Sali Berisha: Shqipëria e diktaturës me 140 mijë dosje agjentësh, përfshi edhe me UDB

540
Ish – Presidenti i Republikës në periudhën 1992-1997, Sali Berisha iu është përgjigjur pyetjeve të moderatorit Roland Qafoku për angazhimin e tij politik, qysh nga vitet nëntëdhjetë e deri në ditët e sotme. I pyetur për rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës, Berisha pranon se kjo ndodhi për shkak të zhvillimeve të ngjashme në shumë vende të ish Europës Lindore, ndikimit të Zërit të Amerikës dhe thirrjeve të Atit të Shenjtë të Vatikanit. Shqipëria, tha ai, ishte vendi më stalinist, më i izoluar, pa grupe disidente, por megjithatë arriti të bëjë një kalim paqësor nga komunizmi në demokraci. Berisha mohoi që të kishte lidhe mes 2 korrikut në Shqipëri dhe atij në Kosovë. Po ashtu Berisha tha se intelektualët u bënë mbështetësit e lëvizjes studentore duke i dhënë një dimension tjetër asaj. I pyetur për rolin e Ramiz Alisë, pas vdekjes së Hoxhës, Berisha tha se “Ramiz Alia kishte udhëheqjen e vendit, por zot absolut i vendit ishte Nexhmije Hoxha dhe Sofokli Lazri. Alia në shumë raste dukej një kukull në duart e tyre”. PD, tha ai, pas themelimit u ballafaqua me de-Enverizimin, si një proces i vështirë dhe shumë planësh. Kërkesa për heqjen e simboleve nisen me Bislim Ahmetaj në degën e PD në Kamëz, në ditët e para të shkurtit, me fillimin e lëvizjes së grevave që çuan në heqjen e emrit. Ishin 13 kërkesat e studentëve që kërkonin heqjen e emrit të universitetit Enver Hoxha, në një kohë kur ata nuk e kishin atë emër. Më 6 shkurt nisëm në Kamëz Hajdarin dhe Imamin, ndërsa takova edhe Bislimin dhe nga 13 kërkesat, 2 ishin politike, nga të cilat ata s’lëshonin pe. Organizuam solidarizimin me ta, Imami shkoi te Artet dhe Hajdari në “Qytet Studenti”. Më 9 shkurt është bërë aktivi i degës së PD për universitetin në Pallat të Kulturës për të shpallur platformën elektorale dhe u firmosu peticion për heqjen e emrit. Në vazhdim, në shtëpinë e Gramoz Pashkos me Imamin dhe një grup anëtarësh të komisionit nismëtar të PD, u formuluan kërkesat për studentët e UT. Në atë moment u është thënë atyre se “ju do të udhëhiqni, ne do ju mbështesim”. Pse? PD nuk donte që çështjen e heqjes së emrit ta shndërronte në një çështje midis saj dhe PPSH, se kjo bëhej një çështje ndërpartiake pastaj. PD donte që PPSH përballej me një forcë të tretë, e cila në tërësinë e saj ishte po PD. E vështirë për t’u realizuar, por u realizua në mënyrë efiçente.

Përgjigje për deklaratat më të bujshme
Moderatori Qafoku i ka kujtuar Berishës disa nga deklaratat e tij, duke i përmendur fillimisht atë për Kosovën. Më 11 dhjetor 1990, tha Berisha, Mustafaj dhe Çashku më thonë se e kemi kryer detyrën dhe do shkojmë, ndërsa unë u thashë se nuk tërhiqem për të ndihmuar Kosovën dhe për demokracinë. Qëllimi im maksimal ishte pluralizmi që e arrita, unë kisha investuar shumë në profesionin tim, por Kosova ishte një çështje e tradhtuar. “Tropoja deri në Fierzë është Kosovë, tha Berisha. Familja ime të gjitha miqësitë i kishte në Kosovë, kishte përkrahur fuqishëm Luftën duke besuar te konferenca e Bujanit dhe marrëveshja që u arrit që Kosova të bëj referendum pas mbarimit të Luftës”. Berisha tha në emision se djali po rikonstruktonte edhe kullën që daton nga vitit 1860-1870, e djegur tre herë nga turqit dhe serbët. Ndërkaq Berisha flet edhe për origjinën e disa politikanëve shqiptarë: “Rugova është nga veriu i Pejës, Jahjaga ka shtëpinë 20 – 30 metër larg shtëpisë sime, Alia është nga Kasaj”. Më poshtë Berisha ka dënuar veprimet e opozitës aktuale në Kosovë, që sipas tij “po i vë kazmën shtetit të ri të Europës”. 

