Senatorët: Hetoni Sorosin, dhe diplomatët e SHBA në Tiranë

643
Senatorët amerikanë: Hetoni Sorosin, mbështeti agjendën e Ramës
Gjashtë ligjvënës në Uashington i kërkojnë sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson, të hetojë përdorimin e fondeve dhe rolin e diplomatëve të SHBA-së
Një grup ligjvënësish amerikanë i kanë kërkuar sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, sqarime për ndihmat amerikane në Shqipëri dhe Maqedoni. Duke ngritur shqetësimin, se ato mund të mos jenë vënë në shërbim të interesave strategjike apo ekonomike amerikane, grupi i përbërë nga 6 senatorë, shumica anëtarë të Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, në letrën e tyre, që mban datën 14 mars, theksojnë se, “ne kërkojmë që ju të përdorni autoritetin tuaj për të hetuar gjithë fondet amerikane që lidhen me nxitjen e demokracisë dhe mirë-qeverisjes dhe të rishikoni programet, llogaritë dhe shumëllojshmërinë e organizatave të ndryshme amerikane që janë të përfshira në këto aktivitete”.

Në letrën e tyre, senatorët përmendin fondet e qeverisë amerikane të ndihmave që u janë akorduar shoqatave si Fondacionit Shoqëria e Hapur të biznesmenit Xhorxh Soros. Senatorët ngrenë shqetësimin, se përmes këtyre fondeve, Fondacioni Shoqëria e Hapur po mbështet një agjendë politike të grupeve të majta, ndërkohë që duhet të mbështetë politika që u shërbejnë interesave strategjike amerikane, pa shkaktuar dëme në marrëdhënie me vende ku përdoret kjo ndihmë.

Senatorët shprehen të shqetësuar lidhur me pretendimet që kanë dëgjuar “nga udhëheqës të respektuar në Shqipëri, se diplomatë amerikanë dhe organizata të mbështetura nga Sorosi po i mëshojnë një objektivi politik” atje. Në letrën e tyre senatorët ngrenë pretendimin, se Zyra e Fondacionit Shoqëria e Hapur në Shqipëri, me ekspertët e saj, e mbështetur me fonde nga USAID, “ka krijuar Dokumentin Strategjik për Reformën e Gjyqësorit në Shqipëri. Disa udhëheqës në vend besojnë se këto ‘reforma’ kanë për synim t’i japin kryeministrit dhe qeverisë së qendrës së majtë kontroll të plotë mbi sistemin gjyqësor”.

Senatorët paralajmërojnë, se efektet destabilizuese të këtyre veprimeve janë të qarta dhe përbëjnë kërcënim për një shkallëzim të mëtejshëm të situatës në Shqipëri, ndërkohë që vendi përgatitet për zgjedhje.

Letra mban firmat e senatorëve Michael Lee, James Inhofe, Thom Tills, David Perdue, Ted Cruz dhe Bill Cassidy.

Fondacioni Shoqëria e Hapur, “Soros” u gjet nën kritika posaçërisht pas zgjedhjeve të dhjetorit në Maqedoni dhe reformës së sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Opozita e ka akuzuar Fondacionin Soros, për siç u tha “dirigjim” të reformës në drejtësi. Shefi i fondacionit “Soros” në Shqipëri, Andi Dobrushi, tha më herët se mbështetja që fondacioni i jep procesit të reformës, është bërë me një marrëveshje me Kuvendin e Shqipërisë. “Kemi pasur përfshirje që në momentin e parë, kemi mbështetur financiarisht bashkëpunimin me ambasadën amerikane dhe partnerët evropianë”, tha në komentet për shtyp Dobrushi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se të gjithë ata që po e akuzojnë Sorosin kanë përfituar prej tij, ndërsa theksoi se fondacioni “ka kontribuar me një mbështetje financiare për mbarëvajtjen e punës së Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtësi”. “Kjo padyshim ka qenë diçka pozitive sepse ka lehtësuar disa shpenzime jo të vogla për ekspertizë”, tha ai.

