Sekuestro dosjeve të Universitetit të Vlorës

1937
Sigal

Konfirmohet hetimi që nga janari 2014. Pagesa pedagogësh, duke qenë jashtë shtetit e rekrutime jashtë kritereve. Rektori Albert Qarri: “Ka njerëz që duan të nxijnë punën në universitet!”

 Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës në Prokurori. Konfirmohet zyrtarisht se, nga janari i këtij viti, mbi bazën e një kallëzimi në organin e Akuzës, Prokuroria e Rrethit të Vlorës ka nisur hetimet përkatëse në këtë institucion. Mes të tjerave, sipas burimit në organin e akuzës, po hetohet dhe për pagesa të paligjshme pedagogësh që paguheshin rregullisht duke qenë me pushime jashtë shtetit, rekrutime jashtë kritereve, etj.. Rektori i këtij Universiteti, i kontaktuar nga redaksia e “Telegraf”, sjell fakte të tij duke pranuar hetimin, rregullshmërinë në rekrutime, duke shtuar se, “ka persona që duan të nxijnë punën time, të kolegëve e të universitetit të Vlorës”. Korrekt detyrimit për informimin e publikut, dokumenteve zyrtare e bisedave të regjistruara, po japim informacionin e mëposhtëm.

KALLZIM-PENAL

Në datën 06.11.2013, pranë Prokurorisë së rrethit Vlorë, është  regjistruar kallëzimi penal me nr. 920. Në janar 2014, me nr 146 Prokuroria e Vlorës, ka regjistruar hetimin penal.

I Kallëzuar: Albert Qarri, Rektor i Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë; Klaudja Guga, Përgjegjëse  e Departamentit të Ekonomiksit pranë Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë; Elviona Xhyheri, sekretare e departamentit të Ekonomiksit, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë;  dhe të tjerë.

Objekti i Kallëzimit: Shpërdorim i detyrës, falsifikim  dhe zhdukje e akteve zyrtare

Baza Ligjore: Neni 248 dhe 186 i Kodit Penal

Drejtuar:  Zyrës së Krimit Ekonomik pranë  Drejtorisë së  Policisë së Qarkut,  Vlorë

Për dijeni: Prokurorisë së Rrethit  Gjyqësor, Vlorë

1- Evelina Bazini, Dekane e Fakultetit të Ekonomisë dhe Klaudja Guga, shefe e Departamentit të Ekonomiksit, kanë falsifikuar listën e studentëve fitues të programit Master Shkencor në Ekonomiks në vitin akademik 2011-2012, sepse është  shtuar në ‘të emri i pedagoges  Pranvera Resulaj, e cila nuk ka qenë fituese në këtë program në këtë vit akademik. Në vitin akademik 2012-2013 studimet e Masterit Shkencor në Ekonomiks nuk u hapën fare për mungesë të aplikimeve. Ndërkohë, po gjatë vitit akademik 2012-2013, në mënyrë të kundërligjshme pedagogia Pranvera Resulaj ka dhënë gjithë provimet e vitit të dytë të Masterit, pa ndjekur fare vitin e parë.

2- Shefja e Departamentit të Ekonomiksit, Klaudja Guga, ka falsifikuar listë-prezencën e stafit të pedagogëve të Departamentit të Ekonomiksit, pasi është shënuar si prezente në punë dhe është paguar pedagogia Lorena Alikaj gjatë periudhës 2 korrik 2013 deri në 29 shtator 2013, ndërkohë që, gjatë kësaj periudhe kjo pedagoge ka qenë jashtë shtetit për arsye personale. Leja e zakonshme ka qenë periudha 15 korrik – 30 gusht. Në datën 2 shtator gjithë stafi i universitetit filloi punën.

3- Janë zhdukur procesverbalet e mbledhjeve të zhvilluara në Departamentin e Ekonomiksit gjatë javës së parë të shtatorit dhe në datën 17 tetor 2013. Është zhdukur një deklaratë e firmosur nga ana e bashkëshortes sime në bllokun e mbledhjeve të Departamentit, i cili mbahet nga sekretarja e departamentit Elviona Xhyheri.

