Sabit Brokaj:Politika,kthim mbrapa në vitin 1997

518
Sigal

Intervistë me Sabit Brokaj Politika në “ceitnot”,  asnjë lëvizje nuk mund të bëhet më!

“Më mirë një fund i tmerrshëm se sa një tmerr pa fund”. Kështu u shpreh dje në një intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf”, ish-deputeti Sabit Brokaj, i cili njihet për fisnikërinë e tij, që kur dha dorëheqjen, nga mandati parlamentar,  duke u kthyer n ë një lider shpirtëror të popullit të vet.

 Zoti Brokaj, si i konsideroni zhvillimet e politikës së sotme në Shqipëri?

Politika është në kaos të plotë. Nëse do të përdorja një term, të lojës së shahut, unë do të them pikërisht, se politika është në “ceitnot”, ku asnjë nga lojtarët, jo vetëm që nuk di se çfarë lëvizje të bëjë, por as nuk ka mundësi reale për të bërë ndonjë lëvizje. Kjo gjendje është shumë e rëndë dhe për mua shkaktare e vërtetë është qeverisja e Sali Berishës

Me cilin vit do ta krahasoni vitin 2013: me vitin ‘96, ‘97, apo me vitin e mbrapshtë, 1913?

Unë këtë periudhë do ta krahasoja me vitin 1996, kur ish- Presidenti Sali Berisha vodhi zgjedhjet, duke e nxjerrë rezultatin pa u numëruar fare votat. Por këtu dua të bëj një shënim të vogël. Sepse atëherë, pas vitit 1996 erdhi viti i tmerrshëm 1997, i cili e rrënoi krejtësisht, Shqipërinë. Ndërsa tani Berisha nuk ka asnjë shans që ta rikthejë ‘97-n, në Shqipëri. Sepse politika shqiptare dhe opinioni publik janë pjekur dhe formësuar në atë masë, saqë nuk mund ta lënë kryeministrin ta shesë vendin si bajrakun e vet.

Po ndërkombëtarët, sipas jush, çfarë roli po luajnë?

Ndërkombëtarët po bëjnë detyrën e tyre me përkushtim të plotë dhe po bëjnë lëvizje të shumta. Ata më duken më të preokupuar se herët e tjera, por përsëri nuk po e presin me thikë, për ta ndarë pozitiven nga negativja. Por megjithëse ata nuk e kanë ndarë me thikë çdo gjë, duhet të jemi të bindur se vendimin e heqjes së Berishës, ata e kanë realizuar me kohë. Por po e lënë deri në fund për ta parë se deri ku mund të shkojë.

Cili është sipas jush, roli i opozitës në krizën e sotme politike?

Opozita e majtë nuk ka asnjë rrugë tjetër, për të ndjekur përveç asaj që ndoqi. Kështu, dorëheqja e komisionerëve ishte një lëvizje e detyruar për të krijuar klimën e duhur në impenjimin ndërkombëtar, për korrigjimin e difektit nga maxhoranca. Pra, sipas mendimit tim, opozita e majtë është në rrugën e duhur dhe po ecën e sigurt drejt marrjes së përgjegjësive për qeverisjen e ardhshme. Loja politike e opozitës është diktuar nga defektet e rënda dhe shkeljet ligjore të maxhorancës.

Sipas jush në ç’mënyrë do të vijë zgjidhja?

Zgjidhja ka vetëm një rrugë të ndershme dhe institucionale: Të vihen gjërat në vend, të riformatohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ashtu siç ka qenë, duke zbatuar Kushtetutën dhe të zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme.

Si mendoni se po e përjeton populli i thjeshtë krizën e sotme të politikës shqiptare?

Kjo është një krizë e përgjithshme, jo vetëm në një fushë, por në të gjitha drejtimet. Sot varfëria dhe skamja janë në rritje, papunësia ka arritur shifra të lartë, biznesi dhe tregtia kanë rënie të dukshme, ekonomia është në kolaps, e kështu me radhë. Prandaj, kërkohet një zgjidhje e shpejtë dhe emergjente e cila padyshim që do të vijë në qershor. Sepse gjërat duhet të ndryshojë patjetër.  Dhe njerëzit duan të jetojnë si njerëz. Të respektohen si njerëz, të dërgojnë fëmijët në shkollë, nën një siguri të plotë të rendit publik, të garantojnë punësimin e fëmijëve, e plot gjëra të tjera jetësore. Mjaft u morën njerëzit e thjeshtë me handikapin e politikës. Ata meritojnë më shumë. Sepse vitet ikin dhe koha nuk kthehet më. Pra, e keqja po shkon në fundin e vet, por unë në këtë rast do të thosha kështu: Më mirë një fund i tmerrshëm se sa një tmerr pa fund”. Sepse pas rrënimit, do të lindë shpresa për brezat tanë të rinj, të cilët  duket se po presin hapjen e perspektivës.