Rudi Mezini: Qeveria i ka braktisur 700.000 emigrantët në Greqi

632
Sigal

Rudi Mezini, ish-kryetari i Federatës së Emigrantëve Shqiptarë në Greqi

Zoti Mezini, a janë 4 të ftuarit emigrantë nga Greqia për në Samitin e Diasporës përfaqësuesit e emigrantëve Shqiptarë në Greqi?

Unë mendoj se këta 4 përfaqësues që lexoj këtu nuk duhet të jenë përfaqësues të emigracionit shqiptar në Greqi, pasi njëra prej tyre është e punësuar që në vitet e para të emigracionit dhe paguhet që të shtrembërojë politikën dhe përfaqësimin e emigrantëve, qoftë në shoqërinë greke, nuk ka luftuar asnjëherë për të drejtat e emigrantëve në institucionet e qeverisë greke, përkundrazi, ka folur në to sipas interesave të politikës greke kundër integrimit të emigrantëve në shoqërinë greke. Emigrantët në Greqi nuk njohin asnjë prej atyre që do vijnë në Samitin e Diasporës si përfaqësues të tyre. Miku im Tur Bibe nuk plotëson kushtet të jetë përfaqësues për emigrantët, pasi ai është Kryetar i PS, dega Athinë dhe emigrantët nuk janë vetëm partiakë rozë. Në Greqi jetojnë e punojnë mbi 700 mijë emigrantë, të cilët kanë dhe hasin shumë probleme, për të cilat kanë nevojën edhe të shtetit tonë amë.

Ju si e gjykoni, pse nuk ftohen përfaqësuesit e vërtetë, aktivistët dhe personalitete të vijnë në Samit?

Unë në Samitin e parë jam ftuar por jo në listat e përzgjedhura për të folur. Atëherë pashë miq e shokë të ardhur nga Greqia mbi 50 veta, shumica kishin ardhur me shpenzimet e tyre, edhe pse përfaqësonin shoqata e forume të ndryshme. Disa prej tyre ishin dhe emigrantë të kthyer dhe të punësuar në shtet, pashë ekspertë e eksperte që punojnë në zyrat greke, pashë përfaqësim jo për emigrantët, por më shumë politik. Në qoftë se është e vërtetë se nga Greqia janë ftuar vetëm këta 4 veta që janë në listën e publikuar, nuk bie erë e mirë. Është ngatërruar qëllimisht nga ministria e Diasporës ‘keku me byrekun’. Përfaqësues politik nuk mund të përfaqësojnë emigrantët. Siç e dini, unë kam drejtuar komunitetin shqiptar në Greqi për më shumë se 15 vite dhe nuk kam përzgjedhur se janë të përzgjedhurit rozë ose blu. Unë kam parë fytyrën e emigrantëve e jo kujt ngjyre politike i përkasin. Nëse komunitetin e emigrantëve dhe Diasporën do ta shikosh me ngjyrat politike, ke qëllim vetëm t’i përçash, e jo t’i bashkosh për të mirën e Atdheut. Kështu i përjashton nga kontributi, që duhet të japin për Atdheun, i përdor mashë për interesat e partisë dhe të një qeverie.

Rreth 700 mijë emigrantë shqiptarë jetojnë në Greqi. Por vijnë vetëm 4 përfaqësues në Samitin e Diasporës, ndërkohë nga Italia 28, nga Suedia 6, Austria 6. A ka shpërfillje nga Qeveria shqiptare për emigrantët shqiptarë në Greqi?

Unë nuk mund ta quaj shpërfillje, por do e quaj jo seriozitet dhe lënie pas dore. Komuniteti i emigrantëve që jeton në Greqi është afër dhe kanë probleme, ndërkohë që Greqia punon me të gjitha format e metodat që t’i asimilojë shqiptarët, u ndërron emrat, u ndërron besimin fetar, traditat, gjuhën, kulturën . Këto janë hallet, shqetësimet, problemet që Shteti ynë duhet të bashkëbisedojë me përfaqësuesit e vërtetë të emigrantëve në Greqi, e jo të mbledhë në Samit in e Diasporës përfaqësuesit politikë të qeverisë e për të bërë nga një foto me udhëheqjen dhe ta mburrin qeverinë për propagandën e saj shterpë në dëm të Diasporës dhe të emigrantëve tanë.

Nga SHBA do vijnë vetëm 6 përfaqësues. Kur dihet që Diaspora shqiptare në SHBA ishte ajo që ka përfaqësuar Shqipërinë 50 vite në botë në vitet e komunizmit. Pse tani edhe Diaspora e SHBA shpërfillet?

Në të dy Samitet për Diasporën, që kam marrë pjesë, ka pasur përfaqësues nga Amerika, por asnjëherë jo të njëjtët, por kanë qenë më të shumtë, sepse Diaspora në SHBA ka mbajtur gjallë Frymën e Atdhedashurisë dhe të Kombit shqiptar, edhe në kohët më të vështira të regjimit komunist.

Cilat janë shqetësimet problemet që duhet të sjellin në Samitin e Diasporës emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi?

Shqetësimet e emigrantëve shqiptarë në Greqi janë të mëdha e të pa zgjidhura këtu e 28 vite. Përpjekjet tona, në vitet e para të emigracionit kanë qenë edhe më të vështira, të vazhdueshme. Edhe tani, pas 28 viteve ka mijëra emigrantë shqiptarë që ende nuk kanë marrë dokumentet e emigracionit, edhe pse tani aty po rritet brezi i dytë i tyre. Emigrantëve tanë në Greqi nuk u njihet e drejta e pensionit reciprok, domethënë në Greqi nuk u njihen vitet e punës në Shqipëri dhe në Shqipëri nuk u njihen vitet e punës në Greqi. Pastaj brezi i dytë dhe i tretë i emigrantëve tanë në Greqi, kanë shumë vështirësi në mësimin e gjuhës shqipe dhe shteti ynë as që interesohet, përtej disa propagandave shterpë. Emigrantët tanë asnjëherë nuk e kanë ndjerë ndihmën juridike të shtetit tonë, kur përballen me padrejtësitë e drejtësisë greke, vetëm e vetëm pse janë shqiptarë. Emigrantët shqiptarë janë të braktisur nga shteti ynë, prandaj edhe qeveria fton si përfaqësues militantët e saj politikë, që në Samitin e Diasporës emigrantët shqiptarë të mos kenë zërin e tyre e t’i kërkojnë shtetit tonë të drejta dhe ndihmë.