Servet Pëllumbi: Durimi popullor po soset!

502
Sigal

EKSKLUZIVE/ Intervistë me Prof. Servet Pëllumbin: Si e gjeta Frashërin e apostujve të shqiptarizmit në prag të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë dhe indiferentizmi i shtetit!

Nuk është e thënë që me politikanët të bisedohet vetëm për politikën. Ndonëse ajo, pra politika, hyn edhe atje ku s’ta pret mendja. Për shembull, para pak ditësh Profesor Servet Pëllumbi na tregoi për një vizitë private që kishte bërë në Përmet. I vetmi qëllim i këtij udhëtimi të largët ishte vendosja e një tufe me lule në përmendoret e vëllezërve Frashëri, pikërisht në vendlindjen e tyre në Frashër. Është një gjest vërtet prekës i Profesorit, ndërkohë që, me njëmijë e një marifete apostujt e shqiptarizmës anashkalohen dhe harrohen. E, duke biseduar për këtë udhëtim në Frashër dhe mbi përshtypjet nga ai udhëtim, biseda natyrshëm vijoi me qëndrimin tonë ndaj trashëgimisë sonë të vyer kulturore dhe historike, për të mbërritur te festimet për 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Në këtë kontekst, iu rikthyem edhe temës së rishikimit dhe rishkrimit të historisë, një temë aq e debatueshme sot në qarqet intelektuale, politike dhe akademike të vendit. Profesori ngrihet me forcë kundër shtrembërimeve historike, lartësimit të disa figurave të dyshimta në emër të gjoja rivlerësimit dhe lënies në harresë apo denigrimit të figurave madhore si Ismail Qemali e të tjerë. Prof. Pëllumbi është gjithashtu kundër copëzimit të festës së Pavarësisë, ndaj dhe deklaron se, në rast se kjo do të ndodhë, atëherë, durimi popullor mund të soset.

– Profesor, shkak për këtë intervistë u bë një vizitë e juaja e para disa ditëve në jug të vendit dhe pikërisht në Përmet dhe Frashër. Ç’ju shtyu të shkonit aq larg?

– Ju gazetarët të gjitha i merrni vesh dhe nuk e kini keq. Po, isha për vizitë në Përmet posaçërisht për të shkuar në Frashër. Më pyesni ç’më shtyu? Mbase,  përgjigja për këtë pyetje mund të jetë e tepërt, sepse shtysa për të shkuar në Frashër në këtë vit jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë është e kuptueshme, megjithatë do të vija në dukje një shtysë “specifike”. Lexova gjatë verës librin e Profesorit të nderuar, Kristo Frashëri, që për mua është një kolos i historiografisë shqiptare, me titullin “FRASHËRI- Shkëlqimi dhe Rrënimi i tij”(GEER, Tiranë 2010), përmes të cilit mësova se vendlindja e vëllezërve Frashëri , kryeqendër e krahinës së Dangëllisë, dikur ka qenë një vendbanim i lulëzuar, me rreth 400 shtëpi, ku kanë banuar mbi 12 mijë banorë dhe që Sami Frashëri, në fund të shek.të XIX-të, e quante “qytet me 20 e ca dyqane”, sot është rrudhur në 4-5 shtëpi, me një masiv pyjor të rrallë, por dhe  me “çuka,brigje, gërxhe dhe me burime të kulluar…”! Bukuri përrallore! Desha ta shihja direkt një rrënim të tillë fizik, një shndërrim të një vendbanimi dikur i lulëzuar, në gërmadhë, nën ndikimin e rënies së ndikimit ekonomik dhe si nyjë kalim lindje – perëndim, që të ngjall pezmatim të natyrshëm, por që duke mos qenë njëherësh edhe rrënim shpirtëror e kulturor falë tre vëllezërve të shquar e të pavdekshëm Abdylit, Samiut dhe Naimit, mbetet gjithmonë interesant dhe një vend që duhet të jetë në qendër të vëmendjes së kombit.

– Pra ishit në Frashër. Për kuriozitet, a kishit me vete ndonjë nga Frashëri, apo u mjaftoi leximi i librit?

– Jo, nuk isha vetëm me “historinë e profesorit të madh”, por edhe me gruan time, Lavdinë, me prof. e arkeologjisë Gjergji Frashërin dhe shoqen e tij gjermane, që është duke punuar në Shqipëri, Doktoren e Shkencave Antonia Shytc. Udhëtimi  ishte i këndshëm , edhe pse pak i lodhshëm, sidomos për mua, sepse rruga deri në Frashër ishte e paasfaltuar.

– Kini vizituar me siguri shtëpinë e apostujve të shqiptarisë, Vëllezërve Frashëri dhe duhet të jeni kënaqur. Mund të na përshkruani me pak fjalë se si e gjetët shtëpinë e famshme?

