Sekretari Kerry parashtron vizionin për Lindjen e Mesme

459
Sigal

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ndërmori
të mërkurën një përpjekje të minutës së fundit për të ruajtur parimet e
përgjithshme të një zgjidhjeje me dy shtete mes Izraelit dhe palestinezëve, për
të cilën ai paralajmëroi se ishte në “rrezik serioz”.

Në një fjalim në Departamentin e Shtetit, zoti Kerry
mbrojti gjithashtu vendimin e SHBA javën e kaluar për të abstenuar nga një
rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që dënonte vendbanimet izraelite në
territorin palestinez.

Votimi në OKB “ishte për ruajtjen e
zgjidhjes me dy shtete”, tha zoti Kerry. “Pikërisht për
këtë jemi përpjekur, për të ardhmen e Izraelit si një shtet hebre dhe
demokratik.”

Udhëheqësit izraelitë, si dhe ligjvënës demokratë e
republikanë në SHBA e kritikuan këtë veprim, duke thënë se SHBA nuk po e
mbrojnë Izraelin, aleatin e tyre të vjetër.

Në fjalimin e tij zoti Kerry i hodhi poshtë
kritikat, duke thënë se Izraeli do të jetë gjithmonë një aleat i ngushtë, por
vendbanimet janë një pengesë e madhe për një marrëveshje paqeje në të ardhmen.

“Miqtë duhet t’ia thonë njëri-tjetrit të
vërtetat sado të hidhura qofshin dhe miqësitë kërkojnë respekt të
ndërsjellë”, tha zoti Kerry, duke këmbëngulur se status quo-ja është
duke çuar drejt një zgjidhjeje me një shtet që “shumica e njerëzve
nuk e dëshirojnë.”

Izraelitët dhe palestinezët “mund të zgjedhin
të jetojnë së bashku në një shtet, ose mund të ndahen në dy shtete,” tha zoti
Kerry.”Këtu është thelbi i realitetit: në qoftë se zgjidhja është me një
shtet, Izraeli mund të jetë ose hebre, ose demokratik, por ajo nuk mund t’i ketë
të dyja,” tha ai.

Reagim i ashpër

Aktiviteti i dendur diplomatik në ditët e fundit të
presidencës së Barak Obamës, shkaktoi një reagim të ashpër nga udhëheqësit
izraelitë.

Kritikat vazhduan edhe të martën, kur Presidenti i
zgjedhur Donald Trump sulmoi përsëri administratën Obama për trajtimin e
Izraelit, aleatit të vjetër të SHBA.

“Ne nuk mund të vazhdojmë të lejojmë që Izraeli
të trajtohet me një përbuzje të tillë totale dhe mungesë respekti,” shkruante
zoti Trump në Twitter, duke shtuar: “Qëndro i fortë Izraeli, 20
janari po afrohet shpejt.”

Edhe udhëheqësit izraelitë reaguan ndaj fjalimit të
zotit Kerry, madje para se ai të mbahej, duke e quajtur atë një hap
anti-demokratik.