Saimir Tahiri: Luftë kundër të gjithë atyre që organizojnë apo financojnë trafikun e drogës

347
Sigal

Fenomeni i kultivimit të kanabisit është kthyer në një shqetësim për autoritetet, ç’ka ka detyruar ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri të propozojë ndryshime në Kodin Penal, që parashikojnë ashpërsimin e dënimeve për të gjithë zinxhirin e personave të përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e bimëve narkotike.

Ministri Tahiri theksoi se Shqipëria nuk është në kushtet e një alarmi kombëtar lidhur me kultivimin e kanabisit, por sipas tij, dënimi maksimal i personave që shkelin ligjin duke kultivuar e trafikuar kanabis, është mënyra e duhur për të goditur të gjithë rrjetin e përfshirë në këtë fenomen dhe për ta fituar këtë betejë.

Ministri sqaroi me detaje propozimet e tij për ndryshimet në Kodin Penal:
“Do propozoj ndryshimin kodit penal për rëndimin e dënimeve për mbajtjen, trafikimin, kultivimin  e lëndëve narkotike. Konkretisht do propozoj që, faji më i madh, përgjegjësia të jetë me e madhe. Mbajtja e sasive që konsiderohen për përdorim vetjak do vijojë të jetë jo vepër penale. Shitja, mbajtja për shitje që konsiderohet mbi sasinë për përdorim vetjak, nga 1-5 vjet. Kur kjo vepër kryhet në sasi të mëdha do të dënohet nga 7-10 vjet.  Ai që mban 10 gramë dhe ai që mban një ton ligji i konsideron njëlloj. Kjo politikë nuk ka funksionuar, unë do t’i propozoj qeverisë që në ligj në kodin penal të sanksionohet dënimi sipas sasisë. E njëjta gjë do vlejë dhe për kultivimin e bimëve narkotike. Një dispozitë e veçantë për importimin, eksportimin, tranzitimit, mbajtjen, blerjen dhe shitjen e farave të kanabisit do të dënohet nga 3-7 vjet. Kultivimi në sasi të vogla deri në 1 vit, kultivimi në sasi që nuk janë më të vogla do dënohet nga 1 -3 vjet dhe kultivimi në sasi të mëdha nga 5-10 vjet.”- deklaroi ministri Tahiri.

Gjithashtu, ministri Tahiri bëri të ditur se do të propozojë që në ligjin antimafia të përcaktohet hetim pasuror i menjëhershëm për të gjitha rastet e kultivimit të sasive të mëdha të kanabisit.

“Një njeri që merr përsipër të kultivojë 10 rrënjë është një luftëtar i varfërisë. Një njeri që kultivon 10 mijë rrënjë nuk është i tillë. Hetimi ndaj tij duhet ti shkohet deri tek pasuria. Faji më i madh është përgjegjësi më e madhe përpara ligjit.”- tha ministri.

I pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratën e ministrit të Drejtësisë për përfshirjen e ushtrisë në luftën kundër kanabisit, ministri Tahiri tha: “Eshtë propozim i pasaktë por hyn tek propozimet e dëshirës së mirë. Puna jonë nuk bëhet përmes konferencave të shtypit por duke marrë masat e nevojshme.”

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri theksoi se i është shpallur luftë të gjithë atyre që organizojnë dhe financojnë trafikun e lëndëve narkotike në Shqipëri. Aksionet e fundit në Vlorë, Krujë e Shkodër, për të sekuestruar kanabis të tharë gati për shitje, Tahiri i cilëson fazën e dytë të aksionit policor pas atij për shkatërrimin e kanabisit në parcela.

“Të goditen të gjithë ata që qendrojnë në kultivimin e lëndëve narkotike! Në njërën anë është bërë punë për shkatërrimin e parcelave dhe luftë ndaj trafikimit. Kemi një plan të veçante operacional për të parandaluar, kontrolluar dhe luftuar çdo përpjekje, për të trafikuar lëndë narkotike veçanërisht nga deti, që është mjedis shumë nxitës për të trafikuar lëndë narkotike. Forcat operacionale, ato të kufirit do të jenë 24 orë të angazhuara në patrullimin intensiv të kufirit, rrugët që të çojnë në kufi. Luftë kundër atyre që organizojnë apo financojnë trafikimin e lëndëve narkotike qoftë në rrugë tokësore, qoftë në rrugë detare”,- tha ai.

Kreu i Ministrisë së Brendshme kërkoi bashkëpunimin e partnerëve italianë dhe atyre grekë për të forcuar kontrollin dhe për të asistuar Shqipërinë në këtë luftë.

“Për të tretin vit radhazi shkatërruam 99% të parcelave të identifikuara, nuk është gjithçka ndaj po punohet për hallkën e dytë që është grumbullimi dhe transportimi i kanabisit. Aksionet në Krujë Vlorë e Shkodër, në çdo qark duke e konsideruar këtë si fazën më të rëndësishme të këtij zinxhiri paligjshmërie organizimin dhe financimin e atyre që kthenin këtë. Bashkë me partnerët po punojmë intensivisht. Kam kërkuar ngritjen e një zyre të posaçme, bashkëpunimi që të jetë i përditshëm, partnerët italianë e kanë mirëpritur, presim të njëjtën gjë edhe nga kolegët grekë”,-dekalroi Tahiri.