Safet Gjici: Me Drejtimin e Duhur fitojnë socialistë dhe demokratë

751
Kandidati i ASHE për Bashkinë e Kamzës, Safet Gjici, në një intervistë për “Telegraf” tregon planin e tij për rilindjen e bashkisë së re. Gjici thekson se me mbështetjen e Kryeministrit Rama do të punojë për ndryshimin e Kamzës. Ai tregon për sfidat më emergjente që e presin Kamzën dhe thekson se “më 21 Qershor, do t’i japim fund përfaqësimit nga njerëz të konsumuar e të dënuar nga drejtësia, për të ndërtuar një urë të re, nga ku do të kalojnë sfidat tona të përbashkëta për një jetë më të mirë dhe për një marrëdhënie më të mirë qytetare e njerëzore”.
Zoti Gjici, çfarë ju shtyu të kanditoni për kreun e bashkisë Kamzë?
Unë vij nga sipërmarrja private, nga të qenit në krye të prefekturës së Kukësit dhe me një përvojë të suksesshme. Pasi e kam ndarë këtë sukses me qindra punonjësit e mi, të cilët i kam trajtuar si partnerë në rrugën e nisur, dua që këtë përvojë të menaxhimit ta ndaj me më shumë njerëz, me një komunitet të gjerë, që ka shumë nevojë për përgjegjësi, partneritet dhe ide novatore. Kamza ka nevojë për vizion bashkëkohor, për përgjegjësi maksimale dhe menaxhim të suksesshëm.
Ju gëzoni mbështetjen e strukturave të PS dhe të vetë kryeministrit Rama, sa do të ndikojë kjo në rezultatin tuaj?
Do të ndikojë, sigurisht, shumë, sepse pa besimin e këtyre strukturave, pa besimin e vetë PS-së dhe kryeministrit Rama, nuk do të mund të paraqisja një projekt të fuqishëm për shndërrimin e Kamzës, nuk mund të isha plotësisht i besueshëm, edhe pse vetë si person, në të gjithë sipërmarrjet e mia, kam qenë plotësisht i suksesshëm. Drejtimi i duhur është një ofertë për të gjithë shqiptarët, të majtë e të djathtë, të lëkundur e të mërzitur nga tejzgjatja e këtij tranzicioni, për të nisur një kthesë që do të jetë historike për bashkitë e këtij vendi, e në këtë kuadër edhe për Kamzën.
Qyteti i Kamzës njihet si një bastion i së djathtës. Ju kandidoni nën siglën e PS për të fituar, por çfarë pakete keni për t’i ofruar votuesve, qofshin këta të majtë ose të djathtë?
Fjalës “bastion” sikur i ka ikur koha, sikur është vjetëruar dhe i fyen kamziotët. Kamza është bastion i nevojave urgjente për punë, për infrastrukturë bashkëkohore, për pastrim, gjelbërim, mirëqenie, është bastion i vetvetes, i bashkëjetesës dhe krenarisë së saj. Të gjitha këto unë do t’i bëj realitet dhe për kamziotët do të nis një periudhë e re pune e mirëqenie. Paketa për të cilën ju flisni është një program i detajuar që unë e kam hartuar në bashkëpunim me specialistët e fushave përkatëse dhe përfshin reformimin e të gjitha shërbimeve të bashkisë, duke ringjallur dashurinë për punën, konkurrencën e lirë, është një program ekonomik, infrastrukturor, kulturor, një ringjallje për arsimin, shëndetësinë, sportin, jetën shpirtërore, një sfidë integruese për rininë dhe të gjithë grup-moshat, detajet konkrete të të cilave i kemi bërë të prekshme çdo ditë gjatë kësaj fushate dhe, pas 21 qershorit, do nisim punën gjigante, që t’i bëjmë realitet.
Cilat janë sfidat më të cilat do të përballeni ju si kryetar bashkie?
