“ Sakrifica më e madhe e imja, është të sfidoj kohën”

79

INTERVISTA/ Flet Ditmir Bushati: “Unë përpiqem që në politikë të jap më të mirën time

Për shkak të natyrës të punës që unë bëj, duke qenë në kontakt të ngjarjeve e personazheve politike, jam dëshmitar i drejtpërdrejtë edhe i raporteve, marrëdhënieve, jo vetëm politike, që ekzistojnë, por edhe atyre që ndërtojnë personazhet politike me njëri-tjetrin, pavarësisht se kujt bindjeje politike i përkasin. Dua ta pranoj. Te realiteti ynë politik, rrallë është që të gjesh një personazh politik, që të gëzojë te kolegët e vet, në radhë të parë, por, po kaq edhe te kolegët kundërshtarë, atë respekt, atë dashamirësi të sjelljeve, por edhe të fjalës, qoftë kjo fjalë opozitare, qoftë edhe fjala e shkëmbimit të mirësjelljes reciproke. Ka një përjashtim. Është Ditmir Bushati, deputeti 35- vjeçar i PS-së, kryetari i Komisionit për Integrimin Europian. Inteligjenca dhe kultura politike perëndimore që ka marrë Ditmiri nga shkollimi i tij, i japin profilin e një politikani bashkëkohor të shkollës perëndimore, çka e dallon tërësish, nga militantizmi dhe delitantizmi partiak. Dhe, një tjetër veçanti i Ditmir Bushatit, është që edhe jashtë politikës, është i njëjti. Kjo intervistë ekskluzive e Ditmir Bushatit për “Telegraf” na njeh me personalitetin, interesat dhe botën e tij familjare.

– Kur ishit fëmijë, çfarë dëshironit të bëheshit?

– Kur isha fëmijë, kam ndjekur kurs piano me Jetmir Barbullushin, që sot është dirigjent dhe kompozitor mjaft i dëgjuar. Kisha  shumë dëshirë të bëhesha muzikant, e cila ishte jo si kërkesë, por si dëshirë edhe e prindërve të mi, që unë të futesha në botën e muzikantëve. Kisha edhe atë dëshirën që kanë të gjithë fëmijët, që edhe unë të bëhesha një futbollist, ose një sportist.

– Cili ishte ai motiv që ju shtyu juve të merreshit, përfundimisht, me politikë?

– Motivi që më shtyu mua të merrem me politikë, lidhet me shkollimin, pra, kur flasim për drejtësi, kur flasim për specialitetin që unë kam, është, sikurse ndodh në Perëndim, që shumica e politikanëve kanë shkollim juridik ose ekonomik dhe kombinimi i eksperiencave të ndryshme që unë kam  dhe, natyrisht, ideja, ambicia që një pjesë të njohurive të eksperiencave të mia, unë mund ta vë në shërbim të të mirës shoqërore.

Në vendimmarrjet tuaja, që kanë të bëjnë me jetën tuaj, cila dhe sa ka qenë këshilla dhe ndikimi i prindërve?

– Natyrisht, që unë jam rritur në një familje intelektuale dhe jam rritur në liri, pra me mundësitë për t’u përballë me disa alternativa dhe në fund për të bërë vetë zgjedhjen time. Nuk kanë qenë prindërit në asnjë rast, që të më imponojnë një bindje të caktuar, por të dy prindërit kanë qenë, natyrisht, këshilltarët më të mirë, sidomos me atë që kam patë me drejtimin e shkollës që unë do të merrja.

Çfarë ju jep juve politika dhe çfarë përpiqeni ju të jepni në politikë?

– Unë përpiqem që në politikë të jap më të mirën time dhe duke qenë se sot për sot jam një person publik, të rrezatoj respekt maksimal për rregullin, për ligjin, për hapësirën publike, për të drejtat e detyrimet e komunitetit dhe përpiqem gjithashtu për në veprimin tim publik që unë të ndikoj sadopak, që gjërat të vijnë duke u përmirësuar në Shqipëri. Politika në Shqipëri, natyrisht, si çdo profesion tjetër, të jep kënaqësinë në ato raste, kur një projekt i caktuar, një propozim i caktuar, një veprim i caktuar, përkthehet në rezultate të mira dhe konkrete, sikundër ka edhe momente që është shoqëruar me lustrimin, sidomos kur politika e baltës e sundon politikën e arsyes.

Sa ju shqetëson ai mosbesim që është në rritje në opinionin publik, që sot nuk mirëbeson te politikanët?