Kritikat e senatorëve për Maqedoninë
Në letrën e tyre, senatorët kërkojnë shpjegime edhe mbi aktivitetin e misionit diplomatik amerikan në Shkup, pasi shprehen se kanë marrë “njoftime të besueshme se gjatë viteve të fundit ky mision ka ndërhyrë në mënyrë aktive në politikat partiake në Maqedoni, si dhe në zhvillime që u japin formë mjedisit mediatik dhe jetës civile në vend, shpesh herë në favor të forcave politike me kahe majtiste”. 

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski e akuzoi miliarderin George Soros, se financon Organizatat Joqeveritare, të cilat, sipas tij, “gjithë veprimtarinë e tyre e kanë të programuar kundër partisë së tij” VMRO-DPMNE. Por drejtuesja e këtij fondi në Maqedoni, Fani Karanfilova Panovska, tha më herët gjatë këtij viti se, “Gruevski përmes ideve konspirative synon të sulmojë veprimin e sektorit civil për të penguar aktivitetet e organizatave joqeveritare, të cilat kërkojnë përgjegjësi politike nga drejtuesit e institucioneve për keqqeverisje”.

VMRO-DPMNE nuk arriti të krijojë qeverinë pas zgjedhjeve, ndërsa partia rivale, Lidhja Social-Demokrate, e cila siguroi mbështetje të mjaftueshme për formimin e qeverisë, u refuzua nga presidenti George Ivanov, për shkak të marrëveshjes së LSDM-së me partitë shqiptare ku përfshihej edhe platforma e kësaj force politike shqiptare për përdorimin e gjerë të gjuhës shqipe në Maqedoni.

Ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily, krahas përkushtimit për të mbështetur procesin e tejkalimit të situatës në Maqedoni, ritheksoi se vendimi i presidentit Ivanov, “nuk ishte një vendim i drejtë dhe mendojmë se ai do ta rishikojë atë”.
Letra e plotë e senatorëve
I dashur Sekretari Tillerson,
Urime për detyrën si Sekretar i Shtetit. Ne presim me padurim të punojmë me ju për shumë çështje të politikës së jashtme me të cilat do të përballet vendi ynë në vitet që vijnë.

Siç jeni pa dyshim në dijeni, Maqedonia i ka hyrë procesit të ndërtimit të koalicionit qeveritar pas zgjedhjeve të dhjetorit 2016. Fatkeqësisht, kemi marrë raporte të besueshëm se, gjatë viteve të fundit, Misioni i SHBA atje ka ndërhyrë në mënyrë aktive në politikën partiake në Maqedoni, duke ndikuar edhe në krijimin e ambientit mediatik e të shoqërisë civile, shpesh duke favorizuar grupe politike me prirje nga e majta, para të tjerëve. Këto raporte i konsiderojmë dekurajues dhe, nëse janë të vërtetë, shumë problematikë.

Ambasadorit amerikan në Maqedoni i janë dërguar disa letra, me të cilat kërkohen shpjegime për rolin që Misioni i SHBA-ve në Maqedoni luan në shpërndarjen e ndihmës amerikane atje, në peizazhin politik shpeshherë të trazuar maqedonas dhe në formimin e ambientit mediatik e të shoqërisë civile në Maqedoni. Përgjigjet për këto letra nuk na e kanë lehtësuar shqetësimin.

Një pjesë e mirë e aktivitetit të shqetësuar në Maqedoni është vënë në lëvizje përmes fondeve të USAID-it, dhënë organizatave të tilla si Open Society Foundations të George Sorosit. Si marrës i shumë granteve e duke shërbyer si kontraktor i USAID-it në implementimin e projekteve në këtë vend të vogël me 2.1 milionë banorë, ndihma jonë e jashtme, e financuar nga paratë e taksapaguesve, shkon shumë larg, duke lejuar që Fondacioni Open Society Macedonia (FOSM) të zhvillojë një agjendë majtiste dhe të gjallërojë të majtën politike. Ndihma jonë e jashtme ekonomike duhet të përdoret në promovimin e një agjendë politike vetëm, nëse është interesin ekonomik apo të sigurisë të vendit tonë, madje edhe në një rast të tillë duhet të jemi të kujdesshëm e të tregojmë respekt. Ne duhet të jemi veçanërisht të kujdesshëm në promovimin e politikave që mbeten kontradiktore edhe në vendin tonë dhe që kanë potencialin për të dëmtuar marrëdhëniet tona me qytetarët e vendeve të tjera.

