Samiti për Klimën në Paris, Nishani: Shqipëria e bazuar tek energjia e rinovueshme

491
Nga kryeqyteti francez që u trondit nga sulmet terroriste të 13 nëntorit, presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani ka shprehur solidaritetin e vendit tonë në këtë beteje kundër akteve barbare. Duke mbajtur një fjalë në takimin e e liderëve botërore në kuadër të Konferencës se OKB-së mbi ndryshimet Klimatike, kreu i shtetit shqiptar foli për qëndrimin e qartë të Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit.
“Përfitoj nga rasti të shpreh edhe njëherë solidaritetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve për parisienët, popullin francez dhe Francën, pas akteve barbare terroriste të 13 nëntorit, duke uruar kapërcimin sa më shpejt të kësaj situate”, – tha Nishani.
Duke folur për ndryshimet klimatike, presidenti Nishani tha se Shqipëria është në pozicion unik sa i përket emetimeve të ulëta të gazeve me efekt serrë, pasi sektori i prodhimit të energjisë elektrike është plotësisht i dekarbonizuar dhe afro 1/3 e prodhimit parësor të energjisë bazohet në energjitë e rinovueshme. Kreu i shtetit, siguroi se Shqipëria do të bëjë çdo përpjekje që i duhet në këtë fushë në kuadër të procesit të integrimit në BE.
“Në interesin më të mirë të arritjes së një Marrëveshje globale, Shqipëria si Vend Kandidat në Bashkimin Evropian, do të bëjë përpjekjet maksimale për realizimin e objektivave të përcaktuar në INDC për një Zhvillim të Qëndrueshëm. Gjithashtu, institucionet shqiptare, në linjë me politikat e Bashkimit Evropian, po punojnë për përgatitjen e strategjisë kombëtare për ndryshimet klimatike, planin kombëtar të përshtatjes dhe legjislacionin përkatës në këtë fushë”, – u shpreh Nishani. Në takimin mbi Ndryshimet Klimatike COP21 në Paris të organizuar me iniciativë të Presidentit francez François Hollande dhe Ministrit të Jashtëm francez, morën pjesë udhëheqës të 100 shteteve dhe qeverive të ndryshme të botës.
Sigal