Rumbold: Të plotësohen 5 prioritetet JO çështje personale në Kuvend

420
Sigal

Sfidat që presin vendin tonë pas marrjes së statusit të vendit kandidat në BE, janë tema e një takimi me gazetarët të ministres së Integrimit Klajda Gjosha dhe përfaqësuesit të BE në Tiranë Clive Rumbold. Lidhur me hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE, Rumbold tha se Shqipëria duhet të fokusohet në plotësimin e 5 prioriteteve kyçe, duke vënë theksin tek vijimi i reformave, si dhe tek lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ka një rekomandim nga KE për fazën e ardhshme për çeljen e negociatave. Por janë 5 prioritetet kyçe që duhet të trajtohen, ato janë një sfidë. Nuk do të ndodhi brenda ditës, por qeveria ka hartuar një plan veprimi për secilin nga këto prioritete kyçe. Ka një axhendë të qartë që duhet ndjekur, dhe ne do të ndjekim nga afër realizimin e këtyre prioriteteve, dhe kështu do ecim përpara për hapin tjetër, për hapjen e negociatave. Por kjo nuk do të ndodhë nesër, ka punë për të bërë. Është lufta ndaj krimit të organizuar, lufta ndaj korrupsionit, reforma në drejtësi. Kërkohet angazhim nga të gjitha palët që kjo të realizohet. Kjo varet nga Shqipëria kur të arrijë këto standarde”, tha Rumbold.

Përfaqësuesi i BE tha se marrja e statusit të vendit kandidat është vlerësim për punën e bërë në vend.

“Statusi është inkurajim për të ardhmen. Integrimi kërkon reforma për median. BE ka iniciativa dhe projekt për lirinë e medias. KE ofron asistencë afatgjatë në kuadër të integrimit. Duhen reforma në të gjitha fushat, po kështu edhe në media”, tha Rumbold.

Ministrja Gjosha tha se media është partner në rrugën e integrimit, ndërsa u shpreh se statusi dhe negociatat parashikojnë edhe lirinë e medias.

Në kuadër të procesit të integrimit dhe plotësimit të 5 prioriteteve, ministrja Gjosha tha se pjesë e Këshillit Kombëtar të Integrimit do të jenë edhe përfaqësues të medias.

“Pjesë e Këshillit Kombëtar të Integrimit do të jenë edhe përfaqësues të medias. Do të hartojmë legjislacion të plotë për lirinë e medias. Media luan një rol të rëndësishëm në plotësimin e 5 prioriteteve. Pa lirinë e medias nuk mund të quhemi një shtet demokratik, dhe nuk mund të jemi vend anëtar në BE. Për të siguruar këtë do të duhet një punë shumë e madhe, dhe mbështetje në këtë drejtim do të jetë edhe reforma në drejtësi”, tha ministrja Gjosha.

Rumbold: Të shmangen mosmarrëveshjet në Kuvend
Duke u ndalur tek përplasjet e deputetëve në Kuvend, Rumbol theksoi se ata duhet të shmangin mosmarrëveshjes, pasi kjo nuk është në interes të publikut.

“Nuk duhet që çështjet personale të përfshihen në Parlament. Duhet të shmanget mosmarrëveshjet e deputetëve në Kuvend. Ata janë të zgjedhur nga votuesit dhe duhet të marrin vendime për të mirën e të gjithëve. Mosmarrëveshjet në Kuvend nuk janë në interes të publikut dhe të qytetarëve”, tha Rumbold.