Rumania, ekspertizë Shqipërisë në procesin e integrimit

175
Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha në përfundim të vizitës dyditore në Bukuresht, mori mbështetjen e zyrtarëve rumunë për të ofruar asistencë në nivel ekspertësh për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Sipas një njoftimi për shtyp, në takimin me kryetaren e komisionit parlamentar të Integrimit të Rumanisë, Anca Boagiu, ministrja Gjosha tha se përfshirja e gjithë aktorëve në këtë proces ka qenë kryefjala jonë, pasi jemi të bindur se pa gjithpërfshirje nuk mund ta çojmë përpara axhendën tonë europiane.
Boagiu u shpreh se strukturat parlamentare që merren direkt me procesin e integrimit kanë një rëndësi kyçe sa i përket nismave legjislative, por nga ana tjetër për një vend aspirant si Shqipëria, tha ajo, është i domosdoshëm zbatimi i këtyre ligjeve dhe konsolidimi i shtetit të së drejtës.
Kryetarja e komisionit rumun shprehu gatishmërinë për të ofruar asistencë në nivel ekspertësh, për procesin e integrimit të Shqipërisë, duke theksuar se integrimi i plotë i të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të çojë në zhvillimin e mëtejshëm të tij.
Ministrja Gjosha, gjatë takimit me Prokuroren e Përgjithshme të Drejtorisë Kombëtare Antikorrupsion në Rumani, Laura Codruţa Kovesi, theksoi rëndësinë që ka reforma në drejtësi për procesin e integrimit të Shqipërisë, ndërsa vlerësoi ekspertizën rumune në luftën kundër korrupsionit.