– Për të gjetur ju siguroj, se kur të shkoni ju gazetarët  kini për ta gjetur kollaj, sepse bie lehtë në sy, një shtëpi e madhe, me dy kate, në qendër dhe në mes të një lëndine të gjerë e papemë. Kur hyn, “takimi” i  parë është me tre “apostujt e shqiptarisë”, siç i quajtët ju, të skalitur me mjeshtëri e dashuri nga Skulptori i Popullit, Odise Paskali. Pasi vendosëm tek secili buqetat me lule, që i kishim marrë me vete, u përkulëm me nderim para veprës së tyre të pavdekshme dhe më pas hymë në shtëpinë muze. Këtu u mërzita. Ndërtesa ishte e bollshme, e mbajtur mirë, por si muze ishte shumë i varfër. Një dhomë ndenjjeje e pajisur disi me mënyrën tipike të krahinës. Në katin e dytë tre dhomat veç e veç të tre vëllezërve ishin bosh. Nuk kishte as fotokopje dokumentesh, as botime të vëllezërve Frashëri. Thuajse asgjë. Çfarë të shohin të huajt?  (kishte qenë ambasadori amerikan e disa të tjerë) pyeta Tomorin, ish -kryetar i komunës për dy mandate e që na shoqëroi gjatë vizitës për çka e falënderojmë. “Ja, këtë që shihni edhe ju”, na u përgjigj.

Duke vizituar  ish- qendrën më të rëndësishme të Dangëllisë, tani të braktisur, debatuam për atë se çfarë mund të bëhet në zona të tilla malore. U tha me të drejtë gjatë bisedave në Frashër dhe të nesërmen në Përmet, se mund të gjenden rrugë interesante për gjallërimin e tyre ekonomik, se vazhdojnë të jenë zona të pasura me kullota, pyje, kushte ideale për të ngritur ferma blegtorale, pse jo dhe SHPB, (Shoqëri të bashkëpunimit bujqësor), apo kooperativa të tipit evropian ku sot ka mbi 140 mijë të tilla. Për më tepër që tani tek ne ekziston dhe ligji Nr. 38/2012, që favorizon ngritjen e tyre dhe është një kusht për integrimin tonë në BE. Pa përjashtuar turizmin malor.

Profesor Kristo Frashëri , në fund të librit të tij, sugjeron: “Kushti paraprak që do ta ndihmonte Frashërin të rimëkëmbej është të paktën rregullimi i rrugës së Lomnicës, e gjatë rreth 25 km, e cila po të shtrohet dhe të asfaltohet e shkurton udhëtimin nga Përmeti ose nga Këlcyra në Frashër në 20-25 minuta… Shembull pozitiv kemi Voskopojën , e cila është në lartësinë që ka dhe Frashëri”(f.198). Ndërkohë, komuna nuk duhet t’u nxjerrë pengesa burokratike, siç  ndodh tani, por t’i nxitë frashërllinjtë e larguar në vite që të ndërtojnë në trojet e tyre shtëpi për turizëm familjar…

– Mendoni se degradimi i asaj shtëpie është i rastësishëm apo i qëllimshëm?

– Nuk them se është i qëllimshëm, por gjithsesi i pafalshëm. Rrënimi i fshatit ka sjellë edhe rënien e interesit për gjithçka tjetër, pra dhe për shtëpinë muze.

– A jeni drejtuar ndokund, në ndonjë institucion apo dikaster për ta ngritur këtë shqetësim dhe cili ishte reagimi?

– Po, para tre javësh kam shkuar në Ministrinë e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, kam kërkuar takim me ministrin (që atë ditë ishte në Elbasan), por takova zv/Ministrin N. Lesi, i cili e vlerësoi shqetësimin tim, thirri nga drejtoria e muzeve dhe diskutuam se ç’mund të bëhej shpejt e shpejt (për të çuar një ekspert, për të dërguar disa botime, fotokopje dokumentesh e çdo gjë të mundshme me rastin e 100- vjetorit. Në një etapë të dytë, u tha në këtë takim, mund të shtrohet çështja e shndërrimit në Muze Kombëtar, e asfaltimit të rrugës gjë që e mundëson statusi i parkut kombëtar që ka si zonë etj.. I falënderova sinqerisht për mirëkuptimin…

–  A jini informuar më pas nëse është bërë  ndonjë përmirësim?

– Kam pyetur vazhdimisht në Përmet dhe në Frashër, por nuk ka pasur asnjë lloj interesimi.

– Jemi në vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë, madje dhe pak ditë na ndajnë nga ngjarja e madhe. A flet kjo neglizhencë për shpërfillje të historisë dhe figurave të ndritura të saj?

