedhësit e tyre, do të mund të zëvendësojë konfliktualitetin e tanishëm irracional, sherret e fyerjet “pa kompromis”, me bërjen e një politike të hapur, të civilizuar e pluraliste. Themelore për pluralizmin politik, sipas autorit nuk është përdorimi i lojës së partive për të marrë e mbajtur pushtetin shtetëror, qoftë dhe me zgjedhje plotësisht të lira, të drejta dhe të ndershme, por për të përfaqësuar njeriun e lirë dhe për të bërë për vete “mendjet e njerëzve”, duke ruajtur të gjithë pasurinë e zhvillimit pararendës. Një lëvizje e tillë kërkon “nerv” dhe një ritëm jo të zakonshëm. që si rregull ndjekin ndryshimet cilësore. Vetëm kështu mund të rilindë besimi te shqiptarët se, pluralizmi politik bashkon e nuk përçan dhe mund të njehsohet me demokracinë e vërtetë pluraliste, për të cilën Shqipëria ka aq shumë nevojë dhe interes. Një qasje e tillë përbën sfidën më të madhe të pluralizmit politik shqiptar, e cila kërkon; se pari, që sistemi politik vendimmarrës të jetë demokratik në të gjitha shkallët e tij; së dyti, që të ketë nivel të lartë profesional e shkencor; së treti, të jetë i kontrolluar nga lëvizjet demokratike qytetare që e veprojnë sipas logjikës së njohur: “Edhe njeriut më të ndershëm po i dhe pushtet të pakontrolluar, ai do të bëhet Tiran” (Shiller). Ndërkaq, përvoja Bashkëkohore tregon se vetëm duke zbatuar një paradigmë të tillë dhe jo teorinë e kaosit të drejtuar, bëhet i mundur përqendrimi i forcave dhe i energjive krijuese rreth disa objektivave madhore dhe vlerave të gjithëpranuara, apo standardeve demokratike të mirëfillta. Vetëm një sistem i tillë politik do të lejonte amortizimin e risqeve politike për t’u vëtëkorrigjuar e vetëreformuar, për t’u bërë më pak konfliktual e sidomos shumë më i aftë për harmonizimin e interesave diverse dhe krijimin e mjedisit bashkëpunues e njëherësh konkurrues edhe për grupe të rinj “lojtarësh politikë” të paformësuar si parti. Hapa të tillë të demokracisë direkte kërkojnë doemos zgjedhjen e Presidentit nga populli dhe një hapje reale të sistemit politik ndaj referendumeve popullore dhe meritokracisë. Për të arritur në një stad të tillë të demokracisë pluraliste, mbase shumë gjëra duhen rikonceptuar dhe shumë të tjera duhen nisur nga e para…
Në këtë rrafsh, në librin e ri Pluralizmi i dytë propozohen zgjidhje konkrete, mbështetet edhe teza e politologjisë perëndimore, sipas së cilës nuk do të jetë e largët dita kur partitë do të shndërrohen në një kapitull të mbyllur, për t’i lënë vendin individit dhe komuniteteve të individëve të lirë (nga dhe për), pra, lirisë që s’është thjesht liri politike dhe ekonomike, por mundësi për të nxjerrë në pah individualitetin e njeriut dhe që liria e një individi të jetë kusht për lirinë e të gjithëve. Përvoja 25- vjeçare në Shqipëri, por dhe në botë, përfshi dhe vendet me demokraci të zhvilluar, dëshmon se në çështjen e pluralizmit politik duhet “të kapërcehet ylberi”, duke krijuar të gjitha hapësirat e nevojshme, ligjore dhe morale, për të zëvendësuar demokracinë përfaqësuese, e cila realisht përfaqëson gjithnjë e më pak qytetarët e lirë me demokracinë e drejtpërdrejtë. Kuptohet, e ardhmja në këtë rast përmban plot të panjohura, gjë që e bën atë të vështirë për t’u kontrolluar, e megjithatë shumë aspekte të së ardhmes mund e duhet të parashikohen! Në këtë botim, pa pretenduar për ndonjë mendim shterues, apo për statusin e të vërtetës së “instancës së fundit”, sillen analiza partitologjike të përvojave të sotme të partive të majta dhe të djathta europiane, të sfidave dhe shanseve për zhvillim në epokën e globalizmit, duke u nisur nga parimi që diversitetin e sheh si vlerën më të madhe të mendimit dhe civilizimit bashkëkohor. Këtij qëllimi i përshtatet edhe metoda e ndjekur; Synimi i autorit ka qenë që disa ide me theks të ri të eseve dhe analizave filozofike të politikës, t’i bëjë instrumentale, pjesë të praktikës politike, duke komunikuar me lexuesit nëpërmjet intervistave, disa prej të cilave janë përzgjedhur duke u bërë pjesë e këtij botimi. Kjo kushtëzon si natyrën dhe qëllimin e librit “Pluralizmi i dytë”, ashtu dhe rreshtimin e pjesëve që e përbëjnë. Gjithsesi, mbetem i hapur për vërejtjet dhe sugjerimet e lexuesve.
Sfida e pluralizmit të dytë
Shqipëria aktualisht gjendet para sfidës së një “pluralizmi të dytë”, i kuptuar si kërkesë për një reformim të thellë të sistemit politik, si ridimensionim i partive politike në rolin e tyre si “ndërmjetëse” midis pushtetit dhe popullit. Dhe le të shpresojmë që ky reformim, i shoqëruar edhe me një sistem të ri zgjedhor (mundësisht maxhoritar ose i përzier, si ai me të cilin nisi pluralizmi në Shqipëri), do t’i jepte votimit me “lista të mbyllura” dhe shkëputjes së tanishme të të zgjedhurve nga zgjedhësit e tyre, do të mund të zëvendësonte konfliktualitetin e tanishëm iracional, sherret e fyerjet “pa kompromis”, me bërjen e një politike të hapur, të civilizuar e pluraliste… Hapa të tillë të demokracisë direkte kërkojnë doemos zgjedhjen e Presidentit nga populli dhe një hapje reale të sistemit politik ndaj referendumeve popullore dhe meritokracisë. Për të arritur në një stad të tillë të demokracisë pluraliste, mbase shumë gjëra duhen rikonceptuar dhe shumë të tjera duhen nisur nga e para… 
BOTIME
Ç’ është Feja (1962)
Formimi i filozofisë marksiste (1981)
Fjalori i Filozofisë (1974, 1983)
Nga Materializmi në Idealizëm (1987)
Dritëhije të tranzicionit (2000)
Të mendosh ndryshe (2001)
Gjurmime sociologjike (2002)
Sprova në sociologjinë politike (2002)
Edhe politika do moral (2005)
Pluralizmi politik-Përvojë dhe sfida (2006)
Bashkëbisedim për politikën (Libri i parë, 2007)
Demokracia dhe zëri i moralit (2008)
Globalistika-refleksione për një epokë (2009)
Filozofia e aktualitetit (2010)
Fjalor Filozofik (2011)
Bashkëbisedim për politikën (Libri i dytë, 2011)
Bashkëbisedim për politikën (Libri i tretë, 2012)
Integrimi dhe nacionalizmi (2013)
Etikokracia (2013)
Përmbysja e “komunizmit” (2015)
Sigal