Ruçi takim me kreun e NDI-së: Së shpejti kod i ri për sjelljen e deputetëve

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi priti sot në takim Drejtorin për Evropën Qendrore dhe Lindore në Institutin Demokratik Amerikan (NDI), z. Robert Benjamin, në kuadër të një vizite të tij në vendin tonë. 

Kryetari i Kuvendit shprehu konsideratën e veçantë përrolin dhe kontributin e vyer të NDI për zhvillimin e proceseve demokratike dhe tejet të rëndësishme në vendin tonë, për forcimin e institucioneve shtetërore, si dhe rritjen e kapaciteteve, si në kuadër të administratës publike, ashtu dhe në raport me shoqërinë civile, median, etj., në kuadër të forcimit të transparencës ndaj publikut. Z. Ruçi vlerësoi gjithashtu dhe produktivitetin e projekteve të realizuara nga NDI në nivel rajonal, projekte në të cilat ka spikatur gjetja e pikave të përbashkëta të bashkëpunimit dhe të ndërveprimit mes palëve. 

Gjatë bashkëbisedimit, Kryetari i Kuvendit paraqiti një panoramë të veprimtarisë parlamentare në këtëlegjislaturës të re, duke u ndalur në konkretizimin e Reformës në Drejtësi, ngritjen e Komisionit “AdHoc” për Reformën Zgjedhore, si dhe në miratimin e ligjit për pakicat kombëtare. “Për sa më sipër”, - vuri në dukje Kryetari i Kuvendit ,- “ka qenë konsensusi i deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë”. 

Në këtë takim, z. Ruçi prezantoi dhe disa nga objektivat ku është e përqendruar veprimtaria e Kuvendit në vijim. Kryetari i Kuvendit bëri me dije se ka një projekt/Kod të Sjelljes për deputetët, i cili, me fillimin e legjislaturës së re, është shqyrtuar në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. “Miratimi i Kodit të Sjelljes do të sjellë përmirësimin e etikës parlamentare në një linjë me standardet më të larta të funksionimit të parlamenteve europiane”, - u shpreh z. Ruçi.

Nga ana e tij, Drejtori për Evropën Qendrore dhe Lindore në Institutin Demokratik Amerikan, z. Robert Benjamin e përgëzoi Kryetarin e Kuvendit për zgjedhjen në këtë detyrë të lartë dhe të rëndësishme të shtetit shqiptar, duke i uruar suksese në ushtrimin e saj. Z. Benjamin vuri theksin në rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit me Kuvendin, si qendra e demokracisë dhe e vendimmarrjes në dobi të interesave të shoqërisë shqiptare. Në këtë kontekst, z. Benjamin vuri në dukje mbështetjen e NDI-së për Kuvendin e Shqipërisë në vazhdimësi dhe në të ardhmen, përmes projekteve dhe nismave konkrete. Këto projekte, por edhe ato në nivel rajonal, u prezantuan ngaDrejtori për Evropën Qendrore dhe Lindore në Institutin Demokratik Amerikan gjatë bashkëbisedimit në takim me Kryetarin e Kuvendit.