Seanca përkujtimore, Ndregjoni dhe Bushati: Farsë, Rama dhe Basha vazhdojnë lojën

584
Emrat e deputetëve të pushkatuar janë përdorur politikisht si nga e majta dhe nga e djathta. Ligji i dosjeve është një farsë. Sot në Kuvend kemi figura të komunizmit
Kuvendi i Shqipërisë përkujtoi dje 70-vjetorin e ekzekutimit makabër të deputetëve që guxuan të thoshin të lirë fjalën e tyre, guxuan të kërkonin demokracinë edhe pse vetëm dy vite pasi në vend ishte instaluar komunizmi. Por kjo seancë nuk është pritur mirë nga një pjesë e atyre që kanë vuajtur në atë periudhë. E kanë konsideruar fasadë, madje kanë fajësuar politikanët, të cilët emrat e tyre i kanë përdorur sipas interesave personale. 

Besim Ndregjoni: Presidenti i Unionit të të Përndjekurve.
“Këtu është për të qarë e për të qeshur. 70 vjetori i vrasjes së deputetëve sot duhet të ishte ditë kombëtare për politikëbërjen dhe jo të përdoreshin politikisht. Kryeministri me fjalimin e tij që ishte për mendimin tim një papërgjegjshmëri e lartë politike e transferoi krimin politik nga Enver Hoxha tek tre oficerë që i përmendi aty. Sot për mua deputetët u fyen nga ajo seancë parlamentare. Nuk u hapën dosjet e këtyre deputetëve se përse u vranë vetëm u përmendën kalimthi se u ekzekutuan, por për çfarë u ekzekutuan këta deputet? Këta deputet u ekzekutuan se deshën që Shqipëria të ishte në Evropë me pozitë dhe opozitë. Ishin këta deputetë që kërkonin që diktatura komuniste dhe partia komuniste të kthehej në një parti social demokrate evropiane dhe aspak në një parti sunduese dhe kriminalizuese. Këta deputet u ekzekutuan se deshën fjalën e lirë. Atë fjalë të cilën edhe sot pas 70 vitesh në vendin tonë nuk është e lirë. Deputetet ishin mbrojtësit e fjalës së lirë dhe të opozitës kundër diktatorit Enver Hoxha. Sot asnjëra palë as pozita dhe as opozita, nuk dënuan krimet e Enver Hoxhës, por bënë një përkujtim sipërfaqësor, sa për të larë gojën. Sot salla e parlamentit duhet të ishte mbushur me fotografitë e deputetëve të vrarë dhe me dosjet e krimeve dhe me emrat e kriminelëve që i vranë, Enver Hoxha, Mehment Shehu, Koçi Xoxe. Sot Edi Rama dhe Lul Basha duhet t’i kërkonin falje shqiptarëve që për 27 vite nuk ndërtuan një memorial për krimet e komunizmit. Nuk ndërtuan një muze. E gjithë është nja fasadë për të mos cenuar krimin komunist, por për të larë gojën… që i kujtuam edhe këta deputetë. Sot politikëbërja duhet të shkonte të bënte homazh ndaj trupave të tyre, po ku janë varret e tyre? Varret e tyre nuk dihen…

Dihet që këta, megjithëse morën pjesë në Luftën e Dytë Botërorë kundër pushtuesve, nuk pranuan diktatin e Partisë komuniste, për mos me pas mendim ndryshe dhe fjalë të lirë. Dhe ata nuk pranuan megjithëse kishte dy vjet që Shqipëria ndihej nën pushtetin e komunizmit. Nuk iu kërkua ndjesë shqiptarëve që për 27 vite nuk kemi arritur t’i dënojmë këto krime. Ata vazhduan lojën e tyre. Sot nuk e përmendi kush rikthimin pas 27 viteve në politik bërje. Në parlament i kemi të gjithë, Ruçi, Xhafa. Kemi dhe gjyqtarë, prokurorë, kryetarë gjykatash” .
Endira Bushati: Ish-kryetare e AMA
70 vite më pas nga ekzekutimi i “Grupit të Deputetëve”. Pas 70 viteve, përkujtohet ky turp në Parlament. Janë aty të gjithë: Rama, Basha, Ruçi, përfaqësues, bij, nipër e mbesa të atyre që vranë “Deputetët”. Ruçi si përfaqësues i denjë “i fundit”, por edhe “i parë”.

Por janë aty dhe “Ata” që duhet të përfaqësonin ata që kërkojnë “drejtësi” për “deputetët” dhe diktaturën. Ky parlament nuk duhej të bënte një lojë të tillë. Aty ndodhen të gjithë edhe ata që votuan për Ruçin dhe që ishin pjesë e PD-së. Kjo gjë u bë vetëm për protokoll, për sy e faqe përpara të huajve dhe asgjë më shumë. Unë do të mendoja se kjo është një amnisti dhe një mbyllje kapitulli, një “hedhje pas” pa dhënë drejtësi. A nuk është poshtëruese e tallëse që “Deputetët” t’i kujtojë e njëjta parti që i vrau? Po pse PD duhet të ishte e pranishme? Pse duhej ta legjitimonte këtë turp e neveri? Apo teatri vazhdon?!. 
Sigal