Sali Berisha: Rama është gjenerator i urrejtjes, zoti Meta është noteri!

513
Sigal

Ish-Kryeministri Berisha: Kam përgjegjësi për situatën me pronat, s’duhej firmosur ligji 7501. Nuk kam frikë nga hetimi!

TIRANË- I ftuar mbrëmë në emisionin “Studio e Hapur” të Eni Vasilit në televizionin “News24”, ish-Kryeministri Sali Berisha ka qenë tepër i ashpër me Kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Parlamentit Ilir Meta. Ai i ka fajësuar ata të dy njëlloj për situatën në vend, duke pohuar se, “Rama është gjenerator i urrejtjes, zoti Meta është noteri”. Ky reagim erdhi pas një panorama që Berisha i bëri situatës në vend, të cilën ai e quajti si më të rëndën në 24 vitet e fundit. “Zoti Meta është bashkautor në të gjitha këto që ndodhin në mënyrë të padiskutueshme. Nëse Rama është gjenerator i urrejtjes, zoti Meta është noter i kësaj urrejtjeje. Sepse zoti Meta i ka mundësitë ta frenojë. Por të shkosh t’i vesh tritolin pallatit të vjehrrit të kundërshtarit politik, të ndërtuar me leje, të bazuar në një plan studimi pjesor, kjo nuk ndodh kurrkund përveçse në Shqipëri, ku binomi Rama-Meta realizuan një gjë të tillë. Nëse ka ndërtuar kush jashtë të gjitha kushteve është Rama me pallatin e zonjës së tij. Por meqenëse kishte një leje nuk mund të mendohej që të rrënohej pallati jashtë një procesi gjyqësor”,- pohoi Berisha. Mes shumë problemeve të tjera, lidhur me situatën në Drejtësi, ai fajësoi ish-Presidentin Bamir Topi që “Shkel Kushtetutën”, ndryshe (sipas Berishës) ashtu si po vepron Presidenti aktual Bujar Nishani. Ndërsa përgjigjes direkt për kolapsin, ku u fut çështja e pronave në Shqipëri, Sali Berisha, pranoi po direkt përgjegjësinë e tij. “Pa diskutim. Kush e votoi ligjin 7501, unë isha Kryetari i PD-së në atë kohë! Përgjegjësia bazë fillon me ligjin e tokës. Ligji i tokës u votua në shkelje të hapur të parimit të pronësisë. U votua bazuar në principin e Xhefersonit toka atij që e punon dhe atij që është aty. U votua sepse fshati shqiptar ishte shndërruar në rezervuar të paimagjinueshëm njerëzor… Ligji nuk ndihmoi por ishte i domosdoshëm. Nëse atyre u hiqje një parcelë tokë ata do iknin në Greqi apo Itali. Ky nuk është i vetmi vend këtë reformë e bëri edhe Bullgaria që ka tokë për frymë më 8 herë më shumë se Shqipëria. Kjo e futi çështjen e pronësisë në një tunel problematik. Batërdia e dytë ishte qeverisja socialiste. Në qoftë se kthehet në vitin 96 dhe shkon në Durrës do gjesh një territor të pa prekur me ndërtime , vërshuan qeveritarët me cipa me pallate përdorën hipotekën si hipotekë partie. Ndërruan një mal më të madh se mali i Dajtit me falsifikime. Përgjigjen më të drejtë do ta jepte harta dixhitale… Padiskutim. Kush e votoi ligjin 7501, unë isha Kryetari i PD-së në atë kohë”,- u shpreh ai.  Në vazhdim, ish-kryeministri Berisha akuzoi pasardhësin e tij lidhur me situatën kriminale në vend, duke pohuar se, Rama, me të ardhur në pushtet, nisi bashkëpunimin me bandat kriminale, duke sjellë në Shqipëri një situatë të rëndë terrori. Ai e mbrojti ministrin e tij Arben Imami që është denoncuar në prokurori, duke thënë se, Imami shkon në gjyq si pasojë e ‘hakmarrjes së Edi Ramës’, që është inferior në inteligjencë intelektuale përballë Imamit. Në epiqendër të sulmit të Berishës lidhur me tritol- vëniet e fundit e rritjen e krimit, ka qenë qeverisja aktuale dhe veçanërisht ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, që ‘është i lidhur me skafistët dhe kriminelët’. Në moment që Berisha u pyet për druajtjen që ndjenë nga fakti se mund të përballet me drejtësinë, ashtu si Imami dhe zyrtarë të tjerë të lartë të kohës së qeverisjes së tij, ai iu përgjigj: “E ftoj të çojë çdo dosje, unë jam i hapur ndaj gjithçkaje. Imami është shprehje e një kompleksi të një njeriu bipolar dhe nuk i ndahet nga urrejtja. Hysni Burgaj, e ka mbyllur prokuroria çështjen. Pse shkoi gjeneral Mimi në ministri të Mbrojtjes, vetëm për konfidencën që ka, sepse vetëm Mimi mund ta bënte një dosje të tillë. U katandis tek reklamat që i ka dhënë të përputhje me ligjet e vendit”