Rusia: Deklaratat e Ramës dëmtojnë Maqedoninë

774
Ministria e Jashtme e Rusisë ka reaguar dje për deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama më 14 janar, sipas të cilit Partia Socialiste ka kontribuuar për krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si dhe kontributin vendimtar të kësaj partie për miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Ministria e Jashtme ruse thotë se këto deklarata konfirmojnë “qëllimin e zotit Rama që të vazhdojë të promovojë Platformën famëkeqe të Tiranës, të cilën ai ndihmoi për ta hartuar”. “Zbatimi i këtij dokumenti do të dëmtonte bazat kushtetuese të shtetit maqedonas dhe Marrëveshjes kornizë të Ohrit dhe si pasojë do të provokonte përleshjet e reja etnike në Ballkan. Këto zhvillime të reja janë plotësisht në përputhje me ambiciet e përhapura të Shqipërisë së Madhe, të cilat rrezikojnë integritetin territorial të disa vendeve në rajon”, shprehet Moska. Në deklaratë thuhet gjithashtu se “ne i japim shumë rëndësi çështjes së gjuhëve dhe besojmë që vendime të tilla duhet të merren vetëm në bazë të marrëveshjes midis të gjitha degëve të pushtetit në çdo vend dhe një konsensusi të gjerë në shoqërinë e tij”. Tirana e përshëndeti miratimin në Shkup të ligjit të ri për gjuhët, ndonëse presidenti maqedonas ka shprehur mospajtimin e tij me këtë masë të Parlamentit.
Sigal