Sabah Goci: Rillogaritja e pensioneve të ushtarakëve, sipas vjetërsisë dhe pagës mesatare

595
Sigal

Intervistë/ Ja formula e llogaritjes së pensioneve të ushtarakëve pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Vendimi i shkurtit i Gjykatës Kushtetuese për ish-ushtarakët, që hyri në fuqi në mars, i cili nuk shpalli si antikushtetues Aktin Normativ të Qeverisë, ka krijuar pakënaqësira te ushtarakët. Për mënyrën sesi do të bëhet rillogaritja e përfitimit të pensionit pas këtij vendimi shprehet për “Telegraf”, Sabah Goci, Drejtor i Drejtorisë së përfitimeve në ISSH. Sipas tij, edhe në rastet kur ish-ushtarakët në procese gjyqësore marrin të drejtën nga gjykata për rillogaritje, formula mbetet e njëjtë sipas ligjit aktual. Goci, sqaron se në thelb për këtë rillogaritje mbetet vjetërsia në punë dhe paga mesatare, si dhe përqindja që shtohet për çdo vit. Në këto kushte, ish-ushtarakut i lidhet përftimi sipas llogaritjes së fundit, qoftë kjo edhe më e ulët se më parë.

Sa persona preken nga vendimi i Kushtetueses?

Deri më sot janë 975 persona, të cilët janë me Vendime Gjyqësore dhe në proces.

Çfarë ndodh pas këtij vendimi me një ish-ushtarak që ka fituar gjyqin dhe përmes përmbarimit ka përfituar rillogaritje?

Ish – ushtaraku, i cili ka fituar një proces gjyqësor me objekt “Rillogaritjen e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi” dhe vendimi i gjykatës së formës së prerë si titull ekzekutiv është vënë në zbatim nga Zyra e Përmbarimit, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese (Vendimi nr. 2 datë 18.02.2013 është përfundimtar, i formës së prerë), nuk mund të kërkojë të zbatohet më tej vendimi i gjykatës i formës së prerë, pasi për këtë kategori personash, vihet në zbatim neni 29 i ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar si dhe nenet 13, 14 të këtij ligj që përcaktojnë kriteret për përfitim. Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore janë orientuar nga Instituti i Sigurimeve shoqërore që për çdo veprim të Zyrës së Përmbarimit , që kërkon ekzekutimin e vendimeve të gjykatës së formës së prerë, për përfitime të periudhës nga 1.7.2009 e në vazhdim, pas hyrjes në fuqi të Vendimit nr. 2, datë 18.02.2013, të Gjykatës Kushtetuese, brenda 5 ditëve do të paraqesin në Gjykatat e Rretheve Gjyqësore kërkesë padi me objekt “Kundërshtim të Veprimeve Përmbarimore”. Flasim këtu për vendime gjyqësore, të cilat në dispozitivin e tyre përcaktojnë të drejtën e llogaritjes së masës së përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në zbatim të ligjit nr. 8087, datë 13.03.1996, i ndryshuar dhe nr. 8661, datë 18.09.2000, i ndryshuar, edhe pas datës 01.07.2009, datë në të cilën hyn në fuqi ligji nr. 10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese përcakton qartë që: “Kushtetuta nuk ndalon çdo ndryshim të një situate të favorshme ligjore. Kështu, në këtë drejtim, duhet parë në çdo rast se në çfarë mase dhe deri ku, besimi që ka qytetari në situatën e favorshme ligjore paraqitet i rëndësishëm për t’u mbrojtur nga normat dhe parimet kushtetuese si dhe cilat janë arsyet për një mbrojtje të tillë. Ligjvënësi ka detyrimin të rregullojë në mënyrë më të hollësishme të drejtat e parashikuara në Kushtetutë. Në kuadrin e këtij rregullimi ai nuk mund të prekë ato të drejta, kufijtë e të cilave në Kushtetutë janë parashikuar shprehimisht si të pacenueshme. Të drejtat e tjera kushtetuese ai mund t’i kufizojë vetëm në kushtet e nenit 17 të Kushtetutës, pra, për një interes publik, për të mbrojtur të drejtat e të tjerëve me mënyra dhe forma që të jenë në përpjestim me gjendjen që e ka diktuar ndryshimin dhe pa prekur thelbin e të drejtës …..”. Gjykata çmon se aktet, objekt shqyrtimi, respektojnë raportin e drejtë midis interesit publik dhe garantimit të mirëfunksionimit të buxhetit publik, i cili do të pësonte një goditje të konsiderueshme nëse nuk bëhej ndërhyrja në skemën e pensioneve. Aktet që kundërshtohen nuk mohojnë të drejtën për përfitimin e sigurimit suplementar, ato vetëm bëjnë një përllogaritje, e cila është reale dhe e arsyeshme në raport me të gjithë kategoritë e subjekteve përfituese, duke respektuar në këtë mënyrë edhe parimin e barazisë mes përfituesve. Gjykata vlerëson se, “megjithëse skema e re e llogaritjes së masës së sigurimit suplementar ka sjellë uljen e të ardhurave për përfituesit, kjo ndërhyrje është në përpjesëtim të drejtë me qëllimin që e ka diktuar atë….”