Ky problem nuk kufizohet vetëm në Maqedoni, por duket se ka një model aktiviteti alarmues në Rajonin e paqëndrueshëm. Liderë të respektuar nga Shqipëria kanë pasur ankesa të ngjashme për diplomatë amerikanë dhe organizata të përkrahura nga Sorosi që nxitin për rezultate të caktuara politike në vendin e tyre.
Fondacioni Open Society Albania (FOSA) dhe ekspertët e tij, me fonde nga USAID kanë krijuar dokumentin kontradiktor strategjik për Reformën në Drejtësi. Disa liderë besojnë, se këto “reforma” kanë si qëllim t’i japin kryeministrit dhe qeverisë së qendrës së majtë kontroll të plotë mbi drejtësinë.

Efektet destabilizuese të veprimeve të tilla në një vend anëtar të NATO-s janë të qarta, ashtu si dhe kërcënimi për përshkallëzim të mëtejshëm, teksa Shqipëria është në prag të zgjedhjeve parlamentare. Kjo është veçanërisht shqetësuese në dritën e raporteve ndërkombëtare për rritjen e korrupsionit qeveritar në Shqipëri dhe për rritjen e fuqisë së grupeve kriminalë dhe të trafikut të drogës në vend.

Me këto dhe situata të tjera në mendje, është shqetësuese që kjo sjellje është bërë dominuese në shumë nga ambasadat tona, misionet e USAID-it dhe diplomatike kudo në botë. Përherë e më tepër, liderë të huaj që vijnë në Uashington na kanë shprehur shqetësimin, se si fondet e taksave amerikane po përdoren në mënyrë joproduktive në vendet e tyre. Situata në Shqipëri e Maqedoni është shembull i qartë i kësaj, por kemi pasur shqetësime të ngjashme edhe nga vendet e Amerikës Latine dhe Afrikës.

Ju kërkojmë me respekt që të përdorni autoritetin tuaj për të investiguar të gjitha fondet për promovimin e demokracisë dhe qeverisjes dhe të rishqyrtojë programet, llogaritë dhe numrin e organizatave amerikane të përfshira në aktivitete të tilla. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë moment kritik, në fillimin e administratës së re, për të shqyrtuar se si përdoren paratë e taksave tona, në mënyrë që të ndalim aktivitete që nxisin trazira politike, mosrespektim të vendeve sovrane dhe shoqërisë civile dhe që minojnë përpjekjet tona për të ndërtuar marrëdhënie të vlefshme ndërkombëtare.
Presim të vazhdojmë punën me ju në të ardhmen dhe shpresojmë të nisim një marrëdhënie dëshire reciproke për përgjegjësi dhe transparencë në programet tona diplomatike dhe të ndihmave.

Kush janë senatorët:
Michael Lee
Është zgjedhur në vitin 2010 si senator i Utahut për Partinë Republikane. Ai ka punuar për shumë vite si avokat. Më pas, Lee shërbeu në administratën e shtetit të Utahut. Ai është anëtar i Komisionit Juridik dhe shërben si kryetar i nënkomisionit për Anti-trustin.
James Inhofe
Është senator republikan i Shtetit të Oklahomës dhe një veteran i ushtrisë amerikane. Ai ka qenë pilot dhe njihet për bindjet e tij konservatore. Në vitin 2013, një revistë e njohur amerikane e rendiste midis pesë anëtarëve më konservativë të Senatit.
Thom Tillis
Është senator republikan i Karolinës së Veriut dhe shquhet për betejat në mbrojtje të traditave ushtarake e veteranëve. Ai ka pasur një karrierë të pasur në sektorin privat në kompani të teknologjisë dhe këshillimit. Në vitin 2006 u zgjodh në Dhomën e Përfaqësuesve të Karolinës së Veriut. 
David Perdue
Është senatori më i ri nga Shteti i Xhorxhias. Ai është republikan dhe ka patur një karrierë të pasur në biznes, edhe si ish-drejtues i veshjeve sportive “Reebok” dhe dyqaneve “Dollar General”. Ishte ndër mbështetësit e parë të presidentit Trump vitin e shkuar. 
Ted Cruz
Është zgjedhur senator i Partisë Republikane nga Teksasi në vitin 2012 dhe cilësohet si mbështetës i idesë së qeverive të vogla. Babai i tij u lind në Kubë. Cruz ishte një nga kandidatët e garës presidenciale brenda Partisë Republikane, duke u tërhequr më pas.
Bill Cassidy
Është senator republikan nga Luiziana. Për rreth tre dekada ka punuar në fushën e mjekësisë. Në vitin 2006, ai u zgjodh në senatin e shtetit dhe në vitin 2008 në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së. Ai u zgjodh në Senatin Amerikan në vitin 2014.
“Fox News”: Senatorët kërkojnë ndërhyrje për gjendjen në Shqipëri
Rrjeti televiziv amerikan “Fox News” i ka bërë jehonë letrës së 6 senatorëve amerikanë, dërguar sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson, të cilët shprehin shqetësimin për drogën dhe krimin e organizuar në Shqipëri. “Fox News” ka pasqyruar letrën e 6 senatorëve, ku shkruajnë gjithashtu se miliarderi amerikan George Soros, përmes shoqatave të tij po ndikon në politikën e Shqipërisë por dhe në atë të Maqedonisë.