Ka shumë sfida që duhen përballuar me kurajë dhe me dinjitet. Së pari, e kam thënë dhe në një rast tjetër, duhet ç’bunkerizuar bashkia, duhet kthyer nga një repart ushtarak ku gjithçka funksionon me urdhër dhe në shërbim të “komandantit”, në një institucion të hapur, ku qytetarët të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe ndjekjes për zgjidhje të të gjitha problemeve. Së dyti, duhet nisur urgjentisht me problemet e infrastrukturës, me pastrimin që është përtokë. Hapja e kanaleve të ujërave të zeza e të bardha, ndarja e tyre dhe krijimi i mjedisit të pastër nga ndotjet dhe kutërbimet që po e mbysin Kamzën do të jetë një tjetër përparësi që do të merremi me shpejtësi, për t’i dhënë fund një historie të trishtë, që e ka kthyer Kamzën në një vend të papërshtatshëm për një jetë normale. Çështja e ujit të pijshëm është një problem bumerang që duhet zgjidhur menjëherë dhe ne do ta zgjidhim. Është fatkeqësi që në vitin 2015 familjarët të furnizohen me bote, me ujë të pakontrolluar dhe që shfrytëzohet si mjet spekulimi nga tregtarë të pamëshirshëm, që pasurohen në kurriz të njerëzve të thjeshtë. Tjetër problem është asfaltimi i rrugëve, sidomos në Paskuqan, ku rrugët e shkatërruara, të krijojnë përshtypjen sikur kjo zonë ka dale nga lufta. Në fakt, as në Kamzë e as në zonat përreth saj, as në ish-komunat, nuk është bërë ndonjë luftë, por psikologjia e luftës është e pranishme në shkatërrimin dhe masakrimin e rrugëve, të mjediseve të gjelbërta, të gjithçkaje që ka të bëjë me kulturën dhe shërbimin qytetar. Administrata e bashkisë dhe kryetarit në ikje nuk është kujdesur për asgjë, përveçse për “lukun” e vet, për dreka e darka luksoze, për vajtje jashtë shtetit në binjakëzime fantazmë, me paratë e taksapaguesve kamziotë. E gjithë fytyra e Kamzës duhet të ndryshojë menjëherë, me shpejtësi, që në qytet dhe njësitë e tjera të bashkisë të kthehet besimi qytetar tek shteti dhe tek e drejta qytetare.
Çfarë përjetoni ju si kandidat për kryebashkiak i Kamzës, tani që fushata po shkon drejt finalizimit, drejt të dielës së zgjedhjeve?
Gjatë gjithë këtyre ditëve, që pas shpalljes time si kandidat për bashkinë Kamzë, kam përjetuar një emocion të veçantë nga mbështetja e që kam marrë me banorë të Kamzës, Paskuqanit dhe fshatrave. Kjo mbështetje, jam i sigurt se më 21 Qershor, do të jetë akoma më e madhe, në mënyrë që njëherë e mirë, bashkë me banorët e Kamzës dhe të Paskuqanit, të nisim një kapitull të ri. Do të jetë kapitulli i ndryshimeve të mëdha. Do të jetë kapitull i një marrëdhënie të re midis kryebashkiakut dhe qytetarëve, e cila do të na çoj bashkërisht në ndryshime rrënjësore dhe progres të gjithanshëm ekonomik, social e shoqëror. Me mbështetjen e qytetarëve të Kamzës dhe të Paskuqanit, do të arrij rezultate konkrete, në drejtim të zhvillimit të zonës dhe jo të demagogjisë që është bërë në këto vite. Njerëzit mua më njohin: Jam njeriu i punës dhe jo i fjalëve boshe. Eksperienca ime, mbi 20- vjeçare në fushën e biznesit, por edhe drejtimi prej 1 viti të Institucionit të Prefektit të Qarkut të Kukësit, e faktojnë më së miri këtë. Me mbështetjen e të gjithëve, pa dallime partiake, të majtë e të djathtë, do të vendos bashkërisht me qytetarët e Kamzës për një zhvillim të ri të të gjitha lagjeve të bashkisë Kamëz. Falë edhe mbështetjes së Qeverisë Shqiptare, por edhe bashkëpunimit që do të kemi me faktorë ndërkombëtarë, qytetarët e Kamzës e të Paskuqanit do të kenë më shumë rrugë të asfaltuara, më shumë rrjete kanalizimesh e ujësjellësash, më shumë shërbime sociale, më shumë objekte të legalizuara, mirëmenaxhim të financave të bashkisë, mjedis të përmirësuar. Po ashtu, rigjallërim të jetës kulturore e sportive, urbanizim real të të gjitha zonave.