4- Shkresa me Nr.Prot.88, dt.27/09/2013 nuk është përpiluar në datën e shënuar, por gati një muaj më vonë. Sekretarja e departamentit ka grisur dhe ka ribërë procesverbalin.

5- Grisjen e shkresave nga Përgjegjësja e Departamentit dhe e ribërjes së protokollit nga  sekretarja Elviona Xhyheri, e cila në një rast i ka deklaruar se, “do ruaj vendin e punës”.

6- Albert Qarri, Rektori Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, në datën 26 shtator 2013 në faqen zyrtare të universitetit “Ismail Qemali” u publikon njoftimin për rekrutimin e stafit të ri dhe procesi i dorëzimit të dokumentacionit do të vazhdonte për dy javë. Në datën 17 tetor 2013 u ngritën komisionet për vlerësimin e aplikantëve. Por, në fakt, në orarin zyrtar të dërguar me e-mail-in zyrtar të gjithë stafit të Fakultetit Ekonomik në datën 6 tetor 2013, në Departamentin e Biznesit figurojnë emrat e disa pedagogëve, të cilët zyrtarisht nuk ishin rekrutuar ende. Janë po këta emra, që u shpallën pastaj edhe fitues nga komisionet e ngritura. Kjo tregon se, konkurrimi ka qenë krejtësisht fiktiv, pasi fituesit ishin paracaktuar. Kjo është realizuar nën urdhrat e Rektorit të universitetit, Albert Qarri. Duke konstatuar këto shkelje të rënda të ligjit, i drejtohem Zyrës suaj, për hetime lidhur me këto shkelje, duke u bazuar në nenin  248 të Kodit Penal, i cili thotë që: “Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mos përmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jo materiale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë”. Denoncuesi Kujtim Cakrani.

DENONCUESI

I kontaktuar nga “Telegraf”, denoncuesi Kujtim Cakrani konfirmon se ka dorëzuar denoncimin në Prokurori, e cila ka nisur hetimet dhe se gjithçka e ka shkruar në denoncimin zyrtar.  “Po. Unë e kam bërë denoncimin në Prokurorinë e Vlorës. Kallëzimi është bërë në Nëntor 2013, ndërsa hetimi penal është regjistruar në janar të vitit 2014. Personat e kallëzuar nga ana ime janë thirrur për t’u pyetur në Prokurorinë Vlorë që në Janar 2014. Aktualisht hetimi vazhdon… Një denoncim është bërë nga një vajzë (Migena Kasimi). Unë e gjeta këtë denoncim tek ankesa.justice.gov.al. Aty ka qëndruar denoncimi për rreth një muaj, pastaj u hoq nga faqja, nuk e di për çfarë arsye”,- shton mes të tjerave, denoncuesi Kujtim Cakrani.

FATI I DENONCIMIT TË PARË

Siç u përmend dhe më lart, një tjetër denoncim për Universitetin e  Vlorës është bërë më parë nga Migena Kasmi, por që është tërhequr, shoqëruar me faljen e saj në këtë institucion. Këtë e konfirmon (ka dhe letrën me firmë), edhe Rektori Albert Qarri. Ky denoncim, është publikuar si i tillë dhe në faqen e Ministrisë së Drejtësisë. Ta dhe teksti i këtij denoncimi: “…Jam Migena Kasimi e diplomuar pranë Universitetit të Bolonjës, në degën Kimi dhe Teknologji Farmaceutike me maksimumin e mundshëm. Aplikoj pranë Universitetit të Vlorës me kërkesë të vetë universitetit për staf akademik. Një muaj më vonë më refuzojnë aplikimin, duke më thënë se kishte dalë një VKM, e cila thoshte se, për mungesë fondesh nuk do të merrej staf i brendshëm, vendim, i cili jo vetëm nuk respektohet, pasi punësohen njerëz, që paguhen nga fondet e universitetit, por sot marr vesh që dokumentet e mia janë zhdukur me urdhër të rektorit Albert Qarri. Vetë rektori urdhëron sekretaren që dokumentet e personit në fjalë, Migena Kasimit, të hiqen nga shqyrtimi para komisionit. Përpos kësaj, ishte lajmi më normal i ditës që për atë vend pune kërkoheshin të tjera gjëra… Por nuk mbaron me kaq. Është guxuar dhe është marrë një person tjetër, i cili nuk rezultonte në aplikimet e bëra pranë Burimeve Njerëzore (informatë kjo, e marrë zyrtarisht pranë Burimeve Njerëzore si e drejtë e çdo aplikanti për të ditur numrin e konkurrenteve të tij) që nuk i dihet se si … Është absurde, pas fjalimit që bëri Kryeministri i Shqipërisë që do të integronte në strukturat shqiptare të rinj të përgatitur sipas standardeve europiane. Është për të ardhur keq. Duke shpresuar në një qeverisje të mirë dhe korrekte morra guximin dhe shkruajta këtë e-mail. Me respekt Migena Kasimi”

