Schultz dhe Nuland në Tiranë. Kreu i PE fjalim në Parlament

434
TIRANË – Presidenti i Parlamentit Evropian Martin Schultz mbërrin sot në Shqipëri në vizitën e parë zyrtare në vendin tonë në këtë cilësi, në kuadër të turit Ballkanik. Në fakt vizita në Tiranën zyrtare është një premtim i Shultz dhënë tre vjet më parë kur u rizgjodh në krye të Parlamentit Evropian, e gjithashtu e konfirmuar edhe pas takimit që mbajti me kryeministrin Edi Rama në Bruksel dhjetorin e vitit të kaluar.
Pritjen e parë nga krerët e politikës shqiptare, Shultz do e ketë nga homologu i tij, kreu i Kuvendit Ilir Meta ku pritet që pas takimit të mbajnë një konferencë për mediat. Më tej në orën 12:45 Presidenti i Parlamentit Evropian do të takohet me kreun e shtetit Bujar Nishani e më pas me kryeministrin Edi Rama, me të cilin është parashikuar të ketë një konferencë të përbashkët për mediat.
Nderkohe te marten Shultz pritet te mbaje një fjalim para Parlamentit shqiptar
Pas përfundimit të takimeve në vendin tonë, ndalesa e radhës e kreut të Parlamentit Evropian do të jetë Serbia dhe Bosnja. Në Beograd Shultz do të pritet nga kryetarja e Parlamentit Gojkoviç, kryeministri Vuçiç dhe Presidenti Nikoliç. Stacioni i fundit është Saraveja, duke përmbyllur të enjten turin në Ballkan me një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Bosnjës, Crnadak.
Kjo nuk është hera e parë që socialdemokrati gjerman Martin Schultz viziton Shqipërinë, pasi ka qenë më herët në vendin tonë kur drejtonte grupimin e majtë të legjislativit.
Po sot në kryeqytetin shqiptar mbërrin edhe Ndihmes Sekretarja amerikane e Shtetit per Çeshtjet Evropiane dhe Euro-aziatike Victoria Nuland, e cila viziton Ballkanin Perëndimor në një tur 3 ditor. Në Tiranën zyrtare Nuland do të takojë kryeministrin Edi Rama dhe ne oren 14:30 Presidentit Bujar Nishani, kur pritet të përcjellë mesazhet e saj edhe për politikën në shqipëri.
Vizita e Nuland është në kuadër të turit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe pritet të ndalet në Kroaci, Mal të Zi , Shqipëri, Kosovë, Serbi dhe Maqedoni. Më pas Nuland udhëton drejt Britanisë së Madhe dhe më datën 17 korrik do të jetë në Bruksel.
Mësohet se në këtë vizitë zonja Nuland do të ketë në fokus të diskutimeve marrëdhëniet dypalëshe, çështjet rajonale dhe ato Euroatlatike. 
Të mërkurën Kotzias në Tiranë
Po ashtu ditën e mërkurë në vendin tonë do të mbërrijë ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias.
Ndonëse ende nuk ka një axhendë zyrtare mësohet se kryediplomati grek do të zhvillojë takime me të gjitha palët politike në vend, ndërsa parashikohet një konferencë e përbashkët me homologun Ditmir Bushati. Mësohet se në tryezën e diskutimeve me ministrin Bushati do të flitet për një sërë çështjesh që presin zgjidhje mes dy vendeve. Përveç temave të nxehta të marrëdhënieve mes dy vendeve, mësohet se nuk do të lihet jashtë vëmendjes edhe projektet e përbashkëta energjetike, e specifikisht vëmendje të veçantë do të ketë projekti për gazsjellësin tap. Kryediplomati grek pritet që përveç Tiranës të vizitojë edhe vende të tjera në Ballkanin Perëndimor. 
Sigal