Sarandë – Rrokaj: LSI i bën aleancat për interesat e vendit, jo për kërshërinë apo interesat tipike partiake të saj

401
Sigal

 

Kete te diel, kandidati për Kryetar i LSI-së, z. Shezai
Rrokaj, zhvilloi takime me strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim në
Sarandë dhe Delvinë

 

Në kuadër të zgjedhjeve të 6 nëntorit,
kandidati për Kryetar i LSI-së, z. Shezai Rrokaj zhvilloi takime me strukturat
e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Sarandë dhe Delvinë.


Gjatë këtij takimi, kandidati për kryetar të
LSI-së, z. Rrokaj theksoi se gara për datën 6 nëntor është një garë
alternativash, një garë mendimi dhe idesh.


“Sa vlen akti i votës, nuk vlen për kë jepet
vota. Unë si intelektual, problemin tim e kam me mendimin tim, me çfarë do të
them. Mua më janë krijuar të gjitha mundësitë siç tregon edhe ky takim që kudo
të kem të drejtën të shpreh hapur mendimet e mia. LSI-ja nuk është vetëm e Ilir
Metës. Partia është e gjithë secilit prej nesh. Partia është pronë e çdo
anëtari. Shqiptarët kanë nevojë për projekte. Një vend shumë i begatë, me
detin, me fushat, me malet, me një rini, është e pakonceptueshme se si ky vend
të mos bëjë hajër, njerëzit të mërziten, njerëzit ta braktisin atë”, tha z.
Rrokaj.


Më tej, z. Rrokaj u shpreh se LSI duhet të
investojë për rininë, duhet të investojë për familjen, duhet të investojë në
kuptimin e hapjes ndaj cilësisë së përfaqësimit.


“Në qoftë se do të jemi një parti që delegoi,
promovoi trurin e aftë, e ndershëm, i cili merr përgjegjësi për vendin, atëherë
ne kemi shanse më të mëdha për të bërë një LSI të mirë gjatë zgjedhjeve në
parti, për të bërë një LSI shumë më të mirë gjatë zgjedhjeve në pushtetin
vendor dhe për të bërë një LSI shumë më të mirë gjatë zgjedhjeve që na presin
në 2017-n”, – tha z. Rrokaj.


Kandidati për kryetar të LSI-së shprehu
besimin se kjo forcë politike mund të dalë e para në zgjedhjet e përgjithshme
parlamentare që do të zhvillohen në 2017-n.


“LSI-ja sot mund të mendojë, mund të besojë
dhe mund të punojë në qoftë se ne do të kemi solidaritet me njëri-tjetrin,
vullnet me njëri-tjetrin për të qenë forcë e parë politike. Dikush ka qeshur.
Unë nuk qesh me mendimet e mia sepse besoj në mendimet që them. Kjo nuk do të
thotë se ne nuk mund të bëjmë aleanca. Por ne nuk duhet ta mbajmë më parë
mendjen se me kë do të duhet të bëjmë aleancë, se sa mendjen që ne të fitojmë
për të qenë forcë e parë. Dhe në qoftë se ne i vëmë qëllim vetes, në qoftë se
ne hapemi ndaj qytetarëve, në qoftë se ne LSI e bëjmë pjesë reale të shoqërisë
në nivele të ndryshme të qytetarit, të fermerit, të sipërmarrësit, të
intelektualit, unë them që ne mund të guxojmë të jemi forcë e parë politike në
2017-n”, – shtoi z. Rrokaj.


Gjithashtu, në fjalën e tij, z. Rrokaj theksoi
se Lëvizja Socialiste për Integrim ka treguar se është një parti luajale në
aleancat e saj dhe aleancat nuk i bën për kërshërinë apo interesat tipike
partiake të saj, por i bën për interesa më të mëdha që janë interesat e vendit.


“Ishte e panatyrshme aleanca me PD-në, por pa
atë aleancë ne nuk do të kishim marrë vizat në mandatin e parë dhe sot
qytetarët lëvizin të lirë apo siç pati arritje të tjera”, – theksoi z. Shezai
Rrokaj.