Sejdini: Banorët do të jenë vetë administratorët e ish-komunave

440
Kreu i bashkisë së Elbasanit, njëherazi edhe kandidat i të majtës për kryetar bashkie në mandatin e tij të tretë, Qazim Sejdini, është ndalur në zonat Godolesh, Labinot, si dhe në disa lagje të qytetit. Në këto takime Sejdini e ka fokusuar fjalën e tij tek emërimi i administratorëve të ish-komunave, administrimin e buxhetit për komunat, si dhe për projektin shumë të vlerësuar tashmë, atë të “ buxhetimit me pjesëmarrje”.
“Edhe pse emërimi i administratorëve është kompetencë e kryetarit të bashkisë, do të caktoj administratorë të cilët janë banorë dhe vendas në komunat përkatëse dhe vlerësimi i punës së tyre, pra qëndrimi në atë post, do të varet vetëm nga sa ata do t’i shërbejnë banorëve të zones”, tha Sejdini.
Përsa i përket fondeve që do t’i caktohen komunave, Sejdini bëri të qartë që çdo vendim do të merret duke u konsultuar me banorët. Duke vazhduar në përvojën e deritanishme në Elbasan, kryetari i bashkise, Qazim Sejdini, theksoi se “gjatë tetë vjetëve që drejtoj bashkinë e Elbasanit, proçesi i buxhetimit me pjesëmarrje ku janë qytetarët ata që vendosin për investime kryesisht në infrastrukturë, ka qenë real, gjithëpërfshirës, nuk ka qenë kurrë farsë dhe pikërisht për këtë Bashkia është vlerësuar edhe nga institucionet ndërkombëtare”, ndërsa shtoi se “e njëjta procedurë do të zhvillohet natyrshëm edhe në Elbasanin e ri”.
Sigal