Po për rivalin tuaj në këtë garë, çfarë mendimi keni?
Nuk dua të merrem me kundërshtarin tim. Të gjithë e dinë se ai nuk ka më asnjë arsye dhe motiv që të qëndrojë në krye të institucionit që ka drejtuar prej 8 vitesh. Gjykata faktoi se ai ka abuzuar me fondet e bashkisë. Sot, bashkia e Kamzës është e renditur e 6-ta për nga numri i popullsisë dhe e 5-ta për nga numri i ndërtesave. Kamza nuk do të ketë më nevojë për “medalje” të blera, për projekte fantazmë apo edhe “transparencën” që prej vitesh i ka munguar qytetarëve, te cilët kanë pritur më shumë nga drejtuesit aktualë. Bashkë me kamziotët do i japë fund abuzimeve, mashtrimeve, korrupsionit, diskriminimit dhe demagogjisë, pasi ka ardhur koha që qytetarët të vendosin për fatin e tyre dhe jo ata që në emër të tyre sjellin vetëm rrënim, hajdutëri. Më 21 Qershor, do t’i japim fund përfaqësimit nga njerëz të konsumuar e të dënuar nga drejtësia, për të ndërtuar një urë të re, nga ku do të kalojnë sfidat tona të përbashkëta për një jetë më të mirë dhe për një marrëdhënie më të mirë qytetare e njerëzore.
Kush është Safet Gjici?
Kandidati i ASHE për kreun e bashkisë së Kamzës, z. Safet Gjici ka lindur në Kukës, më 30 prill 1972. Është i martuar dhe babai i katër fëmijëve. Arsimin 8-vjeçar dhe atë të mesëm e ka kryer në vendlindje. Ka përfunduar studimet e larta, në Akademinë e Policisë “Arben Zylyftari” dhe studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, ku është diplomuar jurist. Pas tërheqjes nga karriera si oficer policie, Gjici u angazhua në fushën e biznesit. Në bashkëpunim me disa ekspertë të tjerë më 2001 krijoi kompaninë “Euro Gjici-Security”, që është shndërruar në një nga shoqëritë e mirënjohura për profesionalizmin, korrektësinë dhe përkushtimin në përmbushjen e detyrimeve ndaj kontraktuesve potencialë. Në vitin 2006 themeloi Shoqërinë “Kevin Construksion”, që operon në fushën e ndërtimit, rikonstruksion dhe infrastrukturë. Në vitin 2014, emërohet Prefekt i Qarkut Kukës ku u shqua për zgjedhjen e disa probleme të mprehta që shqetësonin qytetin verior. Në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare, Gjici arriti të tërhiqte investime të rëndësishme që shkojnë deri në 40 milionë euro. Falë kësaj pune, kanë përfunduar së ndërtuari disa segmente rrugore nacionale. Safet Gjici prej 3 vjetësh është President i FK Kukësit dhe kontribues i ndërtimit të stadiumit “Zeqir Ymeri”. Gjatë drejtimit të këtij klubi futbolli, Kukësi theu rekordin e pjesëmarrjes së ekipeve shqiptare në futbollin europian, duke arritur deri në turin e katërt të Ligës së Europës. Z. Gjici, me aktivitetin e tij privat në fushën e sigurisë dhe të ndërtimit është nderuar me shumë çmime, ndërkohë që për kontributin e dhënë në fushën e futbollit, qytetarët e Kukësit e kanë zgjedhur me shumicë votash si “Personalitet i vitit 2012”. Këshilli bashkiak i Kukësit e ka shpallur me vota unanime “Qytetar Nderi” i Kukësit. Safet Gjici hyri në politikë pas një angazhimi të gjatë në fushën e biznesit. Angazhim, në të cilin kurrë nuk mungoi bashkëpunimi me institucionet shtetërore për ndërtimin e një sërë veprash në shërbim të komuniteteve. Në garën për kryebashkiak Gjici ka paraqitur një projekt shndërrues për Kamzën dhe Paskuqanin, të cilin me ndihmën e Qeverisë dhe të Kryeministrit Rama, me menaxhim të suksesshëm dhe ndershmëri e përkushtim, synon ta bëjë realitet, pas zgjedhjeve vendore. 
Sigal