– Ç’është e vërteta ky 100-vjetor më ka krijuar disa mëdyshje, sepse ka munguar në mënyrë të ndjeshme transparenca e Qeverisë dhe e Komisionit Qendror të Festës. Disa veprimtari të deritanishme duken si të improvizuara, nuk ka koordinim të qendrës me organet e pushtetit vendor, sidomos me Vlorën ku është ngritur flamuri nga Ismail Qemali dhe është kryeqendra e festës, ku duhet të tubohen e të festojnë më 28 Nëntor shqiptarët nga të gjitha qytetet dhe trevat shqiptare. Më duket se më shumë se shpërfillje të historisë, ka çoroditje dhe paaftësi… Edhe fjalë shumë e për bujë, pa u shoqëruar me aktivitete konkrete e të larmishme. Nuk po dëgjojmë një emision për të qenë në median elektronike, për patriotë të shquar e ngjarje të rëndësishme historike. Inteligjencia, me përjashtim të një numri të kufizuar historianësh, nuk po dëgjohet. Muzetë, që dikur ishin gati në çdo fshat, nuk ekzistojnë më. Vizitat në muzetë kombëtarë janë rralluar shumë. As që bëhet fjalë për përdorimin e tyre për efekte mësimore nga nxënësit e shkollave.

– Në një intervistë të mëparshme Ju jeni shprehur se Kryeministri Berisha në mënyrë të qëllimshme lartëson figurën e Mbretit Zog për të mbjellë përçarjen veri-jug. Kjo është një akuzë e rëndë që bëhet në prag të 100-vjetorit. Por sa e vërtetë është?

– Nuk kam bërë asnjë akuzë, vetëm kam parashtruar disa fakte që flasin vetë. Unë mendoj, se në festa të tilla jubilare politika nuk ka pse përpiqet ta  përdorë atë për të futur në “garë” protagonistët e saj kryesorë, duke përzier, me apo dhe pa keqdashje, protagonistët e një periudhe historike, bie fjala të shpalljes së Pavarësisë më 1912, me periudhën e mbretërisë (1928-1939) për të thënë pastaj se Zogu ka më shumë merita se Ismail Qemali për pavarësinë, pra dhe duhet ta ketë piedestalin dhe monumentin më të lartë! Po, e them prerë, arsyetime dhe veprime të tilla që synojnë të rishkruajnë  historinë, jo mbi bazë të dokumenteve siç bëjnë historianët, por mbi bazë parapëlqimesh subjektive dhe interesave të politikës së ditës, janë të mbarsura me përçarje të rrezikshme kombëtare.

– Ndërkohë edhe shkrimtari Dritëro Agolli është ngritur kundër himnizimit të figurës së Zogut. Por vetë Berisha e ka justifikuar këtë me një gjykim realist të historisë. Sa racional është ky arsyetim i Kryeministrit?

– Ka plotësisht të drejtë Dritëroi. Hyjnizimi, apo dhe baltosja e figurave historike, në të vërtetë nuk është vlerësim, por paaftësi, mosdashje, pse jo dhe keqdashje për të bërë një vlerësim real të tyre. Dihet, që figurat historike, të zhveshur nga madhështia e tyre reale apo nga paraqitja e vlerave të tyre në përmasa jo reale, kanë qenë njerëz me interesa të caktuara, me të mira e me dobësi njerëzore, të lidhur me të mirë e të këqij, apo  të përgjegjshëm, pjesërisht të përgjegjshëm apo dhe fare të papërgjegjshëm për veprimet a mosveprimet e veta etj.. Veçse historianët janë në gjendje që, mbi bazë të dokumenteve, t’i venë në “peshoren” e historisë. Në këtë lloj peshoreje, ndër “gjynahet” veçohet tradhtia ndaj interesave kombëtare dhe kolaboracionizmi me pushtuesit e atdheut. Nuk ka histori që mund t’i falë ato, sepse historia bëhet, tekstet shkruhen e rishkruhen. Tradhti Ahmet Zogu ka pasur, disa prej të cilave, në intervistën e mëparshme që përmendni ju në pyetjen tuaj, kam theksuar dy: së pari, marrëveshjen me Pashiqin e Serbisë në vitin 1924 që fali territore (sikur të ishin prona të tij) dhe e vuri vendin nën vartësinë e Serbisë për disa fusha me rëndësi jetike për pavarësinë e Shqipërisë; së dyti, arratisjen në prag të pushtimit fashist të 1939-s duke sabotuar çdo lloj rezistence ndaj pushtuesit. Këto janë të mjaftueshme për ta quajtur tradhtar brez pas brezi. Meritat, që përmenden shpesh për bërjen e shtetit dhe të një legjislacioni të kohës, që realisht nuk mungojnë, gjithsesi, nuk mund t’i sigurojnë A. Zogut vend aq të nderuar në panteonin e historisë. Kush bën të kundërtën në një rast të tillë tipik, ose do të promovojë autoritarizmin e vet megaloman, ose kryen ndonjë porosi të miqve të dikurshëm të mbretit!

– Ndryshe nga herët e tjera, festimi i Pavarësisë sivjet do të bëhet i copëzuar, do të fillojë në Vlorë më 27 dhe do të finalizohet në Tiranë më 28 nëntor. A është normale kjo dhe pse ndodh kështu?

– Aq  “normale” sa kësaj here mund ta sosë durimin popullor…! Përgjegjësinë për këtë ta mbajë Kryeministri që ka arritur në stadin e talljes me popullin!

(Vijon nesër)