Pas vendimit të Kushtetueses, çfarë ndodh me ish-ushtarakët që janë ende në procese gjyqësore? Po me Përmbarimin që ka ekzekutuar këto vendime?

Në lidhje me personat që janë në një proces gjyqësor, janë gjykatat e faktit ato që do të shprehen për pranimin apo jo të kërkesave të parashtruara nga ish-ushtaraku. Parimisht, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duke arsyetuar mbi pajtueshmërinë me Kushtetutën të ligjit nr. 10367, datë 23.12.2010 “Për miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit nr.5, datë 10.11.2010 të Këshillit të Ministrave “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10142, datë 15.5.2009” “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të policisë së shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të Punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, i jep zgjidhje të gjithë kërkesave të ish-ushtarakëve, për rillogaritje të përfitimeve të tyre pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar, por është në të drejtën e gjykatave të faktit të marrin vendime mbi kërkesat që i janë paraqitur atyre për shqyrtim.  Përsa i përket vendimeve të gjykatës që janë ekzekutuar detyrimisht nëpërmjet Zyrës së Përmbarimit, për momentin nuk mund të shprehemi, pasi çështjet janë të gjitha për shqyrtim në Gjykatën e Lartë dhe nga kjo gjykatë nuk është marrë asnjëherë një vendim për pezullim të ekzekutimit të vendimeve. Deri në marrjen e vendimeve nga Gjykata e Lartë, nuk mund të kërkojmë kthimin e shumave të marra nga ana e ish-ushtarakëve në zbatim të një vendimi gjyqësor të formës së prerë.

A duhet të kthejë një ish-ushtarak nga shuma që ka përfituar pas këtij vendimi? Deri në cilën datë mund të fitohet rillogaritja?

Siç u tha dhe më lart, shumat e përfituara deri tani nëpërmjet ekzekutimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë nga Zyrat e Përmbarimit nuk mund të mbahen në mënyrë të njëanshme nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, por në kuadër të ndryshimit të situatës që solli vendimi i Gjykatës Kushtetuese, është krijuar një hapësirë ligjore që Gjykata e Lartë të mund të vendosë për të drejtat para dhe pas datës 01.07.2009, ç’ka mund të na japë të drejtën që në të ardhmen, nëse Gjykata e Lartë vendos për ndryshimin e vendimeve të gjykatave të faktit dhe të apelit, të mund të kërkojmë kthimin e shumave që janë marrë tepër nga ana e ish-ushtarakëve. Vendimi nr.33 i viti 2010 i Gjykatës Kushtetuese deri në momentin e hyrjes në fuqi të vendimit nr.2 të datës 18.02.2013 është në fuqi. Pra duke qene ky vendim në fuqi, përfitimet e marra për këtë periudhë konsiderohen të drejta, të fituara dhe nuk mund të kërkojmë kthimin e tyre mbrapsht. Normalisht me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar, pra nga data 01.07.2009, dhe Vendimit nr. 2, datë 18.02.2013 të Gjykatës Kushtetuese, situata e përfitimeve të pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi, apo e përfitimeve suplementare të ushtarakëve është plotësisht e qartë dhe nuk ka asnjë ekuivok. Nga data 01.07.2009 do të zbatohet ligji nr. 10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar dhe çdo dispozitë tjetër e shfuqizuar apo që bie ndesh me këtë ligj, nuk mund të zbatohet.

LLOGARITJA E PËRFITIMIT TË ISH-USHTARAKËVE PAS VENDIMIT TË KUSHTETUESES

Pas Vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 2, datë 18.02.2013, nuk ndryshon llogaritja e përfitimeve. Llogaritja e përfitimeve bëhet në mbështetje të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, i ndryshuar. Llogaritja e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bëhet në mbështetje të nenit 14 të ligjit nr. 10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar: 1) Pensioni i parakohshëm, për personat që plotësojnë kushtet e përfitimit, është 1.5 për qind e pagës mesatare referuese mujore neto, për çdo vit shërbimi. 2) Në çdo rast, masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e ulët se pensioni bazë, i përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar”. Gjithashtu në mbështetje të nenit 29 të ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, i ndryshuar, pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensionet suplementare, të caktuara në përputhje me ligjet nr.8087, datë 13.3.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nr.8661, datë 18.9.2000 “Për sigurimin suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”, si edhe ato të caktuara me vendime të gjykatave, pavarësisht nga mosha e vjetërsia në punë, në çastin e fillimit të së drejtës, do të rillogariten sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj dhe në bazë të pagave referuese, në çastin që i ka lindur e drejta për përfitim.