SEECP, Bushati: Bashkëpunim mes vendeve/ Daçiç: Serbia përpjekje për fqinjësi të mirë

473
Në Tiranë nisi sot punimet Konferenca Rajonale e ministrave të Europës Juglindore, e cila mbledh krerët e diplomacive të Ballkanit Perëndimor. Konferencën e nisi Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, i cili në fjalën e tij përshëndetëse ka theksuar rëndësinë e këtij takimi për një fqinjësi të mirë mes vendeve të rajonit. Bushati ka kërkuar më tepër bashkëpunim mes vendeve kyç të rajonit duke përfshirë edhe organizatat civile për një rajon më të zhvilluar ekonomikisht dhe politikisht.
Ministrat e Jashtëm të Rajonit janë mbledhur sot në Tiranë në samitin e SEECP. I pranishëm në samit është ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç ndërkohë që mungon ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias.
Daçiç në këtë aktivitet theksoi se Serbia ka kontribuar për stabilitetin në rajon si dhe po bën përpjeke për fqinjësi të mirë. “Sa i përket perspektivave dhe rrugën tonë drejt BE, jam dakord me ju që janë arritur disa rezultate. Serbia ka kontribuar për stabilitetin në rajon, është duke bërë përpjekjet e saj për fqinjësi të mirë, përfshirë këtu edhe dialogun me Prishtinën. Kjo është parë me atë që kemi bërë në rrugën e BE-së”, tha ai.
Duke u ndalur tek çështjet e brendshme të Serbisë, Daçiç veçoi disa reforma të ndërmarra në kuadër të përshpejtimit të rrugës drejt BE-së. “Kemi ecur përpara në shumë fusha siç është ajo në luftën ndaj krimit, kemi pasur investime të shumta, kemi implementuar ligje të shumta që kanë të bëjnë me reformën në siguri, reformën për taksat. Po bëjmë përpjekje për reformën në administratë publike”, u shpreh Daçiç.
Pas këtij samiti Shqipëria do t’i dorëzojë kryesimin Bullgarisë. 
Sigal