Sali Berisha “shpall” autonominë e Luginës së Preshevës

514
“…Të dashur miq, shqiptarët e Luginës së Preshevës, që janë njëkohësisht qytetarët apo minoriteti më i shtypur në Europë, shpallën mbrëmë në një mbledhje të të gjithë të zgjedhurve të tyre Autonominë e Luginës, si një reagim legjitim për të garantuar të drejtat e tyre të mohuara nga regjimi serb…”.
Kjo ka qenë deklarata e ish-kryeministrit Sali Berisha, që ka habitur jo vetëm publikun shqiptar, por edhe vetë udhëheqësit politikë të Preshevës, e që gjithsesi nuk duan ta komentojnë shumë përpara kamerave.
“Dua të përshëndes përzemërsisht të gjithë të zgjedhurit e Luginës së Preshevës. Në një akt historik dhe me një përgjegjësi të lartë, ata shpallën dy ditë më parë autonominë e Luginës së Preshevës. Shqiptarët atje janë absolutisht më të shtypurit, më të diskriminuarit dhe me më pak të drejta në Europë”, përsëriti sërish deputeti Sali Berisha, gjatë seancës plenare të së enjtes në Tiranë.
Megjithatë, jo pak habi dhe hutim ka shkaktuar pohimi se, Lugina e Preshevës ka shpallur një autonomi natën vonë, për të cilën deri tani askush nuk ka dëgjuar. Kryetari i Këshillit Kombëtar shqiptar, Jonus Musliu, ka thënë se gazetarët kanë filluar të pyesin për këtë, por ai nuk e di se nga ka rrjedhur ky lajm.
Sigal