Senida Mesi: “Administrata Publike e Depolitizuar me Bazë Meritokracinë, e Ardhmja dhe Suksesi për Vendin Tonë”

1664
Sigal

Organizohet në Mostar të Bosnje-Hercegovinës Ministeriali i Mirëqeverisjes në Ballkanin Perëndimor.

Mostar/Bosnje-Hercegovinë – Shkolla Rajonale e Administratës Publike (ReSPA) organizoiMinisterialin e Mirëqeverisjes në Ballkanin Perëndimor, konferencë e cila ka në fokus përqasjen strategjike të Reformës në Administratën Publike (PAR), qëndrueshmërinë financiare, cilësinë e planifikimit dhe koordinimit të politikave, si dhe monitorimin dhe raportimin në lidhje me zbatimin e strategjive të PAR dhe asistencës financiare të BE-së për mbështetjen e reformave.

Konferenca mblodhi së bashku ministrat përgjegjës për administratën publike dhe financën, koordinatorët kombëtarë të Fondeve IPA nga Ballkani Perëndimor, zyrtarë të administratave shtetërore që merren direkt me PAR-in, menaxhimin e financave publike dhe integrimin evropian, si dhe përfaqësues të lartë nga Komisioni Evropian (KE), OECD/SIGMA, organizata ndërkombëtare dhe partnerë të ndryshëm.

Në cilësinë e udhëheqësit të Reformës në Administratën Publike për vendin tonë, e pranishme në këtë ministerial ishte ZëvendësKryeministrja e Republikës së Shqipërisë Znj. Senida Mesi, e cila mori pjesë në panelin me temë“Përqasja Strategjike për Reformën në Administratën Publike:Situata Aktuale, Sfidat dhe Planet e së Ardhmes”së bashku me Dr. Josip Grubeša (Ministër i Drejtësisë në Bosnje-Hercegovinë), Z. Aleksandar Bajdevski (ZëvendësMinistër i Shoqërisë së Informacionit dhe Administratës në Maqedoni), Znj. Suzana Pribilović (Ministre e Administratës Publike në Mal të Zi), Z. Peter Vagi (Këshilltar i Lartë pranë OECD/SIGMA) dhe Znj. Ratka Sekulović (Drejtoreshë e ReSPA).

Gjatë fjalës së saj në panel, Znj. Mesi duke e cilësuar Reformën në Administratën Publike si një prej prioriteteve kyçe të qeverisë shqiptare për rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Evropian (BE), nënvizoi faktin se kjo reformë e ndërmarrë përbën një angazhim të fortë ndaj qytetarëve, komunitetit të biznesit dhe partnerëve ndërkombëtarë gjithashtu. “Besoj fuqishëm se një administratë publike e depolitizuar që ka në bazë dhe nëthelb meritokracinë, do jetë e ardhmja dhe suksesi për vendin tonë”, ndër të tjera theksoi ajo.

 

ZëvendësKryeministrja Mesi u ndal gjithashtu tek prioritizimi i reformave dhe zbatimi i planit ambicioz të qeverisë shqiptare në lidhje me reformën në shërbimet publike, procesi i derregullimit dhe ristrukturimi i agjencive dhe institucioneve të varësisë, si rezultat i të cilave është bërë goxha progres në drejtim të luftës ndaj korrupsionit dhe rritjes së efiçiencës në administratën publike.“Nëpërmjet proceseve integruese dhe të digjitalizimit, kemi rimodeluar mënyrat e ofrimit të shërbimeve publike. ADISA aktualisht ofron 535 shërbime të standardizuara dhe të integruara tek më tepër se 800 mijë qytetarë dhe planifikojmë ta zgjerojmë atë në ta gjithë vendin. Ndërsa nëpërmjet portalit qeveritar e-albania ofrohen aktualisht 551 shërbime elektronike dhe 774 shërbime informuese”, u shpreh Znj. Mesi.

 

Përsa i përket Strategjisë për Reformën në Administratën Publike, ZëvendësKryeministrja Mesi bëri të ditur se është finalizuar aktualisht “Plani i Veprimit 2018-2020” nëpërmjet konsultimeve me shoqërinë civile dhe komunitetin e donatorëve, dhe se ky dokument i rishikuar do të udhëheqë reformën gjatë 2 viteve të ardhshme. Znj. Mesi nënvizon se PAR-i si është një proces që vazhdon dhe që beson se çdo aktor i përfshirë në vend do të ngelet i motivuar për realizimin e sfidave të ardhshme dhe arritjen e këtij prioriteti ky­ç në rrugëtimin evropian të Shqipërisë.

 

Shkolla Rajonale e Administratës Publike (ReSPA) është një organizatë ndër-qeveritare, e cila synon rritjen e bashkëpunimit rajonal, promovimin e të mësuarit të përbashkët dhe mbështetjen ndaj zhvillimit të administratës publike në Ballkanin Perëndimor (BP). Qëllimi kryesor i ReSPA-s është të ndihmojë qeveritë brenda rajonit të zhvillojnë një administratë më të mirë publike, shërbime publike më efiçiente dhe sisteme të përgjithshme të qeverisjes për qytetarët dhe sipërmarrjet e tyre, si dhe të përgatisë ato në rrugën për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).