Selman Hodaj:“Qeverisja socialiste do të ndëshkojë të keqen dhe ringjallë të mirën”

588
Sigal

INTERVISTA/ Kryetari i PS-së të rrethit Berat, Selman Hodaj: “ Qeverisja “Berisha” ka vrarë shpresën e së nesërmes”

Fushata elektorale e 23 Qershorit ka filluar dhe strukturat partiake në qarqe janë vënë në lëvizje të plotë. Kryetari i PS-së për rrethin e Beratit, Selman Hodaj, në intervistën për “Telegraf”, shpreh bindjen se, PS-ja do të fitojë mbi 5 mandate, pasi ka afruar alternativën më të mirë të ndryshimit të realitetit të mjerueshëm që jetojnë qytetarët.

– Zoti Hodaj, a është gati PS e rrethit Berat për fushatën zgjedhore të 23 Qershorit ?

– Më 23 Qershor  nuk do flitet më për vjedhje vote në rrethin e Beratit. Jemi të gatshëm t’i dalim për zot çdo qendre votimi për të ruajtur dinjitetin e votuesit që beson tek ky ndryshim . Fushata për ne ka filluar shumë më herët, që në fazën e rifreskimit dhe ristrukturimit të gjithë strukturave dhe angazhimin e cilido në një punë konkrete. Në këtë proces PS-së i janë bashkuar  qindra vullnetarë veçanërisht të rinj dhe ne i mirëpresim me ngrohtësinë që ata meritojnë . Tani po zhvillojmë bashkëbisedimin   derë më derë për të  afruar alternativat tona socialiste, për të ngjallë shpresën e një të nesërme më të mirë, në çdo familje. Njihemi me të gjitha shqetësimet që qytetarët kanë. Gjatë kësaj kohe kemi bërë edhe sondazhin tonë që sinqerisht e nxjerr  PS-në  mbi 70% dhe jemi të sigurt që do fitojmë mbi 5 mandate, pavarësisht nëse Qarku i Beratit mbetet me 8 ose 7 mandate.

–  Në cilën gjendje e lë rrethin e Beratit kjo qeverisje 8-vjeçare e Berishës?

– Programi ekonomik i PD-së rezultoi i dështuar po t’i shtojmë këtu dhe korrupsionin dhe administratën militante dhe të paaftë është fare e thjeshtë të kuptosh se në ç’hall të madh ndodhet sot atdheu ynë, Shqipëria jonë. E në këto kushte e vetmja alternativë që ka sot ky regjim është blerja e votave duke shfrytëzuar varfërinë apo përdorja e gjithë administratës shtetërore nën presion. Berisha s’ka më çfarë t’ju ofrojë shqiptarëve nuk ka argument që flet për përmirësim të gjendjes, fatkeqësisht sot nuk ka asnjë model të mirëqeverisje, as për ekonominë, as për arsimin, as për shëndetësinë, as bujqësinë, as sigurinë, as për drejtësinë, as për korrupsionin . Dështimi është evident dhe i lexueshëm për sytë e qytetarëve. Në Qarkun e Beratit ka një mjerim që vjen tërësisht nga dora e shtetit. Nuk munden ato shumë pak investime kryesisht në infrastrukturë në zonat rurale me shumë pak ose aspak impakt vetëm për një grusht votash, ta nxjerrin këtë qark nga mjerimi. Lidhja me akset kryesore është fytyra e vërtetë e këtij regjimi. Ju kujtoj rrugën Lushnjë – Berat,  Berat – Fier, Berat – Kuçovë,  rrugën që lidh Beratin me Skraparin rruga Berat – Përmet. S’ka hipokrizi më të madhe dhe turp të artikuluar nga goja e Kryeministrit “Boshti i Jugut” premtuar qytetarëve që në 2005 mashtruar gjithashtu në 2009 dhe dëgjuar sërisht nga goja e Saliut në 2013-n. Mes gjithë kësaj reje të zezë falë zotit ka një shpresë për të rilindur shpirtin tonë dhe atdheun tonë. Mjafton të dalim të gjithë në 23 qershor për të kryer një detyrim jetik dhe të ndëshkojmë regjimin  të vdesë bashkë me mjerimin.

–  Përse elektorati duhet t’i besojë liderit të PS-së votën e 23 Qershorit ?

– Politika shqiptare ka shansin e madh  të ketë një politikan të ri me mentalitet të ri dhe vizion të qartë perëndimor. Edi Rama ka treguar në krye të Bashkisë së Tiranës që është shumë i aftë të qeverisë edhe në kushte të vështira madje të mos harrojmë që modeli që ai solli në kryeqytet ishte një sfidë e fituar me shoqërinë, edhe për më  skeptikët… Edi Rama ka mbjellë shpresë dhe pemë ka ndërtuar dhe pikturuar Tiranën, Edi Rama është një njeri i zakonshëm një mik i mirë dhe një shqiptar si gjithë te tjerët. Edi Rama ka sot një program të detajuar  që do të nxjerrë ekonominë dhe shoqërinë nga skuta e zezë ku e ka zhytur regjimi. Programi ynë do të rilindë ekonominë, arsimin, shëndetësinë, bujqësinë,  do na përqasë me Europën. Rama është model perfekt i një njeriu që komunikon qartë,. E thënë thjesht fare, Edi Rama është alternativa më e mirë.

– Çfarë afron alternativa socialiste te elektorati, për të fituar votëbesimin?

– Programi ynë qeverisës përqaset me shqetësimet që ka sot elektorati. Berati ka shumë toka bujqësore dhe terren kodrinor për agrobiznes dhe blegtori. PS-ja ka një program të detajuar për këta sektorë jetikë, qoftë në rritjen e investimeve por specifikisht në uljen e çmimit të naftës subvensionim plehrash kimike përmirësim total sistemit kullues dhe vaditës rrugë për të nxjerrë prodhimin në treg dhe garanci për shitjen e prodhimit.  Nuk do mund të ndodhë fatkeqësia si ajo me prodhuesit e ullirit këtë vit ku kishte superprodhim dhe për shkak të vjedhjes mafioze të shtetit tregu u mbush me ullinj grek dhe si pasojë ulliri i famshëm i Beratit mbeti stok.

– Problemi kryesor social i Qarkut të Beratit është papunësia. Cila do të jetë e reja qeverisëse e PS-së?

– Hapja e vendeve të punës, ndryshimi i skemës së ndihmës ekonomike, investimi me impaktin e duhur dhe qeverisja e ndershme do jetë pjesë e programit tonë. Do t’i kthejmë gjithçka i është mohuar Beratit. Sot një vend pune blihet me lekë, militantët në njërën anë dhe korrupsioni në anën tjetër nuk lënë hapësira për një të ri të arsimuar me meritë për të shpresuar një vend pune. Për të gjitha këto do jemi të detajuar me shifra konkrete shoqëruar dhe me faturën financiare.