Ruli akuza Ramës: “Të vijë dhe të takojë fermerët e vërtetë”

432
Sigal

Gjatë një vizite në Komunën Kastrat dhe fshatrat e tjerë të Malësisë së Madhe, ministri Genc Ruli premtoi më shumë mbështetje financiare në të ardhmen për kultivuesit e bimëve mjekësore. “Faktikisht është e vërtetë se kjo është një nga tokat më të varfra në qarkun e Shkodrës, dhe sot ka arritur të marrë një vlerë ekonomike në sajë të zgjuarsisë që keni pasur për të zgjedhur kultivimin e kësaj bime që ju siguron të ardhura të konsiderueshme, rreth 3 mijë dollarë të ardhura neto që i ngelen fermerit. Ecuria është shumë e shpejtë dhe në këto pak vite regjistrohen rreth 2 mijë hektarë të mbjella në këtë zonë me sherebelë dhe bimë të tjera eterovajore”, u tha fermerëve ministri Ruli.  Kjo bisedë me fermerët dhe drejtuesit lokale u bë në të njëjtën parcelë ku para disa ditësh ishte kryetari i PS-së, Edi Rama. “Zoti Rama ju tha shqiptarëve se, toka prodhon varfëri, se shqiptarët s’mund të jetojnë dot me tokën e tyre, se fshati është i braktisur. Unë e pranoj që Rama mund të ngatërrojë ullirin me lisin, por nuk mund të pranoj që Rama të paraqesë si fermer në këtë tokë një ish kryetar komune dhe të mos shohë se kush është vërtet fermeri, se çfarë pune bën fermeri dhe se çfarë thotë me gojën e tij fermeri për rezultatin e punës së tij”, tha Ruli.