Samiti i Vjenës/ Rama: Me drejtësinë mbyllim detyrimet, data i takon BE-së

466
“Ne me reformën në drejtësi mbyllim të gjitha detyrimet tona dhe pastaj i takon BE-së të vendosë datën për hapjen e negociatave” ka deklaruar kryeministri Edi Rama në një intervistë në mbyllje të punimeve të Samitit të Vjenës. Lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën Rama tha: Europa ta heqë nga supet e veta barrën e këtij turpi të madh”
Intervista 
-Zoti Kryeministër, Samiti i Vjenës u mbyll, çfarë u arrit në të?
Kemi vendosur piketat për të vazhduar vitin e ardhshëm, duke filluar që nga shtatori ku do të punojmë bashkërisht me institucionet financiare europiane për një koncept mbi alternativat e financimit të projekteve, duke vazhduar me fillimin e punës për projektin e fizibilitetit për Korridorin e kaltër, pra, për autostradën e re që lidh jugun e Kroacisë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë dhe që do të sjellë të mira të mëdha për ekonominë e vendit tonë, pasi do të sigurojë një lëvizje shumë më intensive, qoftë për njerëzit, për mallrat dhe mënyrë të veçantë për të gjithë ata që janë të dëshiruar ta shohin Shqipërinë si destinacion turistik.
Kemi folur po ashtu për finalizimin e projektit të fizibilietit për rrugën Beograd-Nish-Prishtinë-Durrës, që do të bëjë të mundur intensifikimin e fluksit dhe është rënë dakord që të punohet mbi dy idetë tona të propozuara lidhur, nga njëra anë Unionin ekonomik, unifikimin e të gjitha procedurave dhe rrëzimin e barrierave tarifore mes vendeve tona dhe njëkohësisht nga ana tjetër për të ngritur një bankë rajonale të zhvillimit.
-Edhe këto ditë gjatë Samitit të Vjenës, jeni shprehur se është turp që ende ekziston regjimi i vizave për shtetasit e Kosovës.
Unë jam shumë besimplotë që përshtypjet që ne po japim, por dhe mirëkuptimi i madh që gjejmë për këtë çështje do të sjellin së shpejti rezultatin e dëshiruar që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirisht dhe Europa ta heqë nga supet e veta barrën e këtij turpi të madh.
-Serbia gjatë Samitit mori dhe njëherë dritën jeshile për negociatat. Shqipëria kur është gati?
Serbia të mos harroni që dritën jeshile për të filluar negociatat e ka marrë kohë përpara por gjithçka ka qenë e bllokuar për shkak të procesit të dialogut me Kosovën. Kushtëzimi me ecurinë e këtij procesi ka bërë që Serbia të bëjë të gjitha përpjekjet e saj për të avancuar në dialog. Kështu që janë dy gjëra të ndryshme. Ndërkohë që unë besoj që ajo që kemi përsëritur mbetet aktuale. Ne me reformën në drejtësi mbyllim të gjitha detyrimet tona dhe pastaj i takon BE-së të vendosë datën për hapjen e negociatave.
Sigal