Sekretari amerikan i Mbrojtjes letër falënderimi Kodhelit (FOTO)

488
Sigal

Pak ditë pas ‘përplasjes’ mes Athinës dhe Tiranës dhe deklaratave që shkëmbyen në distancë ministrat e mbrojtjes së Greqisë dhe Shqipërisë një mesazh mbështetjeje vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli mori një letër falënderimi nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes z.Ash Carter.

Sekretari i mbrojtjes vlerësoi lidershipin e ministres Kodheli në përpjekjen e saj për të modernizuar dhe të rritur kapacitetet e Forcave të Armatosura Shqiptare si dhe siguroi mbështetjen e SHBA-ve në këtë proces.

Ai gjithashtu shprehu falënderimet e tij sa i takon konsultimeve bilaterale në fushën e mbrojtjes të zhvilluara në maj të këtij viti mes dy institucioneve.

“Dua t’ju falënderoj për pritjen e konsultimeve dypalëshe me zv/Ndihmësin e Sekretarit të Mbrojtjes dhe delegacionin e tij në muajin maj. Ne e vlerësojmë shumë udhëheqjen tuaj në modernizimin dhe përmirësimin e aftësive të Forcave të Armatosura Shqiptare dhe do të vazhdojmë t’ju mbështesim juve në këtë përpjekje”, shkruhet në letër.