REKTORI I UNIVERSITETIT

Lidhur me dy denoncimet, redaksia e “Telegraf” kontaktoi e bisedoi gjatë në linjë telefonike (bisedë e regjistruar) dhe me Rektorin e Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, zotin Albert Qarri… Duke qenë transparent, krejtësisht të paanshëm, po japim përgjigjet e pyetjeve të bëra, duke anashkaluar etiketimet e tij për denoncuesit…

Zoti Qarri! Ndaj jush dhe disa punonjësve të universitetit ka një denoncim zyrtar dhe kanë filluar hetimet nga Prokuroria e Vlorës?

-Po ka një denoncim. Po së pari, duhet të theksoj se unë, trupa akademike dhe gjithë personeli i universitetit “Ismail Qemali” po bëjnë të gjitha përpjekjet për realizimin e objektivave të caktuara dhe nuk do lejojmë që kushdo qoftë ky, të njollosë emrin tim, të kolegëve, punën e mirë dhe arritjet e këtij universiteti. Prokuroria na ka kërkuar zyrtarisht dokumentacionin dhe ne ja kemi afruar çfarë ka kërkuar.  Gjithçka do të verifikohet dhe do të sqarohet. Është drejtësia që do të sqarojë gjithçka thuhet apo akuzohet.

 Më konkretisht, bëhet fjalë mes të tjerave për një pedagoge që është paguar mbi dy muaj kur ka qenë jashtë shtetit?

-Unë nuk di detaje konkrete për këtë rast, pasi institucioni ka rreth 400 vetë personel… Po çdo pedagog mund të pushoj se dihet që pushimet e tyre janë të gjata…

Në denoncimin zyrtar thuhet se për shkeljet, janë falsifikuar e grisur dokumentet?

-Jo, nuk janë grisur dokumente… Ka njerëz që shpifin kundër meje personalisht, kolegëve e që duan të nxinë punën… Po thashë, po bëhen hetime…

 Po rasti i një aplikanteje për master që ka denoncuar ju e vartësit dhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë?

-Kjo është shumë e qartë. Bëhet fjalë për Migena Kasinin. Ajo erdhi të aplikojë tek ne zyrtarisht, po për vitin 2013, ne nuk kemi bërë aplikime për pedagogë se nuk kemi pasur nevojë për staf pedagogjik. Aplikantja është sqaruar dhe është bindur. Për këtë ka kërkuar dhe ndjesë nëpërmjet një letre, ku thonë se akuzat i ka bërë në situatë të tensionuar. Letrën unë e kam me firmën e saj, po ua nis me e-mail në adresë të gazetës që ta shikoni dhe ta botoni nëse e doni. Pra, gjithçka është sqaruar.

 Sqarim i redaksisë: Gjithçka më sipër, është informacion i mbështetur në dokumente zyrtare e biseda (shkresa me firmë e biseda të regjistruara), përfshi dhe bisedën me Rektorin e Universitetit të Vlorës. Megjithëse, na premtoi të niste të skanuar letër-faljen e firmosur nga denoncuesja, e ne pritëm deri në orën 01:00 të ditës së mërkurë (sot), ai nuk e solli. Të përgjegjshëm e shumë të kujdesshëm për sa publikojmë, jemi të hapur dhe në ditët në vazhdim për një gjë të tillë nga të përmendurit, duke afruar dhe investigimet e redaksisë si për emërimet në universitet, për një pedagog që ka probleme me drejtësinë italiane etj..