– Natyrisht që me shqetëson dhe si person jam kundër paragjykimeve në bllok. Nuk mendoj se të gjithë politikanët janë djalli ose janë engjëll dhe sikundër një paragjykim i tillë të jetë i ngjashëm edhe për fusha të tjera, për drejtësinë, ku unë mendoj se ka plot njerëz që janë me integritet dhe derdhin djersën e tyre për të mirën, po kështu për mjekët, për arsimin.

Cilat janë pasionet tuaja?

– Pasionet?!…Po, me rritjen e moshës, pasionet kanë ardhur duke u zvogëluar. Përgjithësisht, më pëlqen që të bëj udhëtime, që janë ndër pasionet e mia dhe këtu flas për udhëtime, kur jam në shoqërinë e familjes, apo miqve të mi. Vazhdon të mbetet pasion i punës time të përditshme, libri, muzika. Këto janë pak a shumë pasionet e mia.

Cilat janë prioritetet tuaja?

Normal që, tashmë është bërë paksa më e vështirë, sepse gjithnjë më duhet që gjejmë një prioritet të së mesmes midis asaj personal dhe asaj që është familja ime. Bashkëshortja dhe fëmijët. Por përpiqem, mendoj që jam difiçitar që edhe vetë të përparoj në planin personal, por edhe të kem një jetë familjare të shëndoshë. Po të mendojmë në një këndvështrim më të gjera, nuk kam ndonjë prioritet specifik. Është kombinim i të mirës time personale me atë familjare.

– A keni kohë të lirë? Dhe me çfarë ju pëlqen ta shfrytëzoni kohën e lirë?

– Nuk mendoj se ka njeri kohë të lirë. Koha është flori, por atë kohë që më mbetet në dispozicion, mundohem që ta kaloj me familjen time, me vajzën time.

Cilat sakrifica jeni gati të bëni për politikën?

Unë mendoj që të qënit në opozitë në Shqipëri është një sakrificë. Kjo i nënkupton të gjitha. Mjafton t’i hedhim një sy kalvarit, ku është përfshirë opozita, gjatë 3 vjetëve  të fundit në Shqipëri, kupton që opozitarizmi vijon të jetë  një sakrificë.

– Cila do të ishte sakrifica më e madhe që jeni i gatshëm të bëni ju për të realizuar moton tuaj të jetës?

– Sakrifica më e madhe do vazhdojë të punojë maksimalisht për të sfiduar kohën. Sakrificë është edhe kur shpenzon shumë kohë me studimin e një fenomeni, edhe kur shpenzon shumë kohë me marrëdhëniet njerëzore, pra, është një shumatore.

Kush ka ndikuar më shumë në marrjen e vendimeve më të rëndësishme që keni marrë deri tani, në jetën tuaj?

Unë jam një natyrë që i konsumoj një pjesë të mirë të çështjeve kryesisht me bashkëshorten time, ose me rrethin e ngushtë familjar dhe shoqëror.

– Dhurata më e madhe që ju kanë bërë?

–  E pres këto ditë. Ardhjen në jetë të fëmijës së dytë, që është edhe djalë.

–  A besoni lehtë në marrëdhëniet me njerëzit?

Unë jam partizan i ndërtimit të urave të komunikimit. Në marrëdhëniet me njerëzit, urat e komunikimit janë shumë të rëndësishme.

Çfarë virtytesh vlerësoni më shumë te njerëzit dhe çfarë nuk mund të falni kurrë te sjellja e njerëzve?

– Urrej mosmirënjohjen dhe vlerësoj ndershmërinë te njerëzit.

Falni lehtë? Dhe përse?

Fal, por përpiqem të mos harroj.

Dhe përse?

-Gabimi është njerëzor dhe falja është njerëzore.

– Leximi sa kohë ha në jetën tuaj dhe cilat ju interesojnë më shumë?

– Leximi më merr një kohë të konsiderueshme të ditës. Vijon të më marrë një kohë të madhe, për më tepër sot, kur teknologjia e komunikimit na i krijon këto mundësi. Lexoj para kompjuterit, lexoj në celular. Mendoj që teknologjia na i ka rritë shanset për të vazhduar të lexojmë.

Mund ta kalojë ndonjë ditë pa lexuar?

Ka, ka ditë që edhe mund të kaloj pa lexuar. Varet për çfarë flasim. Lexim për tituj kryesorë gazetash apo shkrimesh, lexim e-mail, apo dokumentesh të shkurtra, besoj se, kjo është ushqim i përditshëm.

Cili nga njerëzit ju ka dhënë këshillën në gjërat më të rëndësishme, ku ju është dashur të merrni një vendim?

