Seanca mbyllet në 15 min. Meta: PD s’di rregulloren,votojmë ligjet!

431
Sigal

TIRANE – Seanca e sotme parlamentare, e para që nisi në orarin e përcaktuar (në orën 10:00) është mbyllur në një kohë rekord, prej vetëm 15 minutash. Ashtu siç ishte parashikuar seanca nisi me tensione me deputetët e opozitës që kanë kërkuar menjëherë largimin e kryeparlamentarit Ilir Meta.

Deputetët e PD kanë bllokuar edhe këtë radhë foltoren e Kuvendit, duke kërkuar dhe rënë tavolinave që kreu i Kuvendit Meta të dorëhiqet. Por kjo nuk e ka penguar kryeparlamentarin që të vijojë me rendin e ditës, duke shqyrtuar projektligjet dhe miratuar ato në vetëm 10 minuta seancë.

Por edhe pse seanca nisi në orarin e përcaktuar, kanë qenë sërish deputetët e opozitës ata të cilët kanë ardhur me vonesë, ku një pjesë e tyre me në krye ish-Kryeministrin Sali Berisha, i cili me mbërritjen e tij me 15 minuta me vonesë, humbi seancën.

Ora 10:10 Nis votimi i projektligjeve
Edhe deputetet e mazhorances kane bllokuar foltoren duke krijuar zhurme, kjo nuk e ka ndaluar mazhorancen dhe kryeparlamentarin te vijoje me rendin e dites duke shqyrtuar dhe votuar projektligjet. 

Ora 10:03 Ristani Meta të dorëhiqet! Kryeparlamentari: Djali s’di rregulloren, ndërpritini fjalën.
Ristani: Rendi i ditës sot, urgjenca e vetme është të gjejmë rrugëqn për ta detyruar kryetarin e parlamentit të japë dorëheqjen.
Meta: Ky djali nuk e njeh rregulloren. I ndërpritet fjala. Ju vazhdoni bjerini belfit. 

Rendi i ditës në Kuvend:
1. Projektligji “Për sistemin e depozitës për menaxhimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë”. (vazhdon shqyrtimi në komision)
2. Projektligji “Për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë”. (vazhdon shqyrtimi në komision)
3. Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 7746, datë 28.7.1993, “Për hidrokarburet (kërkim dhe prodhimi),” të ndryshuar.
4. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe Protokollit të zbatimit për aistencën financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë”.
5. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Austriake të Zhvillimit, për asistencën teknike për sistemin e ujësjellës-kanalizimeve”.
6. Projektvendim “Për zgjedhjen e kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
7. Projektvendim “Për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr. 48/2014 “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore tregtare”.