“Duke vënë në dukje, jo vetëm situatën në Maqedoni, të cilën ata e përshkruajnë “si një aktivitet alarmant në këtë rajon të paqëndrueshëm”, ata vënë theksin edhe për gjendjen në Shqipëri”, raporton televizion amerikan.

Gjashtë senatorët e njohur amerikanë, në pjesën për Shqipërinë në letrën e tyre, shkruajnë: “Politikanë të nderuar nga Shqipëria kanë deklaruar, se diplomatë amerikanë dhe organizata të Sorosit ndikojnë në çështje të caktuara politike në vendin e tyre. Veprime të tilla me efekte destabilizuese në një vend të NATO-s janë të qarta dhe përbëjnë kërcënim për përkeqësim të mëtejshëm të situatës, duke pasur parasysh se Shqipëria këtë vit mban zgjedhjet parlamentare”.

Senatorët republikanë që kanë shkruar këtë letër për sekretarin amerikan të Shtetit janë Ted Cruz, Michael S. Lee, Thom Tills, James M. Inhofe, David A. Perdue dhe Bill Cassidy.
Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, kërkon nga Ministri i ri i Brendshëm goditje ndaj krimit të organizuar
SHBA: Kushtet për Xhafajn, luftë drogës dhe garanci për zgjedhjet

Shtetet e Bashkuara kanë bërë publike dy kushte për Fatmir Xhafajn, Ministrin e ri të Brendshëm, i cili do të zëvendësojë Saimir Tahirin. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë Donald Lu, u shpreh dje se pret që ministri i ri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i emëruar pak ditë më parë, “të luftojë në mënyrë aktive krimin e organizuar dhe të veprojë në mënyrë të paanshme teksa vendi përgatitet për zgjedhjet”.

I pyetur nga “Zëri i Amerikës”, për lëvizjet në qeveri dhe kryesisht për ndryshimin e kreut të Ministrisë së Brendshme, një institucion kyç dhe i gjendur shpesh në qendër të sulmeve veçanërisht nga opozita, ambasadori amerikan theksoi se, “që lufta kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve në Shqipëri të ketë sukses, ka nevojë për energji të reja”. “Nëse zoti Xhafaj punon në mënyrë agresive kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar, ai do të ketë mbështetjen tonë të plotë”, thekson ambasadori Lu, duke vënë në dukje bashkëpunimin e mëparshëm me Xhafajn, kryesisht në procesin e reformës në drejtësi. 

“Ne kemi punuar ngushtë me zotin Xhafaj si kreu i komisionit të ligjeve të kuvendit dhe për reformën në drejtësi”, përfundon deklarata e ambasadorit amerikan.

Një ditë më parë kryetari i opozitës Lulzim Basha e quajti një “provokim” emërimin e Xhafaj si pjesë e ndryshimeve të propozuara nga kryeminstri Rama në qeverinë e tij. Kreu demokrat, Lulzim Basha, është shprehur se Xhafaj “ka zvarritur për një vit e gjysmë Reformën në Drejtësi dhe i ka shërbyer agjendës së kryeministrit Rama për të kapur drejtësinë” duke e cilësuar atë si përgjegjës “për përjashtimin e opozitës nga Reforma në Drejtësi”.
Sigal