Nuk kam ndonjë superpostulatë këshillë, jam rritur në një tërësi alternativash dhe në momente të caktuar ka këshilla që janë shumë më të vlefshme, sesa momente të tjera. Përpiqem që në një tërësi parimesh dhe tërësi këshillash, t’i aplikoj në momente të ndryshme në jetë.

Cili është idhulli juaj, shëmbëlltyra juaj?

Nga të dy prindërit, me traditë e rrënjë  të thellë qytetare dhe jam rritur me ndjenjën për t’i çuar më përpara këto vlera qytetare. Nuk kam një idhull konkret. Në rast se flasim  për emra në fusha të veçanta, si sporti,  politika, muzika, natyrisht që kam shumë të tillë, por nuk mund të kam një idhull që të ngrihem çdo ditë në mëngjes me emrin  apo imazhin e tij, apo të ndërtoj jetën time bazuar mbi aktivitetin e idhullit.

Cila është filozofia e jetës suaj?

Vështirë të kem një përgjigje.

– Keni pyetur ndonjëherë vetveten përse sot njeriu është më pak human e solidarë me bashkëkohësin dhe bashkëfqinjin e vet?

– Ka disa arsye, në gjykimin tim. Kalimi nga një sistem në tjetrin, nga një sistem ku për çdo gjë përgjigjej shteti, në një sistem ku shteti nuk mendon më për asgjë, Shqipëria nuk i ka jetuar këto etapa historike ashtu siç duhej dhe kjo është shoqëruar edhe me kapërcime të tilla, ku sot solidariteti është thjesht një plan në letër.

Të ndërtosh marrëdhënie do të thotë të arrish njëfarë kompromisi. Është më lehtë të arrish kompromisin në raportet që ndërton me njerëzit, apo të arrish kompromisin në politikë?

– Në kuptimin tim, është e njëjta gjë. Sepse edhe kompromisin politik do ta arrish me një palë tjetër politike. Pastaj , impaktet që ka ky kompromis, ekonomike, institucionale, etj., në politikë janë më të dukshme.

– Cilën ngjarje ju nuk mund ta harroni kurrë dhe përse?

Ka disa ngjarje që nuk do të doja t’i harroja kurrë. Po ngjarja e fundit që nuk do të doja ta harroja kurrë është 21 janari. 21 janari, besoj, është qëndrim si shpata e Demokleut mbi secilin prej nesh për faktin se në shekullin  21-t, një vend që aspiron të jetë në BE dhë që është anëtare e NATO-s, vriten 4 njerëz të pafajshëm. Ngjarja është kaq tragjike, saqë 21 janari nuk duhet të përsëritet kurrë më.

Ju është dashur ndonjëherë që të ndërmerrni një vendim të rëndësishëm në kundërshtim me bindjen tuaj morale dhe me karakterin tuaj? Po të mos ketë ndodhur, për çfarë ju mund të ndërmerrni këtë sakrificë? Apo nuk do ta ndërmerrni kurrë?

– Që të marr një vendim, qëndrim në kundërshti me bindjen time, nuk më ka ndodhur. Për vendimet që unë nuk kam qenë dakord, unë kam dhënë mendimin tim.

– Me bashkëshorten tuaj, për cilat gjera keni më shumë divergjenca dhe ju nuk lëshoni pe?

( Qesh) Kemi divergjenca për përdorimin e teknologjisë. Unë jam, për fat të keq, edhe kur jam në familje, vazhdoj ta përdor shumë celularin, apo mesazhet dhe mjetet e tjera të komunikimit, ndërsa bashkëshortja, thotë, që ajo pjesë e kohës që jemi bashkë të jem i dedikuar totalisht me familjen.

Cili dhe kur është sherri i fundit që keni bërë?

– Jo sherr, a “sherr”, debat që kemi bërë përsa ju përmenda.

Ndihmoni në punët e shtëpisë?

Përpiqem. Nuk jam shumë i mirëorganizuar, por përpiqem.

Në lidhjet tuaja intime, jeni besnik? Apo keni frikë të flisni publikisht?

– (Qesh me të madhe).

Sa kohë ka zgjatur lidhja që keni patur më gjatë me të dashurën, para martese?

– (Qesh sërish).

Në qoftë se ndonjë qytetar ju drejtohet dhe ju shfaq një pakënaqësi e vepron jo me edukatë ndaj jush, ju do ta falni? A mund ta çoni në gjykatë qytetarin, përse u soll keq ndaj jush, si politikani dhe jo si person?

