Sequi: Zgjedhjet 2013, test për të ardhmen, të përgatitet procesi në kohë!

453
Sigal

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi pati dje një takim me dyer të mbyllura me anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në ambientet e këtij institucioni. Pas takimit në një prononcim për mediat, Sequi theksoi se, zgjedhjet e ardhshme parlamentare (që priten të zhvillohen në vitin 2013) janë test kritik për të ardhmen e Shqipërisë. “Në takim diskutuam sfidat që ka KQZ-ja, ku unë theksova pozicionin e BE-së dhe ato që u ka komunikuar komisioneri Fule kohët e fundit Shqipërisë. Cilësia e mirë e zgjedhjeve që do jenë në përputhje me standardet evropiane, do jenë test kritik për të ardhmen e Shqipërisë, për anëtarësimin në BE dhe çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE”. Sipas Sequi, kur flitet për zgjedhjet duhet pasur parasysh jo vetëm fjala zgjedhjet, por gjithë procesi përgatitor i zgjedhjeve. “Unë kam theksuar se duhet të kemi përgatitje të zgjedhjeve gjithmonë në kohën e duhur. Kam shprehur nevojën për të shprehur konsensus në punën e KQZ-së, si edhe detyrën që ka KQZ-ja dhe anëtarët e KQZ-së”. Ambasadori theksoi se mbeti i kënaqur nga vullneti i anëtarëve të KQZ-së për të përmbushur detyrat që u shtrohen përpara. “Por kam shprehur po ashtu dhe gatishmërinë e BE-së për të ndihmuar duke përdorur dhe fondet e BE-së. Unë u ndjeva tej mase i inkurajuar nga biseda që bëmë, pasi vura re se kishte vullnet të mirë për të ecur përpara për një proces të rregullt zgjedhor”.

Kryeprokurori, Sequi: “Procesi të jetë kushtetues!”

Ambasadori Ettore Sequi, deklaroi se Bashkimi Europian po ndjek nga afër procesin e zëvendësimit të kryeprokurorit të Republikës. Sipas ambasadorit Sequi, e rëndësishme është që ky proces të jetë kushtetues.  “Nuk kam ndonjë mesazh të veçantë për të bërë apo apel për të bërë. Ne po ndjekim nga afër procesin dhe diskutimin që po bëhet në lidhje me këtë çështje në aspektin kushtetues dhe ligjor për këtë proces. Siç e dini për BE, institucionet e pavarura janë guri i themelit sidomos kur bëhet fjalë për institucione të pavarur dhe për prokurorinë po ashtu, ndaj theksojmë se çdo proces duhet të jetë kushtetues. Nënshtetas evropian do të thotë që edhe në Shqipëri, çdo person që ka një rol institucional ashtu siç e ka dhe kryeprokurorja, duhet një individ tejet profesional, me integritet moral dhe profesional dhe të ofrojë garanci”,- u shpreh Sequi.