Sali Berisha: Sapo ra avioni në Divjakë, ANTA i vuri flakën dosjeve të krimit

468
Sigal

Ish-kryeministri bashkëbisedim me gazetarët: Droga, një fenomen me përmasa alarmante

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka marrë shkasë nga ngjarja e fundit me avionin në Divjakë, për të nisur një bashkëbisedim me gazetarët. Sipas tij, kryefjalë dje ishte “droga një fenomen”, që siç shtoi Berisha, ka marrë përmasa alarmante në vendin tonë. “Sot nuk mund të ketë fjalë tjetër përveçse drogë, qeveri droge, trafik droge. Asgjë nuk kërcënon më shumë shqiptarët, qenien, reputacionin, të ardhmen, sigurinë më shumë se droga. Fenomen jo i ri, rajonal dhe i përbotshëm, por me ardhjen e shokëve të krimit në pushtet, ky fenomen ka marrë përmasa të paimagjinueshme, ka marrë përmasa kolumbiane”,- tha ai. Duke akuzuar qeverinë “Rama” se, qëndron në krye të këtyre trafiqeve, Berisha nënvizoi se: “Qeveria i ka vënë trafikantëve në dispozicion porte, aeroporte, territore të vendit. Trafiku nga Shqipëria drejt fqinjëve tanë është 3 ose 4-fishuar sipas rastit. Pse unë flas për qeveri droge. Sepse këta kanë historikun e tyre të qartë në lidhje me drogën. Edi Rama erdhi në pushtet pas bashkëpunimit të ngushtë me shumë se çdo politikan tjetër me bandat më të rrezikshme nga ajo e rrugës së Kavajës tek e Lushnjës, Hakmarrja për Drejtësi e ajo e Dritan Dajtit. Droga është bërë kërcënim madhor kombëtar, nga i cili e pësojnë shumë më tepër ata që s’kanë asnjë lidhje me të. Territorin në Divjakë e morën në dorë bandat e trafikut, kur i kërkuam njerëzve të shkojnë ta filmojnë na thanë po na kërcënojnë trafikantët, morën territorin në kontroll”,- tha ai. Berisha më tej akuzoi kreun e Shtabit të Përgjithshëm të FA, Jeronim Baze dhe gjeneralin Leshi, se kanë gënjyer kur kanë thënë se, hapësira jonë ajrore ruhet nga NATO. “Gjeneralët në vend të shqyrtimit të akuzave të opozitës dolën me komunikata kundër opozitës, përdorën NATO-n për të gënjyer shqiptarët për të mbrojtur trafikun në Gjadër. Gjeneralët Lleshi dhe Baze shkuan deri aty sa mashtruan shqiptarët se NATO na ka garantuar se nuk ka aeroplan Renegat. Nuk është fjala këtu për ndrikullën Kodheli ajo është në krah të Ramës”,- shtoi Berisha.

Berisha shtoi se, është 6-fishuar edhe trafiku i drogës me Greqinë. Sipas tij janë vetë oficerët e policisë ata që çojnë trafikantët të blejnë drogë. “Policia çon trafikantët për të blerë drogën, oficerët pasi blihet droga marrin %, pasi marrin % e tyre iu hapet rruga trafikantëve drejt Greqisë”. Ish-kryeministri Berisha hodhi akuza edhe ndaj Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror, për zhdukjen e të dhënave lidhur me fluturimin e avionit të bllokuar në Divjakë. Sipas Berishës, “qeveria po bën gjithçka që të maskojë lidhjet e saj me drogën”. “Rënia e avionit u shoqërua me djegie të dosjeve dhe dokumenteve në Drejtorinë e ANTA-s dhe Albcontrol, duhet të zhdukeshin dosjet e krimit. Mesazhin për Gjadrin unë nuk e çova askund, sepse mu duk i pabesueshëm. Kur ne verifikuam, banorët e konfirmonin në mënyrën më të vendosur. Baronët e drogës, dyshja Rama-Meta menduan se do ta kalojnë me mushkonja. Ju garantoj se, shumë shpejt në brigjet e Shqipërisë do vijnë nëndetëset e drogës, do thonë janë balena. Qeveria që duhet të na mbrojë nga droga nga krimi qëndron në krye të trafiqeve. Nuk është gjë tritoli. Tritoli merr jetën e një njeriu dhe s’ka fatkeqësi më të madhe, por droga godet një shoqëri të tërë me të gjithë mekanizmat.”,- u shpreh Berisha, ndërsa ftoi qytetarët në protestën e parashikuar për ditën e enjte, për të kërkuar largimin e qeverisë.

 Protesta: Të heqim Ramën me mjete demokratike

Duke u ndalur tek protesta e opozitës, Berisha tha se Rama duhet hequr, pasi nuk e njeh dorëheqjen. Ai tha se, në protestë do përdoren të gjitha mjetet demokratike. Forcat e rendit të mos provokojnë protestuesit”.

Shqipëria nuk meriton të humbasë sërish statusin për faj të Ramës

Ish-Kryeministri foli ndër të tjera edhe për statusin, duke thënë se, Shqipëria nuk meriton ta humbasë sërish. “Shqipëria e meriton dhe do ta marrë. Ftesa ime publike për të gjithë ata që vendosin: Të dënosh një popull 2, 3 herë për një njëjtin person kjo nuk duhet të ndodhë. Ta ndëshkosh për Edi Ramën kjo nuk është e drejtë. Shqipëria e meriton plotësisht statusin”.