– Do të përpiqem që ta trajtoj me qetësi, por do ta adresoja, siç është rast pas rasti. Por, e kam të pamundur të mendoj ta çoj në gjykatë.

Jeni i apasionuar me shpejtësinë, kur drejtoni makinën?

Jo, jo shumë. Ndonjë rast i rrallë.

Trembeni?

Së pari, nuk kam qejf të abuzoj. Dhe tjetra jeta të dhurohet vetëm një herë.

Ndonjëherë kur pini, drejtoni automjetin?

– Nuk para ndodh. Nuk e përjashtoj fare, por nuk para ndodh.

– Cilat nga veset e jetës ju nuk mundeni t’i shmangni, edhe pse bëni përpjekje?

Cinizmin! ( Dhe sërish qesh me të madhe).

Ndodh edhe kjo. Dhe unë do ta thoja që është normalitet i realitetit tonë. Që kur arrin diçka në politikë, harron shokët, të njohurit. Keni ndjesinë që mund të ndodh edhe me ju kjo?

Unë bëj atë që bëja edhe para se të futesha në politikë. Në të gjitha drejtimet.

Marrëdhëniet e tua me shokët, pavarësisht nga kurbatura e karrierës politike, ndryshojnë?

– Unë, deri tani, nuk kam ndryshuar asgjë.

Politikën, ju mund ta konsideroni profesion? Dhe e keni menduar vetveten larg politikës?

Normalisht, politika është profesion dhe duhet të mbetet profesion. Unë kam patur jetën time, para se të futesha në politikë. Prapë mund të filloj jetën time, të jap leksione në universitet dhe të merrem me punë shkencore. Nuk e përjashton që në një moshën X të jetës time, të bëj një gjë tjetër, që nuk do të ketë lidhje me politikën.

– Një student dhe studente, përse duhet të jetë optimist?

– Duhet të jetë optimist se ka shumë mundësi më të madhe, sepse sot Shqipëria është më e hapur, ka mundësi dhe akses për një literaturë më të larmishme, për shkak se Shqipëria është vend në zhvillim dhe kur je vend në zhvillim, mundësitë janë gjithmonë më të mëdha.

Po një i papunë në Shqipëri, përse duhet të jetë optimist për të nesërmen?

Duhet të jetë optimist për të nesërmen, sepse duhet të gjejë punë.

– Në qoftë se do t’ju pyesja, sot, një kilogram domate sa kushton?

– 200 lekë të reja? Besoj, se kaq kushtojnë.

– Ju faleminderit!

Dua të jem modest.

Politika e jashtme dhe integrimi europian janë ekspertiza ime e punës. Integrimi europian është edhe prioritet kombëtar dhe boshti kryesor i politikës tonë. Unë e konsideroj veten fatlumtur, sepse kombinoj një eksperiencë pune në administratën shtetërore dhe punën në sektorin jofitimprurës, në shoqërinë civile, si edhe angazhimin tim në politikë. Pra, më është dhënë mundësia, kam pasur fatin në  procese të ndryshme, të jetës politike, ekonomike, sociale dhe shoqërore, t’i shoh, t’i analizoj, apo të jem aktor nga këndvështrime të ndryshme, nga pozicione të ndryshme. Kjo më ka dhënë edhe një mundësi të kos kem një këndvështrim të njëanshëm. Bashkëshortja ime, Aida është gjithashtu juriste, është e specializuar më shumë në çështje ekonomike dhe tregtare të se drejtës europine dhe ndërkombëtare, jemi shkolluar të dy së bashku, në Shqipëri dhe në Perëndim. Bashkë kemi edhe një vajzë 5 vjeçare, që quhet Hera, dhe presim nga çasti në çast të shtohemi  edhe me  një djalë.

1999: Diplomuar me medalje të Artë, nga Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë.

2000: Specializim në të Drejtën Europiane, pranë Qendrës Europiane të së Drejtës Publike në Athinë, Greqi, në kuadër të programit TEMPUS.

2000: Diplomë trajnimi Abo Akademi University, Finland.

2001: Master (LL.M) në të Drejtën  Ndërkombëtare Publike nga Universiteti i Leiden, Holandë.

2003: Humlutues në të Drejtën Publike Ndërkombëtare dhe Europiane pranë Insitutit TMC Asser në Hagë, Holandë.

2003: Diplomë trajnimi, Akademia e së Drejtës Ndërkombëtare, Dallas

2006: Diplomë trajnimi nga programe pasuniversitare nga Universiteti i Harvardit.

Deputet i PS-së dhe kryetari i Komisionit për Integrimin Europian.