Sali Bej Berisha pa Dom Haxhinaston në Vlorë

450
Sigal

Këshilli i Ministrave u mblodh dje në Muzeun e Vlorës, ku 100 vite më parë Ismail Qemali bëri mbledhjen e parë të kabinetit të tij

Dje pamë një spektakël të bukur qeveritar në Vlorë. Qeveria aktuale bëri mbledhjen e kabinetit të tij në të njëjtën dhomë, ku u mblodh kabineti i qeverisë së parë shqiptare më 4 dhjetor 1912, vetëm 6 ditë pas shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Kryeministri Sali Berisha u ul në poltronin, ku ishte ulur një shekull më parë themeluesi i shtetit shqiptar dhe Kryeministri i parë i vendit, Ismail Qemali. Deri këtu jemi në rregull. U krye një rit i admirueshëm në respekt të atyre burrave që vunë themelet e shtetit shqiptar. Mirëpo seç kishte diçka groteske në mbledhjen e djeshme, krahasuar me atë të një shekulli më parë. Dhe grotesku fillon nga pjesëmarrja e kabinetit në detyrë, deri tek dalja në ballkon e këtij kabineti. Sepse, në të vërtetë zoti Berisha ishte i rrethuar më shumë nga zëvendësministra se sa nga ministrat e tij. Pas Kryeministrit Berisha ishin ulur tre zv/ministra: Alibali i Mjedisit, Belortaja i Punëve të Jashtme dhe ylli në ngjitje i Partisë Demokratike, zv/ministri i Brendshëm Arben Ristani, ai kreu i famshëm i dikurshëm i KQZ-së. Nëse zotit Berisha i është dukur vetja dje si Ismail Qemali, të tjerëve të ulur në atë tryezë nuk mund të kishin asnjë krahasim me ministrat e një shekulli më parë. Fjala vjen, në mbledhjen e djeshme mungoi Dom Nikollë Kaçorri i qeverisë aktuale, zv/kryeministri Edmond Haxhinasto. Po si mund ta përfytyrojmë qeverinë e Ismail Beut pa Dom Nikollë Kaçorrin në krah? Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, mungoi dhe Edmondi tjetër i LSI-së, shefi aktual i diplomacisë shqiptare, Panariti. Pikërisht dje, ministri ynë i Jashtëm ndodhej në Bruksel, ku u takua me homologun grek, Avramopulos dhe, siç merret vesh, zbuti paksa acarimin e helenëve lidhur me deklaratat nacionaliste të Kryeministrit tonë në ditën e kremtimit të shpalljes së Pavarësisë. Mirë Panariti se ka punë të mëdha në kryeqendrën e Europës, po Dom Haxhinastoja ç’pati që nuk mori pjesë në mbledhjen e djeshme?- pyetën me të drejtë shumë qytetarë ndërsa ndiqnin live kronikën e mbledhjes. Mos po na ftohet PD-ja me LSI-në (domethënë Berisha me Metën)?- vazhduan të hamendësonin shqiptarët. Larg qoftë, se kështu na bie qeveria!- thanë ata njerëzit e thjeshtë që i mbajnë sytë e veshët nga qeveria jonë zemërmadhe dhe bujare. Gjithsesi, ajo puna e Kryeprokurorit të ri i ka ngatërruar një çikë punët-bisedonin njerëzit me njëri-tjetrin. Institucioni i Prokurorisë ishte e vetmja “kala” pa u marrë nga demokratët. Më në fund dhe atë e morën, madje edhe me bekimin e socialistëve. Të jetë nevrikosur Meta deri në atë pikë sa të mos i ketë lejuar ministrat e tij të shkojnë në Vlorë?! Jo,- tha Berisha. -Meta nuk mërzitet. Ja, unë kam në krah Vangjel Tavon. Ai është një nga shtyllat e Qeverisë sime. Ky është një argument bindës. Për më tepër që Vangjel Tavo u pa i ngazëllyer në ballkonin e Ismail Qemalit përkrah Berishës, i qeshur dhe  aspak qejfmbetur, ndërkohë që, Kryeministri kishte në krah Mehmet Pashë Dërrallën, domethënë Arben Imamin, ministrin fuqiplotë të Mbrojtjes. Sidoqoftë, mungesa e Haxhinastos, ka ngjallur shumë dyshime. Njerëzit do ta vazhdojnë të pyesin: Ku ishte Dom Haxhinastoja në ditën e mbledhjes historike të 4 dhjetorit 2012 në Vlorë?

 Berisha: “Nënshtetësi shqiptarëve kudo ku jetojnë”

 “Kombi është një dhe çdo shqiptar kudo që jeton meriton të ketë shtetësinë shqiptare”. Kështu deklaroi Kryeministri Sali Berisha i ulur në karrigen, ku 100 vite më parë Plaku i urtë i Vlorës mbajti mbledhjen e parë të qeverisë së shtetit shqiptar pas shpalljes së Pavarësisë.  Nga qyteti i Vlorës, ku Kryeministri Berisha 100 vite pasi patriotët shqiptarë hodhën të parën ide të bashkimit kombëtar, hodhi sërish këtë tezë, teksa kërkoi hartimin e një ligji për shtetësinë shqiptare si dhe mirëkuptimin e fqinjëve dhe ndërkombëtarëve. Sipas kryeministrit, kjo nismë nuk është për përfitime elektorale por një qëllim për të bashkuar të gjithë shqiptarët kudo që janë. Në nder të 100 viteve të Pavarësisë, Këshilli i Ministrave zhvilloi mbledhjen e djeshme në katin e dytë të Muzeut të Vlorës, ku 100 vite më parë u mblodh qeveria e parë shqiptare me në krye Ismail Qemalin. Ministrat zunë vend pak para orës 10:00 në të njëjtën zyrë ku u mblodh kabineti i parë qeveritar shqiptar, ndërkohë që mbledhja u drejtua nga Kryeministri Berisha, i cili zuri vend në krye të tryezës. Numri 1 i qeverisë shqiptare, duke iu rikthyer historisë, deklaroi se shqiptarët pavarësisht se janë të lirë, ata jetojnë të ndarë në 5 shtete. “Sot shqiptarët janë të lirë, por sërish jetojnë në 5 shtete dhe kudo ata ndodhen në tokat dhe trojet e tyre, kudo ata janë të përkushtuar në projektin e integrimit Evropian, si e ardhmja e tyre më e shkëlqyer. Projekt, i cili historikisht ka realizuar për Evropën një mrekulli të vërtetë, së pari në rrafshin moral. Ka qenë dhe mbetet projekti më i shkëlqyer i bashkëpunimit të kombeve të këtij kontinenti”,- theksoi Berisha. “Më lejoni të theksoj se të ndarë në disa shtete, shqiptarët nuk munden të konsiderohen ndryshe vetëm përveçse vëllezër në gene, kulturë, identitet dhe ky është realitet i padiskutueshëm”,- shtoi Berisha