Lidhjet e Sigurimit të Shtetit me UDB
Në këtë intervistë, ai ka dënuar gjithë veprimtarinë e Enver Hoxhës dhe ka vlerësuar atë të Abaz Kupit. I pyetur për rolin e Sigurimit të Shtetit, Berisha tha se “Sigurimi i Shtetit vendosi urat më të fuqishme me shërbimin serb. Ramiz Alia dhe Millosheviçi bënë gjithçka që të mbeten në pushtet si Gorbaçovet e Ballkanit. Ishte një moment jashtëzakonisht i vështire kur agjentura serbe vërshonte në mbështetje të regjimit të Ramiz Alisë dhe po këto veprime bëheshin në Kosovë”. I pyetur për mosdënimin e agjentëve serbë, Berisha tha se “veprimet e kryera nga agjentura serbe ’90 – ’92 i mbuloi ajo shqiptare. PD nuk kishte asnjë lloj aksesi dhe fuqie në vitet ’92. Ata që janë dënuar nuk ka interes t’i bëjmë publikë”. Berisha gjithashtu ka dhënë shpjegime për shprehjen e famshme të tij “të gjithë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë” duke thënë se “shoqëria shqiptare në ato vite 90 – 92 përbëhej nga njerëz të shtypur, torturuar, internuar, burgosur dhe nga pjesa tjetër, që kishte qytetarë të thjeshtë, fshatarë shumica, barbarë, xhelatë, njerëz që kishin vrarë pa gjyqe, njerëz që kishin spiunuar, valli vëllain, djali të birin, burri gruan. Nuk synoja me “bashkëvuajtës” dhe “bashkëfajtorë” as shtresën e shtypur, të burgjeve, as xhelatin, por të gjithë të tjerët që nuk kishin rezistuar ndaj kësaj barbarie, që ishin shumica dërrmuese e shqiptarëve”. 

Dosjet e agjentëve
I pyetur për dosjet e Sigurimit të Shtetit, Berisha tha se ka rreth 140 mijë dosje agjentësh. Kishte prej tyre, që kishin spiunuar shkrimtarë dhe pa diskutim që përqendrim të madh kishte te shkrimtarët, sepse ishin figura publike, por ky përqendrim ishte edhe në skajet më të largëta dhe në çdo qoshe të vendit, ku rekrutonin vëllain për të denoncuar vëllain, rekrutonin djalin për të denoncuar të atin, rekrutonin nusen për të denoncuar burrin dhe nëse ky kapitull hapej në Shqipëri mund të krijohej një dezintegrim të mijëra familjeve”. Berisha tha se edhe tituj dhe gradat diktatorit janë hequr që në 1992 me një rezolutë të Kuvendit. Po ashtu ai tha se në 1997 banditë deshën të merrnin presidencën, por ata u asgjësuan nga forcat e sigurisë. Ish Presidenti Berisha ka folur edhe për drejtimin e ri të PD duke thënë: “ Kanë qenë 3 vite shumë të vështira për PD, sepse humbi zgjedhjet. Përveç humbjes së zgjedhjeve, unë dhashë dorëheqjen dhe nuk kemi të bëjmë më me një kalim të drejtimit nga një kryetar tek një tjetër, por nga një gjeneratë në një gjeneratë tjetër. Ky është ndryshimi më i madh, më i thellë. Basha është gjeneratë tjetër. Kjo ndofta është specifika, e cila për mendimin tim është pozitive, por nga ana tjetër adaptimi ndaj një ndryshimi kaq të madh është një proces më kompleks. Kështu e gjykoj unë. Përpjekjet e PD janë të mëdha. Ka arritur në këtë periudhë, duke mos injoruar dobësitë dhe të metat, por ka arritur disa suksese spektakolare të qëndrueshme, të rëndësishme. Së pari, PD është e bashkuar, pavarësisht nga diversitetet e mendimeve, por ajo doli nga ky proces si një forcë politike e bashkuar dhe unë e quaj pozitive këtë. A ka luajtur rol kryesor këtu Lulzim Basha? Unë them, se ai ka luajtur rol kryesor. Së dyti, ai ia doli t’i bëjë vendit një shërbim, unë e quaj të madh për dekriminalizimin”. 
Sigal