Sali Berisha: Inaugurimi i Trump, fillimi i një ere të re për SHBA

502
Ish-Kryeministri Sali Berisha ka uruar Presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump pas marrjes zyrtarisht të detyrës. Në urimin e tij, mes të tjerash, ish-kryeministri Sali Berisha shprehet: “Sot në Kapitol Hill, u zhvillua ceremonia madhështore në kufijtë e epikës e inaugurimit të Presidentit të 45-të SHBA Donald Trump. Kjo është një ditë historike dhe ky është inaugurimi i shekullit për SHBA, kombin amerikan, miqtë e tyre, por dhe mbarë botën. Inaugurimi i Barack Obamës si presidenti i parë me ngjyrë i SHBA ishte padyshim një moment historik dhe një përmendore tjetër lirie e kombit të madh amerikan. Por inaugurimi i sotëm i Donald Trump është inaugurimi i shekullit dhe fillimi i një ere dhe kjo sepse: Për herë të parë në historinë e SHBA një personalitet jashtë establishmentit, më i kundërshtuar se asnjë tjetër nga spektri politik, nga mediat, institucionet zyrtare dhe pollet e vendit të tij, por edhe nga shtetarë të huaj e deri dhe institucione ndërkombëtare, triumfon mbi të gjithë dhe jashtë pothuajse çdo parashikimi kurorëzohet sot si njeriu më i fuqishëm i botës dhe kjo vetëm e vetëm në sajë të gjenisë së tij frymëzuese si lider i lëvizjes, revolucionit më të fuqishëm paqësor që Amerika dhe bota kanë njohur më parë. Besoj se motoja e Donald Trump “do të bëjmë Amerikën të madhe përsëri”, që Presidenti Trump afirmoi përsëri në fjalimin e tij inaugural historik, është një lajtmotiv i ridimensionimit të lirisë në SHBA dhe në botë si rruga e vetme për arritjen e qëllimit të madh. Një “Amerikë më e madhe përsëri” do të thotë liri më e madhe edhe në botë. Inaugurimi i Donald Trump është inaugurimi i shekullit edhe sepse ekipi që ai përzgjodhi është një monument intelektual, njerëzoe, madhështor i konservatorizmit, vlerat e të cilit kanë ndërtuar lirinë e qytetërimit perëndimor.
Sigal