Samiti i NATO, Rama: Shqipëria e vlerësuar dhe kërkuese në gjirin e Aleancës

521
Sigal

Me mbylljen e Samitit dy ditor në Uells, Shqipëria u vlerësua për rolin e saj në gjirin e Aleancës së NATO-s.” Kështu deklaroi kryeministri i vendit, Edi Rama, ku me anë të një të mesazhi në rrjetin sociale “Facebook”, theksoi dhe disa nga arritjet e këtij Samiti, në të cilin mori pjesë dhe delegacioni shqiptar, i kryesuar nga ai vetë, së bashku me Ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushatin dhe Ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Rama theksoi se delegacioni shqiptar kërkoi që Shqipëria të marr seriozisht rreziqet në rajon dhe përshpejtim të zgjerimit të NATO-s në rajon. Përkundër rezervave të Athinë zyrtare dhe homologut të tij grek për reformën territoriale, shefi i qeverisë shqiptare i qëndron faktit se kjo mbetet një çështje e brendshme e Shqipërisë. Duke folur për gazetarët në Wales, Rama tha se, reforma është një vendim në frymën e interesit kombëtar dhe në frymën e mbrojtjes pa asnjë ngurrim të minoriteteve. “Ndarja territoriale administrative është një atribut i organeve vendimmarrëse të Shqipërisë. Dhe organet vendimmarrëse, qeveria pastaj kuvendi kanë marrë një vendim në frymën e interesit kombëtar dhe në frymën e mbrojtjes pa asnjë ngurrim të minoriteteve, lirive dhe të drejtave të tyre. Kështu që për ne nuk ka një çështje të tillë. Absolutisht për ne është e domosdoshme që të shkojmë përpara me këtë reformë nga e cila përfitojnë të gjithë shtetasit shqiptar, qofshin ata me kombësi shqiptare apo greke”. Lidhur me takimin me homologun Samaras, Rama nuk zbuloi qëndrimin e palës greke për marrëveshjen detare, por nënvizoi se çështja duhet zgjidhur një orë e më parë pasi nuk ka kthim pas. Kryeministri tha se duhet një zgjidhje e qëndrueshme, e pranuar nga të dy palët. Rama zbuloi edhe ftesën që i kishte bërë homologut grek për të vizituar Shqipërinë, ftesë e cila ishte pranuar nga Samaras. “Ne kemi një pozicion shumë të qartë për këtë, dialog- dialog- dialog, barazi-barazi-barazi dhe vullnet-vullnet-vullnet, për të gjetur zgjidhjen një orë e më parë të një çështje ku nuk mund të kthehemi pas, por duhet të shkojmë përpara. Na duhet një zgjidhje e qëndrueshme dhe e pranuar plotësisht nga të dy palët, çka është besoj unë qasja e palës greke. Dhe besoj po ashtu që është në dorën tonë, që siç kemi bërë progres për disa nga çështjet të bëjmë progres dhe këtë çështje, duke mos harruar të vazhdojmë të kërkojmë heqjen e ligjit absurd të luftës mes të dy vendeve. Me kryeministrin Samaras kemi një dialog jashtëzakonisht konstruktiv, të hapur, miqësor. I kam bërë ftesë të vizitojë Shqipërinë, e ka pritur ftesën me kënaqësi. Dhe nga ana tjetër besoj dhe besojmë që çështjet mes nesh janë një arsye më shumë për të kuptuar që jemi fqinjë, që ndajmë murin e oborrit dhe e kemi të domosdoshme të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, aq më tepër kur na duhet të forcojmë si me Greqinë, si me Italinë, Turqinë si dhe gjithë vendet që kanë një impakt në rrjedhën e krimit të organizuar, bashkëpunimin”. Më tej Kryeministri theksoi nevojën e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit në luftën kundër terrorizmit. Rama foli dhe për deklaratën e përbashkët të vendeve të NATO-s për mosprekjen e buxhetit të mbrojtjes dhe mundësitë qe ka vendi ynë për të përmbushur këtë angazhim në kushtet e një situate të vështirë financiare.