Samiti i Ohrit, reagon BE: Nuk duhet përjashtuar asnjë vend i Ballkanit Perëndimor

433
Sigal

Vjen reagimi i parë i Bashkimit Europian për Samitin e Ohrit ku krerët e 3 shteteve vendosën të shtyjnë më tej iniciativën për Shengenin Ballkanik. Në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësja Maja Koçijançiç ,tha se këto iniciativa për rritjen e bashkëpunimit rajonal janë të mirëseardhura, por tërheq vëmendjen për të përfshirë aty të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe që nisma të tilla të jenë në përputhje me të gjitha rregullat e Bashkimit Evropian.

“Është e rëndësishme që nismat rajonale të përfshijnë të gjithë partnerët në Ballkanin Perëndimor, dhe të jenë në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian, duke u bazuar gjithmonë në angazhimet e marra më herët”, – tha zëdhënësja e BE-së.

Kocijancic shton se bashkëpunimi rajonal është një element esencial për perspektivën Evropiane të Ballkanit Perëndimor. Ajo thotë se e mirëpresin faktin se në përfundimet e Samitit të mbajtur në Ohër, thuhet se masat që do të dalin nga kjo nismë rajonale nuk do të zëvendësojnë asnjë dhe do të respektojnë të gjitha angazhimet e marra nga marrëveshjet ekzistuese siç është marrëveshja e CEFTA-s dhe Traktatin e Komunitetit të Transportit.