Seanca Plenare – Blushi, thirrje deputetëve: “Tregojeni me votë se kush është në kazan e kush do të dalë prej kazanit”

371
Deputeti Ben Blushi, kreu i partisë “LIBRA”, teksa kujtoi nga salla e Kuvendit se është plotësuar afati 8 javë për shqyrtimin në seancë të ligjit, ka ftuar deputetet të provojnë me votë se kush është në kazan e kush do të dalë prej kazanit
Sigal

Gjatë fjalës në foltore, Blushi ka akuzuar palët politike për hipokrizi përballë vullnetit të popullit lidhur me ligjin në fjalë.

“Nuk ka një justifikim, apo alibi pse dekreti i presidentit që rrëzon ligjin për importin e mbetjeve nuk është në seancë për votim dhe ata që patën kurajën të mbrojnë arsyen se pse vendi do mbushet si kazan, nuk patën guximin të thonë pse dekreti nuk është në seancë. Një arsye që flas kështu është ti provokojë që të kuptojnë shqiptarët se sa cinikë e të pabesueshëm janë këta. Sillni ligjin në seancë e të ndahet kush do të rrijë në kazan e kush do të dalë, keni dy muaj që jetoni në kazan dhe kundërmimi po e ndot vendin”- tha Blushi.

Ai sqaroi se pse nuk sillet ligji për votim në Kuvend. “Unë e di pse nuk sillni ligjin apo dekretin, sepse, nuk është se besoj se nuk keni vota, se vota keqbërësish ka me shumicë në kuvend, nuk e sillni për shkak të presionit popullor që është mbledhur te dera e Kuvendit dhe mbrëmë i keni marrë me polici, dhe se ka një palë që nga frika e presionit kërkon ta modifikojë ligjin që bie në kundërshtim me procedurën parlamentare që dekreti rrëzohet, apo miratohet dhe pastaj të modifikohet”- tha ai, duke shtuar se ligji “ka përmbushur afatin e 8 javëve për tu shqyrtuar”.

Blushi tregoi rrezikun që i kanoset vendit nga ligji në fjalë duke thënë se tashmë janë gati plehrat e fqinjëve drejt vendit tonë.

“Përreth nesh janë bërë gati kazanët e jugut të Italisë dhe Greqisë veriore për tu derdhur në vend, po më thoshte një mik që kishte takuar kreun e bashkisë së Korfuzit dhe ai kishte thënë kalojeni ligjin se nuk kemi ku i cojmë mbetjet, ti sjellim në Sarandë, kjo është çështja”- Blushi.

Sipas tij, në rajon nuk ka asnjë vend që ka një ligj të ngjashëm. “I kam ftuar kazanollogët e Rilindjes të thotë kush ka ligj të ngjashëm, do thonë që BE na kërkon të fusim mbetjet, unë nuk besoj që BE na kërkon kur ne nuk kemi kapacitet, por kemi më shumë mbetje se c’i duhen industrisë së riciklimit për të dalë me fitim. Nga Kroacia, Mal të Zi, Maqedoni, që ka ligj që importon mbetje se nuk kanë kapacitet, e BE nuk i bën presion ti kthejë në kazan plehrash”- tha ai.